Qeveria ka vënë në dispozicion 17.850 kuota, për të cilat nuk ka nevojë të nxitohet. Gjithçka bëhet përpara kompjuterit, ja formularët sipas llojeve të kërkesave
Romë, 19 dhjetor 2013 – Nga ora 09.00 e 20 dhjetorit mund të nisen kërkesat për të marrë një kuotë të Flukseve 2013. Pritet të botohet sot në Gazetë zyrtare Dekreti i Flukseve që autorizon 5.600 ardhje punonjësish të huaj nga jashtë dhe 12.250 konvertime në leje qëndrimi për punë të lejeve të lëshuara për të tjera arsye.
Veçanërisht përsa u takon kuotave të konvertimeve, vështirë se mund të mbarojnë siç tregoi edhe ecuria e dekretit të fundit të flukeve 2012. Edhe pse nuk është e nevojshme të paraqitet kërkesa me ngut – mund të bëhet deri më 20 gusht 2014 – për siguri është mirë që të interesuarit të vihen në lëvizje sapo të jenë gati.
Thuajse të gjitha kërkesat, qoftë për hyrjet qoftë për konvertimet, paraqiten online, përmes faqeve internet të ministrisë së Brendshme http://nullaostalavoro.interno.it, personalisht apo me ndihmën e patronateve dhe të shoqatave të kategorisë.
Për t’u futur në sistem, është e nevojshme që i interesuari të regjistrohet, më pas të përpilojë formularin që zgjidhet sipas llojit të kërkesës:
Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;
Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari A për kërkesa autorizimesh për bashkëpunëtorë familjarë me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Formulari B për kërkesa autorizimesh për punë të varur për punonjës me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil.
Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve të futur në projekte speciale.
Kujdes: për hyrjet e punonjësve autonomë parashikohet një procedurë e veçantë, ndërsa nuk ka akoma udhëzime se si do të sillen 200 punonjësit për marrëdhënie pune në kuadrin e Expo 2015 të Milanos.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni ‘Shqiptari i Italisë’ edhe në Facebook dhe Twitter)