in

Shqiptarët e Astit në ndihmë të familjes Hasku që humbi djalin 7 vjeç

 AssoAlbania Piemonte ka ftuar shqiptarët e zonës të ndihmojnë ekonomikisht prindërit për varrimin e djalit. Për dy-tre ditë mbledhin mbi 3 mijë euro

Vdekja aksidentale e vogëlushit 7-vjeçar Aleks Hasko, bir i një çifti nga Elbasani, prej vitesh rezident në Itali, ka tronditur thellësisht të gjithë komunitetin shqiptar të qytetit të Astit në Piemonte. Vogëlushi ka rënë nga dritarja e katit të tretë të shtëpisë të shtunën në darkë. Ishte lënë për pak minuta vetëm nga i ati, Altini, që kishte shkuar të merrte në punë të shoqen Suzanën. Kur janë kthyer në shtëpi mësuar lajmin e zi.

Prej dy ditësh shtëpia e çiftit shqptar, që kanë edhe në djalë të vogël, rreth 3 vjeçëve, është gjithnjë plot me të afërm e miq, të njohur e të panjohur, shqiptarë e italianë që duan t’u qëndrojnë sa më pranë e t’u shprehin ngushëllimet prindërve.

Duke qenë se Altini është murator, përkohësisht i papunë, ndërsa Suzana bashkëpunëtore familjare, gjendja e tyre ekonomike nuk është e mirë, ndaj shoqata “AssoAlbania Piemonte” ka menduar të mbledhë të holla mes anëtarëve e mbështetësve të saj për t’i ardhur konkretisht në ndihmë çiftit elbasanas. Sipas Hasan Bulçarit, anëtar i shoqatës, “kanë qenë të shumtë shqiptarët që kanë ofruar para për Altinin e Suzanën. Kishte nga ata që nuk i njihnin fare e megjithatë, thirrjes sonë u janë përgjigjur, kush me 20 e kush me 100 euro”.

Në dy tre ditë, AssoAlbania Piemonte ka arritur të mbledhë e t’i dorëzojë familjes mbi 3.000 euro. Një shumë të vogël po ua ofron edhe komuna e Astit.

Paratë e mbledhura, prindërit do t’i përdorin për varrimin e djalit që do të bëjnë në Asti, në një nga ditët e ardhshme, sapo të pajiset me pasaportë e të mbërrijë nga Elbasani një gjysh i Aleksit.

Shqiptari i Italisë

 

 

Sanatoria. Punëdhënësi i sëmurë, kush firmos kontratën e qëndrimit?

Parlamento europeo: “Basta stragi del mare”