in

Rama në OKB: “Sfida ime të sjell ndryshimin, të ndërtoj rilindjen”

Në fjalën e tij të mbajtur të shtunën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri u ndal në imazhin e vendit në botë dhe integrimin në BE, në marrëdhëniet rajonale e veçanërisht ato Kosovë-Serbi, situatën në Siri

Tiranë, 29 shtator 2013 – Kryeministri Edi Rama, mbajti të shtunën një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në sesionin e 68–të të saj, në New York. Kryeministri u ndal në imazhin e vendit në botë dhe integrimin në BE, në marrëdhëniet rajonale e veçanërisht ato Kosovë-Serbi, situatën në Siri etj.

Shqipëria nuk është fuqi e madhe, është vend i vogël, por me potenciale të jashtëzakonshme. Ka bukuri të spikatura natyrore, njerëz të mirë e mjaft punëtorë. Sfida që kam është të sjell ndryshimin, në mënyrë që ky potencial të mund të përmbushet. Do të duhet kohë. Do të duhen mjaft përpjekje e këmbëngulje e madhe. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Kemi rrugë të gjatë për të bërë, por mund ta bëjmë”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi aspiratën e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.”Përtej çdo dyshimi, OKB-ja është një prej Organizmave Botërorë më të rëndësishëm. Ne u bëmë anëtarë të saj në gjysmë të shekullit të kaluar. Megjithatë, ky nuk është i vetmi. Për ne, Bashkimi Evropian, që përfaqëson projektin më të rëndësishëm politik që bota ka njohur deri më tash, është një tjetër organizëm i tillë. Ne aspirojmë të anëtarësohemi aty”, tha Rama. “Nëse Bashkimi Evropian e ka kthyer vëmendjen drejt rajonit tonë, veçanërisht, për shkak të konflikteve të së shkuarës, – ka shtuar Rama – ne, të gjithë së bashku, shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas dhe të tërë popujt e rajonit duhet t’i mbajmë sytë e mendjen te BE-ja për projektet që lidhen me zhvillimin tonë e që na çojnë drejt një të ardhmeje më të mirë e më të begatë”.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet e bashkëpunimit rajonal, kryeministri theksoi se duhet krijuar një moment i ri bashkëpunimi, duke kombinuar me efektivitet objektivat e Strategjisë 2020 për Evropën Juglindore me projektet e Agjendës “Evropa 2020”. “Vizioni im për Shqipërinë është, gjithashtu, vizioni i Ballkanit që punon së bashku, duke sfiduar historinë tonë mbushur me aq luftë e konflikte, – ka nënvizuar – edhe pse, le ta themi me zë të lartë e krenarë po ashtu, se këto, tashmë, janë luftëra e konflikte të së shkuarës”.

“Dua të ndaj me ju bindjen se marrëveshja e shënuar midis Kosovës dhe Serbisë i dha fill një periudhe të re në rajonin e Evropës Juglindore. Dialogu mes tyre, një akt guximi e pjekurie e treguar nga Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin mjaft të vlerësuar të Bashkimit Evropian, vendos përballë sfidave secilin vend të rajonit që të mobilizohet në përpjekje për forma të reja e novatore bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. E vërteta mbizotëruese është se Kryeministrat Thaçi e Daçiç iu kanë dalë për zot përgjegjësive të tyre drejtuese për t’i çuar vendet e veta drejt së ardhmes që meritojnë”. Kryeministri Rama theksoi me tej se, “Shqipëria është e përkushtuar për paqe e begati në rajon. Kjo është arsyeja përse ne jemi të angazhuar ndaj pavarësisë së pakthyeshme të Kosovës, e njohur tashmë nga 104 shtete anëtare të OKB-së dhe arsyeja përse Shqipëria u bën thirrje të gjitha atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

“Nuk kam asnjë dyshim se, nëse ne, çdonjëri prej vendeve të rajonit, e zëvendësojmë politikën e ndasisë me politikën e bashkëpunimit, nëse ndërtojmë vlera, bindje dhe politika të përbashkëta, në vend që të kacavirremi pas armiqësive të lashta, mund të dëshmojmë sa shumë kemi ndryshuar e të tregojmë sa shpejt mundemi t’i bëjmë ndryshimet që duhen, për të zënë vendin tonë përkrah kombeve të tjera moderne evropiane, theksoi Rama.

Sa i takon çështjes së Sirisë, Kryeministri Rama tha mes të tjerash: “Përdorimi, së fundi, i armëve kimike në shkallë të gjerë është një krim i neveritshëm, krim kundër njerëzimit, që nuk mundet e nuk duhet assesi të mbetet i pandëshkuar. Këshilli i Sigurimit, më në fund, miratoi dje një Rezolutë për largimin dhe shkatërrimin e armëve kimike në Siri, të cilën ne e mirëpresim. Tashmë, ajo duhet të ndiqet nga një zbatim i shpejtë dhe i plotë”.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri i është kthyer sërish sfidave shqiptare, për realizimin e të cilave nuk ka ngurruar të kërkojë kontributin e të gjithë partnerëve e miqve të Shqipërisë: “Ne kemi nevojë  për mbështetje; kemi nevojë që të kemi përkrah nesh partnerë e miq që kanë vullnetin të jenë pjesë e rrugëtimit tonë drejt ndryshimit. Rilindja nënkupton një Shqipëri të re. Ndërtimi i kësaj Rilindjeje është sfida me të cilën përballem. Do të duhet kohë. Do të duhet këmbëngulje. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Do të duhet, gjithashtu, udhëheqje, për të cilën jam i përkushtuar.  Por e di dhe e besoj, mund të bëhet”.

Fjalimin e plotë të kryeministrit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e gjeni në faqet internet të Këshillit të Ministrave
OKB, Rama: Ndërtimi Rilindjes, sfida ime. Njihni pavarësinë e Kosovës

 

Rama emigrantëve në ShBA: “Me ju Shqipëria mund të bëjë atë që secili prej jush ka bërë individualisht”

Greqi. Shpartallohet Agimi i Artë, arrestohen krerët