“Italisë ia dhashë unë Shqipërinë” Kjo deklaratë e Galeazzo Cianos pas pushtimit të 7 prillit, nuk është mburrje e kotë. Me të marrë vendin e Ministrit të Jashtëm, dhëndri i Mussolinit do t’i kushtohej vërtet me një pasion pushtues Shqipërisë, së pari nëpërmjet poltikës së vet nënshtruese, e më pas për një zgjidhje rrënjësore siç qe pushtimi. Marrëdhënies së Cianos me Shqipërinë i kushtohet një kapitull i tërë i monografisë më të mirë italiane mbi jetën e personazhit që 33 vjeçar u bë ministër i fashizmit, “Galeazzo Ciano, Una Vita”, e historianit Giordano Bruno Guerri. “Bota shqiptare” botoi për herë të parë në shqip faqet kushtuar “Çifligut të Cianos” të mbushura me detaje të panjohura nga publiku i gjerë
Duke mos qenë i mundur (për frikë të reagimeve nga bota e Shqipëria) aneksimi i mirëfilltë që Ciano do të kishte dashur, u zgjodh bashkimi personal në vend të vënies në krye të shtetit shqiptar të një princi të familjes Savoia sepse një gjë e tillë do të kishte theksuar më shumë varësinë e Shqipërisë nga Italia.
Se ku konsistonte kjo varësi Ciano e tregon që më 12 prill, kur kthehet në Tiranë për përfundimin e punimeve të asamblesë kushtetuese. Asokohe kishte në dispozicion një fond sekret për çështjet shqiptare prej 5 milionë liretash dhe 380 mijë frangash shqiptare, e kështu shkon ” të çojë pako frangash shqiptare” duke kryer korrupsion e shpërdorim detyre.
Shembujt e korrupsionit e të keqadministrimit ishin kaq të shumtë sa u kthyen në rregull. Ciano, që nuk ishte kundër këtyre sistemeve nuk e ka problem ta pranojë: “Do të japim shpërblime personale […], sepse fitimi personal shpesh vë në heshtje ndjenja nga më fisniket…”; “Mjaftoi ndonjë zbukurim e ndonjë post për të kryer operacionin e tredhjes së Shqipërisë pa e lënë pacientin të gërthasë”. Jacomoni nuk bëri tjetër veçse vazhdoi të mbante në jetë atë që tashmë ishte kthyer në traditë.
Madje, marrëdhëniet e reja italo-shqiptare ishin importuar në mënyrë të tillë që të krijonin pështjellim sa më të madh: Jacomoni u emërua mëkëmbës i mbretit, pra praktikisht kreu i shtetit shqiptar; por si diplomat varej akoma nga ministri i Jashtëm italian: u arrit deri në absurditet kur Jacomoni nënshkroi në emër të Vittorio Emanuele III marrëveshje me qeverinë shqiptare, pra me qeverinë e vet. Për Shqipërinë u ngrit posaçërisht pranë ministrisë së Jashtme italiane një departament (departament për Punët shqiptare më mirë i njohur si “departamenti për Punët që mund të bëhen me Shqipërinë), besuar Zenone Beninit, mik fëmijërie i Cianos; më pas u dërgua në Tiranë Piero Parini si “asistent” i sekretarit të partisë fashiste shqiptare; ishte ministër fuqiplotë, ish drejtor i përgjithshëm i italianëve jashtë shtetit, një sipërfaqësor i tipit të Starace-s por disi më i kulturuar dhe me aftësi të mira organizative. Ciano qeveriste Shqipërinë përmes këtyre tre personazheve për të cilët Mario Morandi jep këtë kuadër thumbues dhe efikas:
Jacomoni spikaste për stilin e tij prej manuali të diplomatit të përkryer: kish arritur t’i besonte rolit të tij. T’i shtohet kësaj edhe karakteri paksa i dyshimtë i lidhur ngushtë me maturinë profesionale, cinik aq sa ç’duhej për t’i bërë qejfin, sipas rastit, padronit ose kërkuesit të radhës. I pasur nga familja, ndiqte nga larg apo pa iu kundërvënë xhirot e paevitueshme të interesave. Në muajt pas zbarkimit nuk qe e vështirë të vërehej transformimi progresiv i personazhit Jacomoni që ishte padyshim një lundrues i shkëlqyer mes cekëtinave të situatës shqiptare, shpejt të ndërlikuara nga lufta, dhe nga silurët që herë-herë mbërrinin nga ministria e Jashtme ku në kabinetin Shqipëria drejtonte Zenone Benini, mik i ngushtë i Cianos, shok i gjindshëm dhe i mirë kënaqësish. Jacomoni manovronte me stil mes këtyre vështirësive dhe njëherësh ndërtonte me durim dhe pa rënë në sy, pavarësisht ngathtësisë së disa personazheve të kabinetit të tij, figurën e mëkëmbësit, të domosdoshme në një vend me traditë pak a shumë monarkike. Bashkimi ishte ai vetë, edhe pse me prokurë të Cianos. Ishte ai shtylla dhe e kishte kuptuar vetë prej kohësh që detyra e tij ishte të mbronte shqiptarët dhe kulturën e tyre nga sulmet e ashpra që vinin nga Roma. […]Në vitin 1940 nisën nga Roma, për të balancuar veprimtarinë e Jacomonit (e gjykuar, veçanërisht pas shpërthimit të luftës, tepër e dobët), një personazh të pagdhendur e krejtësisht fashist, Piero Parini, fillimisht alter ego të sekretarit të partisë fashiste shqiptare e më pas Sekretar të përgjithshëm në zyrën e Mëkëmbësit. I kishin vënë roje Jacomonit. Por Parini nuk e kuptoi fare se ç’do të thoshte Bashkim për Jacomonin, sipas modeleve të mëdha të bashkimeve personale. Natyrisht organizimi i partisë fashiste shqiptare u bë mbi modelin italian, pa asnjë rezultat të dukshëm.
Por nuk ishte vetëm partia ajo që nuk funksionoi, apo që funksionoi si shëmbëlltyrë e organeve korrespondente italiane. Autonomia shqiptare në të vërtetë nuk ekzistoi më: organet e shtetit italian bënin ligje në vend të organeve përkatëse shqiptare dhe brenda pak javësh administrata shtetërore shqiptare u shkatërrua, ndërsa ushtria dhe diplomacia u absorbuan nga ato italiane. Absorbimi i trupit diplomatik nuk qe i vështirë pasi ishin pak vetë e mëse të kënaqur që po kalonin në rolet korrespondente italiane. U krijua një organikë tranzicioni , “organika Shqipëria” nga e cila përfituan menjëherë disa italianë rezidentë prej kohësh në Shqipëri, me apo pa merita, për t’i hyrë tinëzisht karrierës. Episodi më i rëndë kishte të bënte me absorbimin e xhandarmërisë nga arma e karabinierëve, pasi këta të fundit ishin të pakënaqur nga fakti që kuadrot e mbijetuar të xhandarmërisë shqiptare vishnin uniforma e stoliseshin me grada që nuk zakonisht nuk merreshin edhe aq lehtë. E njëjta gjë edhe me ushtrinë. Rrugëdalja u gjet me zëvendësimin e yjeve italiane me përkrenaren e Skënderbeut në uniformat e shqiptarëve.
Nuk kaluan as dy vjet dhe qeveria e Romës ktheu mendim: shqiptarët, të përfshirë në një luftë që nuk e kërkuan vetë, nuk kënaqen më me para dhe karrierë por kërkojnë dhe arrijnë shthurjen e partisë fashiste shqiptare, heqjen e departamentit për Shqipërinë dhe ringritjen e ushtrisë.
Në fillimet e vitit 1942 lufta kishte marrë tashmë karakter botëror dhe Aksit nuk po i shkonin punët edhe aq mirë. Më 9 janar 1942 Ciano botoi në Giornale d’Italia një shkrim mbi Shqipërinë plot lavde për parimin e kombësisë: “Po të mos mbahen parasysh organikat komplekse të kombësive të ndryshme anulojmë forcat pozitive. Në të kundërt do të ishte njësoj sikur një bujk t’i priste rrënjët pemës me besimin se në këtë mënyrë do t’i forconte trungun dhe degët”.
Që në ditët e para disa shqiptarë të shquar kishin shprehur dëshirën për të pasur Cianon si regjent, të tjerë i kishin ofruar madje edhe kurorën: “Cianos iu bë shumë qejfi – tregon Ernest Koliqi, që i bëri ofertën – ndoshta e përkëdheli idenë të niste pikërisht në Tiranë dinastinë e tij”. Natyrisht kjo gjë nuk pati vazhdimësi, por edhe pse në Tiranë nuk qe mbret, Ciano u soll si i tillë: në Romë thuhej shpesh Grandukati i Toskanës për të thënë Shqipëri, dhe kreu i policisë Bocchini u ndaloi “në mënyrë absolute e të prerë”funksionarëve të tij të merreshin, në cilëndo mënyrë, me çështje që kishin të bënin me të sepse: “Shqipëria është çifligu i Cianos e unë nuk dua aspak të kem probleme me të”. Ministri i Italisë në Greqi, Grazzi, kujton që Ciano “bënte shpesh vizita në Shqipëri, i pritur nga zyra e Mëkëmbësit si sovran; atje ngriti e mobiloi, me paratë e nxjerra nga arkat e shtetit, rezerva luksoze gjahu”.
Deri edhe qytetit të Sarandës iu ndërrua emri i tij i lashtë me “Porto Edda”.
Shuma të jashtëzakonshme u shpenzuan më kot për ndjekjen e një politike prestigjioze, siç i shkonte për shtat Cianos. Shihet në telegramin drejtuar Jacomonit më 3 shkurt 1940, me të cilin pretendon bonifikimin e disa terreneve kënetore kur toka pjellore liheshin djerrë:
Për vënien në funksionim të “Italba-s” dhe fillimin e bonifikimit bujqësor të Shqipërisë, të domosdoshëm edhe për qëllime politike që nuk mund t’ju shpëtojnë, është e nevojshme të vihet në dispozicion të vetë “Italba-s” një sasi e përshtatshme tokash. E meqë rezulton se në Shqipëri ekziston mundësia e gjetjes së këtyre tokave, që do të paguhen në mënyrë të drejtë, ju lutem të viheni menjëherë në punë për individualizimin e tokave të djerra që mund të shërbejnë për këtë qëllim dhe të m’i tregoni për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje që ka karakter urgjent. Më mbani në dijeni.
Do të mjaftonte shumë më pak se ky telegram për të lindur me të drejtë dyshimi për gjëra të paligjshme, mashtrime, ryshfete. Por për të gjitha këto nuk kam gjetur prova (ashtu si nuk gjetën as agjentët gjermanë, siç do të shohim më poshtë), dhe është vështirë të ngresh akuza kundër Cianos. Duhet konsideruar që në qendër të interesave të Cianos është pushteti dhe fakti që ai është i pasur nga familja. Por është i vërtetë edhe fakti që ai ishte veçanërisht i ndjeshëm ndaj kërkesave të favoreve që i bënin miqtë. Nafta shqiptare – për të cilën ndoshta ka qenë në mënyrë të tërthortë i interesuar, si aksionar i shoqërive ANIC dhe AGIP, – ishte sulfurore, pra për të nevojitej rafinim i kushtueshëm, ndaj nuk ishte punë me leverdi. Për më tepër u nxor shumë pak.
E gjithë politika e Cianos në Shqipëri, para e pas 7 prillit 1939, duket se ndikohet nga një kujtim shkollor i Risorxhimentos: dëshira për t’i aneksuar territore atdheut dhe përshtatja e statusit shoqëror e politik të qytetarëve të rinj janë shenjat më të dukshme të këtij ndikimi.
Itali nuk pati asnjë përfitim nga pushtimi i Shqipërisë, por nga ana tjetër, Shqipëria pati disa avantazhe, pasi brenda pak vjetëve pati një zhvillim të ndjeshëm edhe pse të rrëmujshëm.