in

Luftë varfërisë. Në planin e qeverisë ndihma edhe imigrantëve

Mbështetje për Përfshirjen Aktive ofron kontribute ekonomike të kushtëzuara nga “një periudhë minimale rezidence në Itali”. Brunetta (PdL): “Masë e gabuar, kështu do të vijnë më shumë klandestinë”.

Romë, 19 shtator 2013 – Quhet “Sostegno per l’Inclusione Attiva (SIA)”, në gjjuhën shqipe “Mbështetje për Përfshirjen Aktive”, instrumenti që Qeveria dëshiron të përdorë për të luftuar varfërinë në Itali, edhe mes imigrantëve”.

E kanë paraqitur në Romë, më 18 shtator, ministri i Punës dhe i Politikave shoqërore Enrico Giovannini dhe zëvendës ministrja Cecilia Guerra. “Nuk mund të vazhdojmë kështu, kriza nuk është si të tjerat e nuk do të jetë e fundit, duhet të përgatitemi” ka shpjeguar ministri, duke deklaruar se “propozimi nuk është menjëherë veprues, por se do të shtrohet për debatin publik dhe parlamentar”.

SIA është kontribut ekonomik që duhet të lejojë blerjen e një shporte mallrash dhe shërbimesh e konsideruar “e denjë” mbi bazën e stileve mbizotëruese të jetesës. Do t’u jepet vetëm të varfërve dhe teorikisht duhet të plotësojë hendekun mes burimeve të tyre ekonomike (të dëshmuar nga ISEE) dhe nivelit nën të cilin, sipas ligjit, je në varfëri.

Nuk mjafton të jesh i varfër për të marrë kontributin SIA. Ndihma ekonomike do të varet edhe nga angazhimi, nga anë e përfituesve, të arrijnë “objektiva konkretë përfshirjeje shoqërore dhe në tregun e punës”.

Si? Për shembull, duke marrë pjesë në kurse formimi dhe rikualifikimi profesional, apo duke u angazhuar për të detyruar bijtë të ndjekin shkollën. “Është fjala t’u lejojmë e kërkojmë përfituesve sjellje të pritshme nga çdo qytetar i ndershëm” lexohet në raportin e task force të ekspertëve të drejtuar nga Cecilia Guerra që ka përpiluar në linja të përgjithshme Mbështetjen e Përfshirjes Shoqërore.

SIA, që do t’i kushtojë shtetit 7 miliardë në vit, do të paguhet nga INPS, ndoshta në formën e një karte debiti. Do t’u takojë komunave të administrojnë të gjithë mekanizmin, duke marrë në ngarkim të varfërit e duke çelur rrugëtime “aktivizimi shoqëror” në bashkëpunim me qendrat për punësimin, shkolla, Asl, administrata të tjera, shoqata apo privatë.

Mes përfituesve duhet të jenë edhe imigrantët, të goditur nga kriza ekonomike në të njëjtën mënyrë si italianët, në mos më rëndë. “Përfitimi i mbështetjes SIA do të kushtëzohet një periudhë minimale e rezidencës në Itali, jo më shumë se dy vjet. Në fazën e parë tranzitore mundësia e përfitimit të SIA-s do të ketë kritere më të shtrënguara, ato të parashikuara si standarde minimale nga normat europiane”, me fjalë të tjera fillimisht mund të kërkohet që të huajt të kenë kartën e qëndrimit.

Ofrimi i kësaj mbështetjeje edhe të huajve nuk i pëlqen Renato Brunettës, kryetar i grupit të PdL-es në Dhomën e Deputetëve.

“Ideja e vënies në dispozicion e më shumë burimeve për të luftuar varfërinë është gjë e mirë dhe e drejtë. Mund të kthehet në një masë të gabuar nëse ajo u ofrohet edhe imigrantëve. Nuk jemi kundër të drejtave – përfundon Brunetta – por këto lëshime të mëtejshme veprojnë si magnet, duke tërhequr në Itali flukse më të mëdha klandestinësh”.

Elvio Pasca

 

Kodi etik ministror. Ja si duhet të sillen ministrat e qeverisë Rama

Sequi e Arvizu: Yes you can!