Probleme të panumërta janë krijuar ditët e fundit nga kompania ajrore ItAli-Star Airways qoftë në Rinas qoftë në aeroporte italiane. Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku, deklaron se vendosi t’i heqëq kompanisë të drejtën e operimit në territorin shqiptar
Romë, 6 shtator 2010 – Nuk kanë të sosur problemet e shqiptarëve që shkojnë e kthehen nga pushimet. Tragetet nisen rregullisht me vonesë e ofrojnë kushte udhëtimi vërtet të vështira. Por edhe kush zgjedh avionin si mjet më të shpejtë udhëtimi, jo gjithnjë ka një fluturim të kënaqshëm: mes vonesash disaorëshe apo mos-nisje të avionëve me qindra shqiptarë kanë mbetur aeroporteve në pritje të ndonjë informacioni mbi udhëtimin e tyre.
Veçanërisht problematike kanë qenë këtë verë udhëtimet me linjën më të re ajrore që operon në Shqipëri, Star Airways që mbështetet te kompania italiane ItAli. Ditët e fundit kjo kompani ka lënë në tokë qindra pasagjerë pa u ofruar asnjë lloj shpjegimi, qoftë për nisjen e mundshme qoftë për rimbursimin e dëmshpërblimin e personave që prisnin të udhëtonin. Aq sa të dielën më 5 shtator, Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku ka deklaruar për mediat që Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civili Shqiptar, Ervin Mazniku deklaroi të dielën për mediat se “kompanisë ItAli do t’i hiqet licenca e operimit në Shqipëri si përgjegjësja kryesore e kaosit të krijuar veçanërisht fundjavën e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, për udhëtimet e “Star Awirays”. Në kushtet e jashtëzakonëshme të krijuara nga kjo kompani, jemi detyruar të ndërmarrim vendimin për heqjen e së drejtës së operimit për kompaninë “ItAli”, ka përfunduar Mazniku.
Pasagjerët në Rinas kanë kaluar edhe dy net rresht në aeroport dhe askush nuk u ka dhënë një zgjidhje. Mazniku ka deklaruar se strukturat e aviacionit civil u vunë në kontakte të vazhdueshëm me Entin Kombëtar të Aviaconit Civil Italian ENAC dhe Ambasadën italiane në Shqipëri për zgjidhjen e kësaj situate, por problemi mbetet ende i pazgjidhur. Në faqet e veta internet, aeroporti i Rinasit njofton thatë që “fluturimet ItAli airlines / Star Airways janë pezulluar. Pasagjerët janë të ftuar të kontaktojnë agjencitë e veta të udhëtimit”. Por në shumicën e rasteve, “agjencia e udhëtimit” është vetë Star Airways që i ka shitur biletat drejtpërdrejt on-line në starairways.it. Prej tri ditësh Star Airways është zhdukur pa lënë gjurmë: e kotë çdo përpjekje për të marrë prej saj ndonjë informacion. Në numrat e telefonit të vëna në dispozicion nga kompania nuk përgjigjet askush, ndërsa në sitin e saj internet nuk bëhet asnjë komunikim. Madje po të kërkosh të prenotosh një udhëtim, pasi vë të gjitha të dhënat për datën e vendin e nisjes të jepet vetëm një mesazh i thatë, pa asnjë sqarim: “Na vjen keq, por nuk u gjet asnjë udhëtim për këtë datë”.
Të njëjtat probleme me ata që prisnin të niseshin nga Rinasi, kanë pasur edhe ata që donin të niseshin nga aeroporte italiane drejt Shqipërisë. Të shtunën në redaksinë e Botës Shqiptare telefonon Prokop B. që shpjegon rastin e tij: “Çova gruan në aeroportin e Pizës dje (të premten, më 3 shtator). Do të nisej për Shqipëri me Star Airways rreth orës tre pasdite. Sapo arritëm lajmëruan një vonesë prej gjysmë ore, dhe meqë më duhej të paraqitesha në punë u detyrova ta lë aty, të sigurt që do të nisej me pak vonesë. Por në të vërtetë pa u thënë as pse e as kur, gruaja mbeti në aeroportin e Pizës, bashkë me nja 20 pasagjerë të tjerë deri në darkë. Askush nuk u thoshte ç’do të bëhej me ta, nëse do të niseshin apo do të rimbursoheshin. Në aeroport u thoshin të kontaktonin kompaninë, të flisje me dikë të kompanisë ishte e pamundur: në të gjithë numrat përgjigjej “zonjusha” e sekretarisë telefonike. Praktikisht në 1 të darkës u detyrova të shkoj sërish në Pizë, të marr gruan e ta sjell në shtëpi. Meqë duhet të shkonte patjetër në Shqipëri, sot në mëngjes herët premë një tjetër biletë, dhe shoqërova sërish gruan në aeroportin e Pizës. Këtë herë prita sa u nis… Askush deri tani nuk na ka thënë ç’do të bëhet me biletën që kemi në dorë, a do të na dëmshpërblejë njeri për kohën e humbur gjithë ditën e premte, për mundimin e time shoqeje që ishte edhe e sëmurë, për rrugën deri në Pizë që e bëmë tri herë (e nuk jetojmë as në Pizë por në provincën e Pistoiës). Si është e mundur që një kompani ajrore të lërë pasagjerët e vet në mëshirë të fatit e askush të mos të u thotë se si qëndron puna?”.
Nuk është hera e parë që një avion – për arsye të ndryshme – nuk niset, madje me ligj parashikohet edhe dëmshpërblimi që u përket pasagjerëve, jo vetëm në para, por edhe me ofrimin e fjetjes apo të ushqimit. Por është e papranueshme mungesa totale të informacionit, lënia për orë të tëra në aeroport e njerëzve pa u dhënë asnjë shpjegim mbi fluturimin të cilin e kanë paguar, dhe jo pak.
Keti Biçoku
Lexo edhe: Peripecitë e udhëtimeve me tragete