Emigrantët shqiptarë sot në botë, të përqendruar kryesisht në Itali e Greqi, përbëjnë rreth 27,5 % të popullsisë së përgjithshme dhe 35% të popullsisë aktive. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2009 janë regjistruar 64.625 raste kthimi. Integrimi i shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe është në qendër të Strategjisë kombëtare pesëvjeçare “Riintegrimi i shtetasve shqiptarë të kthyer në vend”, që sapo ka nisur të zbatohet
Tiranë, 7 shtator 2010 – Sipas autoriteteve shqiptare, emigrantët shqiptarë sot në botë përbëjnë rreth 27,5 % të popullsisë së përgjithshme dhe 35% të popullsisë aktive. Greqia dhe Italia janë identifikuar si vende parësore të destinacionit, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.
Përgjatë viteve, migracioni i kthimit ka lindur si një tjetër dukuri brenda migracionit shqiptar për arsye të ndryshme që lidhen me arsyet e emigracionit, me situatën e personit që ka emigruar apo kontekstin familjar. Këta faktorë shpesh konsiderohen se ndikojnë tek kthimi vullnetar. Nga ana tjetër, përvojat e kthimit mund të lindin nga përvoja negative e migracionit si dështimi në marrjen e statusit të rregullt në vendet e destinacionit, kthimi i detyruar si pasojë e qëndrimit të paligjshëm në vendet e destinacionit, sipas përcaktimeve në marrëveshjet e ripranimit apo praktikave të tjera të kthimit në vendin e origjinës.
Në përgjithësi emigrantët shqiptarë me status të parregullt në BE, veçanërisht ata që jetojnë në Itali dhe në Greqi, kanë qenë më të ekspozuar ndaj kthimit të detyruar sesa emigrantët me status të rregullt të kthyer vullnetarisht.
Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2009 janë regjistruar 64.625 raste kthimi ose 47.239 shtetas shqiptarë të kthyer, prej të cilëve 38.412 janë raste të kapura në kufi ose në afërsi të kufirit dhe 26.213 raste të kapura në thellësi të territoreve te vendeve të origjinës.
Motivi i emigrimit në 99.99% të rasteve ka qenë për punësim. Pavarësisht formave të kthimit vullnetar apo të detyruar, të kthyerit mund të klasifikohen si investitorë të mundshëm, emigrantë të kualifikuar ose pa profesion pas kthimit.
Integrimi i shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe është në qendër të Strategjisë kombëtare pesëvjeçare “Riintegrimi i shtetasve shqiptarë të kthyer në vend”, që sapo ka nisur të zbatohet. Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, tha për ATSH-në se ky dokument ka në qendër të vëmendjes shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të Marrëveshjes së Ripranimit KE-Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe të ripranimit që Shqipëria ka nënshkruar me vende të tjera. Strategjia përcakton mekanizmat që vlejnë dhe adresojnë edhe shtetasit shqiptarë të kthyer vullnetarisht. Duke shpjeguar thelbin e këtij dokumenti, Sulka argumentoi se “politika që po ndiqet për shqiptarët e rikthyer ka qëllim sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për ta, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit”.
Mekanizmi i mbështetjes për riintegrim fillon të funksionojë me mbërritjen e të kthyerve në Shqipëri. Shqiptarët e kthyer përmes marrëveshjeve të ripranimit apo formave të tjera të kthimit të detyruar, i nënshtrohen procedurës së identifikimit dhe intervistimit në Pikën e Kalimit Kufitar nga Policia Kufitare dhe e Migracionit (PKM). Për shtetasit e kthyer vullnetarisht, të cilët jo detyrimisht e deklarojnë këtë fakt gjatë hyrjes në Shqipëri, informacioni mbi ekzistencën e Sporteleve të Migracionit sigurohet përmes mjeteve masive vizuale të informimit në çdo Pikë të Kalimit Kufitar (PKK), si billboard, postera, etj.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme do të sigurojë shpërndarjen e informacionit në mbështetje të riintegrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë për të bërë të mundur marrjen e informacionit përpara kthimit në Shqipëri të tyre.
Sipas zv/ministrit Sulka, parashikohet që informacioni paraprak mbi Sportelet e Migracionit dhe shërbimeve që ato ofrojnë t’u jepet shtetasve shqiptarë të kthyer pikërisht në momentin e intervistimit në Pikën e Kalimit të Kufirit. Strategjia e riintegrimit u njeh Sporteleve të Migracionit një rol shumë të rëndësishëm: ato do të kryejnë intervistimin e shtetasve dhe dhënien e informacionit për shërbimet publike dhe ato private, në përputhje me identifikimin e nevojave. Informacioni në mbështetje të riintegrimit pranë Sportelit të Migracionit ofrohet përmes materialeve informuese të përgatitura nga institucionet përgjegjëse, siç përcaktohen në Planin e Veprimit të kësaj Strategjie. Këto materiale, sipas Sulkës, do të japin informacion si të hapësh një biznes në Shqipëri, ku të investosh në Shqipëri, për programet mbështetëse për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Shqipëri, informacion për përkrahjen sociale, për skemat e sigurimeve shoqërore, mbi aksesin në sistemin shëndetësor, skemat e sigurimit shëndetësor, kushtet dhe kriteret e përfitimit, dokumentacioni dhe procedurat, etj. Ky informacion mund të merret edhe në faqet internet www.migrantinfo.gov.al.
Strategjia e re është konceptuar me dy faza zbatimi dhe shoqërohet me një plan veprimi që përbëhet nga 42 masa.