in

Qeveria Rama merr votëbesimin, betohet e bën mbledhjen e saj të parë

Rreth tre muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit, më në fund të majtët marrin në dorë qeverisjen e vendit. Kuvendi i Shqipërisë, pas një debati maratonë ka miratuar sot me 82 vota pro, 55 vota kundër dhe 1 abstenim programin dhe qeverinë e re. 

Në seancën e votimit të qeverisë mungonin 3 deputetë. Deputeti Sali Berisha i Partisë Demokratike, deputeti Vasil Bici, i qarkut të Lezhës, i cili ka lënë mandatin e PD-së dhe deputeti Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Gjatë seancës së sotme, përpara votimit për qeverinë dhe programin e saj, kanë diskutuar krerët e grupeve parlamentare në kuvend, Ilir Meta kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar për PD-në dhe Gramoz Ruçi,  kreu i grupit parlamentar për PS-në. Kurse në fund fjalën përfundimtare e ka mbajtur kryeministri i ri, Edi Rama.

Kryeministri deklaroi se Aleanca për Shqipërinë Evropiane është votuar për të rilindur Shqipërinë dhe se ka përgjegjësinë historike të përmbushë aspiratat për integrim të shqiptarëve.

Referuar akuzuave të opozitës se, programi nuk përmban shifra, Rama bëri krahasime të programit që qeverisë së tij me atë të qeverive të 8 viteve të kaluara. “Shumica e re nuk është qeverisja e socializmit të vjetër e as refrektare ndaj ideve të tregut. Përkundrazi, është e lindur për t’i dhënë zgjidhje problemeve të vjetra”, theksoi Rama në mbështetje të programit politik. Në vijim, kreu i ri i ekzekutivit, përsëriti angazhimet e qeverisë se, “duhet t’i japim fund kalvarit 20-vjeçar të pronës, pronarëve, fermerëve e bujqve, të ardhurve që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në zonat informale dhe kalvarit të pronës publike, për Shqipërinë Evropiane, që as mund të imagjinohet, e jo të konceptohet, pa kaluar nga zgjidhja e çështjes së pronës dhe pa kaluar nga marrja e kontrollit të shtetit mbi territorin e këtij vendi që është shesh, ku gjithkush bën një përshesh”. Duke përmbyllur diskutimet në seancë plenare mbi programin qeverisës 2013-2017, Rama akuzoi opozitën se “është preh e paaftësisë për të bashkëjetuar me mazhorancën, të cilën e shikon si armik që duhet asgjësuar.”

Referuar komenteve të ndryshme mbi vizitën e tij në Kosovë, Rama vuri në dukje se kurrë më, ai apo ministrat, nuk do të shajnë opozitën në konferenca shtypi përkrah homologëve të huaj dhe se nga Tirana zyrtare, nuk do të hapen valë përçarëse dritëshkurtra në rajon”. Gjithashtu ai siguroi se Ibrahim Rugovës i adhuron veprën, për të cilën përulet para varrit të tij, sa herë shkon në Prishtinë.

Në fund, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, sipas rregullores, lexoi para deputetëve projektvendimin përkatës:

“Në mbështetje të neneve 96, 97 dhe 92 e 78 të Kushtetutës, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Miratohet përbërja e Këshillit të Ministrave si më poshtë:

1 Edi Rama – kryeministër 
2. Niko Peleshi – zëvendëskryeministër 
3. Ditmir Bushati – ministër i Punëve të Jashtme
4. Mimi Kodheli – ministre e Mbrojtjes
5. Sajmir Tahiri – ministër i Punëve të Brendshme
6. Klajda Gjosha – ministre e Integrimit Europian
7. Shkëlqim Cani – ministër i Financave
8. Edmond Haxhinasto – ministër i Transportit dhe Infrastrukturës  
9. Eglantina Gjermeni -ministre e Turizmit
10. Arben Ahmetaj – ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Siipërmarrjes
11. Lindita Nikolla ministre e Arsimit dhe Sportit
12. Nasip Naço – ministër i Drejtësisë
13. Mirela Kumbaro – ministre e Kulturës
14. Erion Veliaj – ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
15. Damian Gjiknuri – ministër i Energjisë dhe Industrisë
16. Edmond Panariti – ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave
17. Ilir Beqaj – ministër i Shëndetësisë
18. Lefter Koka – ministër i Mjedisit
19. Milena Harito – ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
20. Blendi Çuçi – ministër Shteti për Çështjet Vendore
21. Ilirjan Celibashi – ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin

Njëzetenjë anëtarët e kabinetit të ri qeveritar u betuan para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në orën 18:00.

Më pas, të gjithë u kthyen në këmbë në kryeministri ku Rama mbajti një fjalim të shkurtër. 

Para godinës së qeverisë drejtuar qytetarëve të pranishëm, kryeministri përsëriti mirënjohjen “për 1 milion shqiptarët, që më 23 qershor votuan koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Por, shtoi ai, “respekt po njësoj, për të gjithë ata që më 23 qershor nuk e votuan “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. “Qeveria e re, që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe ajo do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar e jo për të ndarë dhe ne do të bashkojmë e nuk do të ndajmë. Ne jemi zgjedhur për të shërbyer e jo për të rrëmbyer dhe do të shërbejmë e do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit”, u shpreh Rama. Së fundi ai theksoi se Rilindja që duam nuk mund të vijë brenda natës. “Për Rilindjen ne kemi nevojë për të gjithë, ndaj ne do të qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit. Këtu mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon koha e punëve në qeveri. Puna e opozitës është fjala dhe fjala e qeverisë është puna”, tha ai.

Pas fjalës së shkurtër Rama e ministriat e tij u futën në selinë e Kryeministirsë e zhvilluan mbledhjen zyrtare të parë të kabinetit.

Shkarko: Programi i Qeverisë 2013-2017 i Aleancës për Shqipërinë Evropiane

Ndërrohen qeveritë, përtërihet menjëherë web-site i Këshillit të Ministrave

Vendimet e para të qeverisë: portreti i Ismail Qemalit në cerimonial, kodi etik dhe ndalimi i importit të plehrave