in

Rivënia e vizave. Rrezik konkret në rast abuzimesh me lëvizjen e lirë në Schengen

Këshilli Europian ka miratuar përfundimish “klauzolën mbrojtëse” që parashikon rivënien e regjimit të vizave në raste abuzimesh nga qytetarët e vendeve që gëzojnë lëvizjen e lirë (për periudha të shkurtra) në zonën Schengen. Masa do të merret nga Komisioni me kërkesë të një vendi anëtar, por vetëm për kohë të kufizuar e nëse nuk ekzistojnë mundësi të tjera për ndalimin e imigracionit të parregullt e të kërkesave të pabaza të strehimit

Bruksel, 5 dhjetor 2013 – Rreziku i rivënies së vizave është konkret. Bashkimi Europian mund t’ua kërkojë (vizën) qytetarëve të vendeve që sot qarkullojnë lirisht në Schengen. Vetëm në raste të jashtëzakonshme, me kërkesë të njërit prej vendeve anëtare dhe me miratimin e Komisionit.

Kështu ka vendosur këshilli i ministrave të Jashtëm të Evropës mëngjesin e të enjtes, 5 dhjetor, që ka miratuar një ndryshim të Rregullores së Këshillit 539/2001, duke futur në të “klauzolën mbrojtëse të mekanizmit të pezullimit”, që do të hyjë në fuqi njëzet ditë pas botimitnë Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Klauzola mbrojtëse është kërkuar disa prej vendeve anëtare që me heqjen e vizave për qëndrimet e shkurtra vendeve të Ballkanit perëndimor kanë konstatuar një rritje të imigracionit klandestin dhe të kërkesave të pabaza të azilit. Vendet që e kanë kërkuar janë Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika e Zvicra të cilat “ankohen” për abuzime nga anë e shqiptarëve, boshnjakëve (këta lëvizin pa vizë në Schengen nga 15 dhjetori 2010), serbëve, malazezëve dhe maqedonasve (që lëvizn pa vizë nga viti 2009).

Praktikisht “klauzola mbrojtëse” apo “mekanizmi i pezullimit” lejon “rifutjen e përkohshme të kërkesës për vizë në rrethana të veçanta për shtetasit e një vendi të tretë që normalisht mund të udhëtojnë në BE pa vizë” siç shpjegohet në komunikatën e Këshillit të BE-së. “Kur një shtet i BE-së ballafaqohet, për një periudhë gjashtë mujore, me një apo më shumë rrethana specifike që kanë të bëjnë me shtetasit e një vendi të tretë, raste që shkaktojnë një situatë emergjente të cilën nuk arrin të zgjidhë vetë, vendi anëtar mund të kërkojë që Komisioni të pezullojë për një periudhë të shkurtër kohore heqjen e vizave për shtetasit e atij vendi. Pezullimi mund të aplikohet vetëm “përkohësisht dhe si mjet i fundit”.
‘Rrethanat specifike’ konsistojnë në “një rritje të konsiderueshme dhe të papritur të numrit të migrantëve të parregullt, dhe të kërkesave të pabaza për azil apo të atyre që refuzohen”.
sidoqoftë do të jetë gjithnjë Komisioni Evropian ai që do të thotë fjalën e fundit, duke vlerësuar çdo situatë, pa asnjë lloj automatizmi mes kërkesave të shteteve anëtare për “mekanizmin e pezullimit” dhe aplikimit të tij. Nëse Komisioni vendos të ndërhyjë mund të adoptojë masën e rivendosjes së vizave për gjashtë muaj.

Rregullorja e ndryshuar do të jetë detyruese në tërësinë e saj dhe drejtpërdrejt e zbatueshme në shtetet anëtare. Vetëm Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk marrin pjesë në miratimin e saj, pasi ato nuk bëjnë pjesë në zonën Schengen.

Shqiptari i Italisë

Ndryshimet e Rregullores së Këshillit 539/2001 mbi vizat

Cuperlo. Nella sua rivoluzione della dignità anche integrazione e pluralismo

“Shqipëria Ime” feston Pavarësinë në Varese