Haxhillari ishte arrestuar në Cërrik në prill. Bashkë me dy shqiptarë të tjerë të arrestuar në Itali akuzohet për vrasjen barbare të famullitarit të kishës së Tizzana-s të Quarratas në provincën e Pistoias
Romë, 4 korrik 2013 – Gazmor Haxhillari, 35 vjeç, një nga tre shqiptarët që konsiderohen përgjegjësit e vrasjes së famullitarit Mario Del Becaro dhjetorin e shkuar është ekstraduar në Itali.
Gazmor Haxhillari bashkë me Fation Krajën mbahen ekzekutorët e vrasjes, ndërsa i vëllai, Bledar Haxhillari organizuesi i krimit. Që të tre u arrestuan më 23 prill, por ndërsa dy të tjerët u kapën në Itali, Gazmor Haxhillari u arrestua në Cërrik nga policia shqiptare me kërkesë të autoriteteve italiane.
Pasi shqyrtoi dosjen e tij, Interpol Tirana vendosi ekstradimin dhe ka sjellë sot pasdite në Fiumicino të Romës të pandehurin të cilit iu njoftua zyrtarisht arrestimi për akuzat e vrasjes dhe të grabitjes.