in

Tragjedi e re në kanalin e Sicilias. Përmbyset barka e mbyten mbi pesëdhjetë vetë

Barka me rreth 250 migrantë në bord shkon në fund të detit. Arrihet të shpëtohen 221 vetë, rikuperohen 34 trupa të pajetë e kërkohen edhe 20 të tjerë. Mes viktimave edhe gra e fëmijë

Operacionet e para të shpëtimit
Romë, 12 tetor 2013 – Ndërsa akoma nuk janë varrosur, madje vazhdon rikuperimi i viktimave të tragjedisë së javës së shkuar pranë Lampedusës, duke çuar në 339 numrin e të vdekurve, një ngjarje e re ka tronditur mbrëmjen e të premtes  Italinë. Një barkë me rreth 250 persona në bord është përmbysur e ka shkuar në fund  të detit. Ka ndodhur në det të hapur, rreth 70 milje larg Maltës dhe 60 milje nga Lampedusa. Bilanci është sërish i rëndë: mbi 50 të mbytur e mes tyre edhe gra e fëmijë.

Një avion maltez ka qenë ai që ka dhënë i pari alarmin kur rreth orës 17.15 ka dalluar barkën në vështirësi për shkak se . Në vendngjarje kanë shkuar, veç një anijeje ushtarake malteze, e para që ka nisur operacionet e shpëtimit rreth orës 17.50,  edhe anijet Libra dhe Espero të marinës ushtarake italiane, një helikopter dhe dy motovedeta të Guardia di Finanza dhe disa të tjera të Rojes Bregdetare italiane.

Marina ushtarake ka referuar menjëherë se në det kishte shumë trupa të pajetë. Janë rikuperuar deri tani 34 të mbytur por rezultojnë të zhdukur edhe njëzet të tjerë. Mes të mbyturve ka edhe gra e dhjetë fëmijë. Migrantët e shpëtuar janë 221. Anija malteze ka marrë në bord 150, ndër këta 17 fëmijë, 56 të tjerë (9 fëmijë) janë shpëtuar nga një anije ushtarake italiane e 15 të tjerë nga një anije peshkimi që gjendej në zonë e ka marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.

Nuk kanë të ndalur udhëtimet e shpresës. Në orët e fundit, veç kësaj barke të mbytur, në kanalin e Sicilisë janë ndihmuar për të sjellë në breg edhe 500 persona në barka të tjera në vështirësi.

Këtë radhë Evropa ka reaguar brenda pak orësh. Tragjedia e re dëshmon se është gjithnjë e më urgjente nisja e një operacioni Frontex për shpëtimin dhe kërkimet në Mesdhe, nga Qipro në Spanjë. Pa akte konkrete, shprehjet e solidaritetit mbeten fjalë boshe” ka thënë mbrëmjen e të premtes komisarja BE për Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstrom, që dy ditë më parë kishte qenë në Lampedusa bashkë me Barroson e Lettan.

“Kjo tragjedi është konfirmimi tragjik i një situate emergjence dhe e nevojës për të vepruar në nivel evropian” është shprehur kryeministri italian Enrico Letta. Nga pallati Chigi, njoftojnë se qeveria është e vendosur të kërkojë me forcë mbështetje evropiane për përballimin e kësaj situate që nuk është vetëm italiane apo malteze por para të gjithash evropiane. Letta ka kontaktuar në mbrëmje edhe kryetarin e Këshillit evropian von Rompuy. Këtë radhë ka edhe mbështetjen e kreut të qeverisë së Maltës, me të cilën orët e fundit është bashkëpunuar ngushtë, qoftë në operacionet e shpëtimit qoftë në pritjen e të mbijetuarve.

Redaksia Shqiptari i Italisë

Nuovo naufragio nel canale di Sicilia. Due cento persone in salvo, decine le vittime

Behrami: “Fiero di portare la Svizzera ai mondiali”