in

Shtetësia. Në diskutimin në Dhomën e Deputetëve mbërrin edhe propozimi i M5S

Në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese edhe teksti për brezat e dytë i paraqitur nga Sorial e Dadone të Lëvizjes 5 Yjet. Ka si kritere vjetërsinë e rezidencës së prindërve dhe ndjekjen e shkollës

Romë, 3 korrik 2013 – Vazhdon rrugëtimi i reformës së shtetësisë, dhe propozimeve të ndryshme që po shqyrtohen në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese, u shtohet edhe ai i Lëvizjes 5 Yjet dedikuar brezave të dytë. I paraqitur në mes të qershorit, më 2 korrik u është bashkëngjitur propozimeve të tjera mbi të cilat po ballafaqohen parlamentarët.

Projekt ligji është shkruar nga Girgis Sorial dhe Fabiana Dadone, por është firmosur nga thuajse të gjithë deputetët e M5S. Ndërthur parimin e ius soli-t të zbutur me atë ius culturae: shtetësi për ata që lindin në Itali, por vetëm me disa kushte, dhe atye që vijnë këtu të vegjël apo adoleshentë, nëse frekuentojnë shkollën.

Teksti i M5S  thotë që është menjëherë italian kush lind në Itali nga prindër të huaj “prej të cilëve të paktën njëri banon ligjërisht këtu prej të paktën tre vjetëve” ose “prej të ciclëve të paktën njëri ka lindur në Itali dhe banon ligjerisht prej të paktën një viti”. E kush nuk ka lindur këtu? Nëse arrin në Itali pa mbushur 5 vjeç duhet të përfundojë filloren, nëse mbërrin pa mbushur 10 vjeç duhet të përfundojë tetëvjeçaren e nëse arrin këtu pa mbushur 18 duhet të mbarojë edhe shkollën e mesme.

Është prindi ai që paraqet deklaratën për njohjen e shteetësisë, por fëmija ka të drejtën të heqë dorë nga shtetësia italiane kur mbush moshën madhore. Nëse prindi nuk paraqet deklaratën, mund ta bëjë drejtpërdrejt i biri me të mbushur moshën madhore. Një normë kalimtare do të parashikojë shpëtimin e brezave të dytë “të vjetër”, me njohjen e shtetësisë italiane të gjithë atyre që në çastin e hyrjes në fuqi të ligjit i plotësojnë kriteret.

Bashkë me propozimin e Lëvizjes 5 Yjet bëhen 16 tekstet që po shqyrton Komisioni i Çështjeve Kushtetuese. Tani duhet parë nëse do të arrihet të gjenden pika të përbashkëta për t’u çuar në Sallë, siç parashikon kalendari i Dhomës së Deputetëve, në fund të muajit korrik.

EP

Lexo (italisht) propozimin e Lëvizjes 5 Yjet:
Proposta di legge: SORIAL ed altri: “Modifiche alla legge 5 febbraio 1992, n. 91, in materia di cittadinanza per nascita e di acquisto della cittadinanza” (1204)

Marche da bollo più care. Da 14,62 a 16 euro

Shtetësi shqiptare për të gjithë personat me origjinë shqiptare