in

Edi Rama në BBC: Kemi program special për të luftuar korrupsionin

Për zgjedhjet e fundit jep vlerësim pozitiv, për vendimin e gjyqit të 21 janarit 2011 thotë se ishte “i tmerrshëm” dhe se nevojitet një “proces gjyqësor i drejtë”

Romë, 18 korrik 2013 – Mbrëmjen e të mërkurës, pas takimit me Tony Blair, Edi Rama i ka dhënë intervistë gazetares Sara Montague për programin “Hard Talk” të BBC-së. Gazetarja është përqendruar kryesisht në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri (sipas Transparency International vendi më i korruptuar i Europës), në zgjedhjet parlamentare, dhe çështjen e 21 janarit.

Ajo përmendi ryshfetet, sidomos në mjekësi, pastrimin e parave, dhe se çfarë do bëjë qeveria e ardhshme në këtë drejtim: “Njerëzit kanë zgjedhur alternativën e majtë dhe unë e kam treguar duke udhëhequr për 11 vjet bashkinë sesi mund të administrohet pa korrupsion dhe unë shpresoj se edhe qeverisja e vendit do të tregojë se çfarë jam i aftë të bëj.
Korrupsioni është diçka që duhet luftuar dhe mund të luftohet. Ka shumë histori të sukseshme që mund të tregojnë se korrupsioni është i luftueshëm; padyshim që kjo do reforma të qarta e të plota të cilat ne i kemi gati. Ne kemi një program special për bankat dhe stabilitetin e sektorit financiar.
Programi ynë është i aplikueshëm. Lufta ndaj korrupsionit do të na sjellë më shumë investime. Prandaj ne duhet të gjejmë mënyrën e duhur për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Kemi filluar të diskutojmë sesi mund të ndihmojmë qytetarët, sesi mund të qeverisim dhe kemi disa prioritete,”- shpjegon Rama.

I pyetur mbi 21 janarin, Rama e cilësoi të tmerrshëm vendimin e dhënë për atë ngjarje dhe u shpreh se do të bëhet gjithçka për një proces të drejtë. Sipas Ramës, Sali Berisha ka përgjegjësitë e tij në lidhje me këto ngjarje. “Vendimi për 21 janarin ishte i tmerrshëm. Mendoj që këto ngjarje s’do të harrohen kurrë dhe them se nuk mund të gjykohen më me mënyrën e vjetër, pra atë të transformimit të fakteve. Do të bëjmë gjithçka mundemi për të pasur një proces të drejtë dhe të pavarur. Kjo ka të bëjë me drejtësinë, Berisha ka pasur përgjegjësinë e tij për ngjarjen. Gjyqi për 21 janarin duhet të vazhdojë. Ne do bëjmë gjithçka mundemi edhe që familjet e viktimave të kenë mbrojtje legale në mënyrën e duhur”.

Lidhur me procesin e zgjedhjeve të fundit politike, Rama është shprehur se ato ishin prova që treguan se Shqipëria ka arritur një nivel të ri: “Këto zgjedhje ishin të mira dhe mendoj se vitin e ardhshëm ne mund ta marrin statusin kandidat, e kemi kaluar testin. Gjatë zgjedhjeve ne u ofruam qytetarëve një alternativë për të ndryshuar dhe fushata zgjedhore ishte e bazuar e gjitha mbi një program, mbi premtime dhe ne tani jemi para një testi”.

I pyetur lidhur me ftesën që u ka bërë të rinjve për t’u bërë pjesë e skuadrës së re qeverisëse, Rama e cilësoi si një nismë të re dhe transparente. “Pas zgjedhjeve shumë të rinj, të cilët janë të talentuar, kanë aplikuar për vende pune dhe deri në këto çaste kemi rreth 10 mijë aplikime. Pra, përgjigjja që unë pata ka qenë shumë e mirë”, tha Rama.

Në vijim intervista e plotë:

Edi Rama sot në Romë, për të takuar kryeministrin Letta

Milano. Përdhunonte e keqtrajtonte bashkëjetuesen, arrestohet 37 vjeçari