Ismet e Armando Dukës u gjejnë në shtëpi rreth 10 kg marihuanë, 5 kg heroinë, mjete për paketimin e drogës, armë dhe kartëmonedha 200 euro ende “të paprera”
Romë, 23 korrik 2013 – Sipërmarrësi i ndërtimit Ismet Duka, 48 vjeç, rezident në Samarate të provincës së Vareses është arrestuar më 20 korrik nga policia për mbajtje e paketim të drogës. Në një vilë të tijën në Tornavento gjithnjë në provincën e Vareses, gjatë një kontrolli të befasishëm policia ka gjetur 9,8 kg marihuanë, 5 kg heroinë mjete për ndarjen dhe paketimin e drogës. Veç lëndëve narkotike, agjentët kanë gjetur edhe kartëmonedha nga 200 euro të shtypura në fletë normale dhe dy armë.
Në shtëpinë kryesore të Dukës, në Samarate, policia ka arrestuar të birin e tij Armando 22 vjeç të cilit iu gjetën 18 gr kokainë dhe mjetet për prerjen e saj. I riu ishte arrestuar edhe pak muaj më parë kur i ishin gjetur 100 gr hashash në makinë dhe ishte lënë i lirë vetëm para disa javësh.
Tani është sërish në burg, në atë të Busto Arsizio, e këtë radhë bashkë me të atin.