in

Flukset e sanatoria. Vijnë në fuqi norma të reja me dekretin e Punës

Flukset: përpara thirrjes së punonjësve nga jashtë do të duhet të kërkohet më parë mes të papunëve në Itali. Sanatoria: lejeqëndrim të punonjësin edhe nëse marrëdhënia e punës është mbyllur apo nëse punëdhënësi nuk përmbush kriteret. Risitë në Dekretin e Punës që është botuar në Gazetën Zyrtare

Romë, 28 qershor 2013 – Ka risi të rëndësishme edhe mbi  imigracionin në dekretligjin e Punës të botuar tashmë në Gazetën Zyrtare. Ndërhyhet, mes të tjerash, mbi mekanizmin e flukseve të hyrjeve, duke marrë në konsideratë më parë të papunët që janë në Itali, dhe u jepet një mundësi punonjësve të shumtë që kanë kërkuar të vihen në rregull përmes sanatores 2012, por që tashmë rrezikojnë të mos fusin dot në xhep lejen e qëndrimit.

Lidhur me flukset, dekreti parashikon që këtej e tutje, parase të paraqitet një kërkesë emërore për të sjellë e punësuar në Itali një punonjës të huaj, do të nevojitet të verifikohet më parë në Qendrën e Punësimit “të mos qenit në dispozicion në territorin italian i një punonjësi , e dokumentuar në mënyrë të përshtatshme”. Një familje në kërkim të një bashkëpunëtoreje shtëpiake apo një ndërmarrje në kërkim të një punëtori, me pak fjalë, para se të paraqesë një kërkesë për një kuotë fluksesh, duhet të tregojë se e ka kërkuar një të tillë mes të papunëve të pranishëm në Itali, italianë apo të huaj.

Në të vërtetë, ky lloj kontrolli parashikohej edhe nga Teksti Unik për Imigracionin, por deri më sot ishte thjesht një formalitet. Në fakt verifikimi bëhej pas paraqitjes së kërkesës për kuotë fluksesh, kërkesë që i përcillej edhe Qendrës për Punësimin me qëllim që të nxirrte në dukje ofertën e punës për 20 ditë. Po të kishte një të papunë të gatshëm për atë vend pune, informohej punëdhënësi.

Por familjet e ndërmarrjet, në shumicën dërrmuese të rasteve, edhe kur kishte një person të gatshëm për vendin e punës, preferonin të çonin përpara kërkesën për kuotën e flukseve pasi në të vërtetë donin të vinin legalizonin dikë që ndodhej në Itali (ndoshta edhe i punësuar prej tyre) por nuk kishte lejen e qëndrimit.

Ndryshon edhe programimi i hyrjeve për kë vjen në Itali për të ndjekur kurse formimi profesional apo për të bërë një stazh. Kufiri maksimal do të përcaktohet çdo tre vjet, brenda fundit të qershorit, me një dekret të ministrisë së Punës, në mirëkuptim me ministrinë e Brendshme e të Jashtme. Për sa kohë nuk del për herë të parë dekreti, konsullatat do të mund t’i lëshojnë vizë hyrjeje kujtdo që përmbush kriteret, pa kufizime numerike.

Mbërrijnë edhe burime të reja për “Fondin kombëtar për pritjen e të miturve të pashoqëruar”, sepse dekreti çon në atë fond të gjitha paratë e papërdorura që ishin destinuar për emergjencën e Afrikës së Veriut. Një lajm i mirë për Komunat që kanë barrën e pritjes dhe që prej kohësh i kërkojnë shtetit të zhbllokojë rimbursimet.

Lajme të mira mbërrijnë edhe për sanatoren, për mijëra e mijëra punonjësit e huaj që rrezikonin të mbeteshin jashtë për faj të punëdhënësve që ose nuk përmbushnin kriteret e parashikuara nga ligji, ose thjesht tërhiqeshin pasi kishin bërë kërkesën e legalizimit të punonjësit.

Nëse kërkesa është bllokuar “për shkaqe që lidhen në mënyrë ekskluzive me punëdhënësin” por është paguar kontributi prej 1.000 eurosh dhe taksat e kontributet e prapambetura dhe nëse punonjësi sidoqoftë mund të provojë praninë e tij në Itali që në vitin 2011, këtij i lëshohet “një leje qëndrimi për pritje punësimi”. Leja e qëndrimit ka kohëzgjatje të paktën njëvjeçare, dhe mund të konvertohet në lejeqëndrim për punë nëse ndërkohë i huaji gjen një punësim.

Dekreti ndërhyn edhe në rastet kur marrëdhënia e punës përfundon, me nxjerrjen nga puna apo me dorëheqjen e punonjësit, para se të përmbyllet procedura e legalizimit. Nëse provohet prania në Itali prej vitit 2011, punonjësi do të mund të ketë një lejeqëndrim për pritje punësimi ose, nëse ka kërkesë punësimi nga një punëdhënës i ri, lejeqëndrim për punë. Punëdhënësi që kishte paraqitur kërkesën e legalizimit do të jetë sidoqoftë i detyruar të paguajë taksat dhe kontributet deri në datën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Elvio Pasca

Milano. Zihet me të shoqen dhe e hedh nga kati i nëntë

Vogëlushet e mbytura në Po: gjendet edhe trupi i dytë