Francesco Saluzzo: “Sanksione qesharake. Kam vendosur të lë mënjanë proceset gjyqësore për të mos shpërdoruar kohë e burime. Ka të tjera vepra penale që duhen ndjekur”
Romë, 28 tetor 2013 – “Kam vendosur të lë mënjanë proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me klandestinitetin. Është humbje kohe të përndjekësh fantazma nëpër Itali, duke angazhuar sistemin gjyqësor për një sanksion qesharak”.
Kështu është shprehur më 26 tetor Francesco Saluzzo, kreu i prokurorisë së Novarës, gjatë prezantimit të një raporti mbi imigracionin. “Klandestin nuk do të thotë keqbërës e italian nuk është sinonim i njeriut të mirë. Jemi përballë një situate dramatike që është e pamundur të zgjidhet. Kam bërë një zgjedhje për të cilën jam gati të përgjigjem nëse do të më kërkojnë llogari”.
“Kam vendosur – ka shpjeguar – të lë mënjanë proceset që kanë të bëjnë me nenin 6 të Tekstit unik për imigracionin (mosparaqitja e dokumenteve): është një lojë “mos u nxeh” në ndjekje të dikujt që ndoshta as nuk është më në Itali. Një sanksion qesharak kundrejt një procesi gjyqësor parashikohet edhe nga neni 10 bis mbi veprën penale të klandestinitetit. Kam vendosur të mos përdor burimet e zyrës që drejtoj për këto vepra penale”. “Mbi klandestinitetin nuk kam receta – e ka mbyllur prokurori në këtë aspekt – mjetet penale nuk nevojiten, ato administrative, si dëbimi, janë shumë të vështira për t’u vënë në jetë”.
Është një qëndrim në linjë me atë të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, sipas të cilit, “vepra penale e klandestinitetit është e kotë dhe e dëmshme”.
Por Saluzzo ka hedhur alarmin mbi vera të tjera penale që kanë si protagonistë shtetasit e huaj. “Vërejmë me shqetësim shumëfishimin e rasteve të dhunës në familje, në forma që arrijnë deri edhe në mbylljen në shtëpi të bashkëshorteve apo bijve që duan “të modernizohen”. Një rast i tillë është i ditëve të fundit: viktima ishte hequr nga shkolla prej dy vjetësh” ka treguar prokurori.
Në këto raste, ka komentuar, “nevojitet një lloj ‘parandalimi kulturor’. Duhet të detyrohen të kuptojnë se këtu qëndrime të tilla ndaj familjarëve janë të papranueshme”.