in

Suela dhe Erjoni. Shqiptarët e Italisë ngrenë flamurin kuqezi në Olimpiadat e Dimrit

Në Sochi të Rusisë, Shqipëria do të përfaqësohet me të rinjtë Erjon Tola dhe Suela Mëhilli. Të dy skiatorë të rritur e të stërvitur në veri të Italisë

Do të mbahen në Sochi të Rusisë, nga 7 deri më 23 shkurt, Lojërat XXII Olimpike Dimërore. Shqipëria do të përfaqësohet në to me dy skiatorë. Erjon Tolën dhe Suela Mëhillin, dy të rinj të ardhur në Itali që në moshë të vogël, këtu kanë vënë për herë të parë skitë në këmbë e janë dashuruar me to. Plot pasion janë ushtruar për vite me radhë në skuadrat italiane, por në garat ndërkombëtare kanë zgjedhur të veshin ngjyrat kuq e zi të vendlindjes.

Suela Mëhilli është 20 vjeçe e do të jetë e para shqiptare që do të marrë pjesë në lojërat olimpike dimërore. Do të garojë në Slalom dhe në Slalom gjigand.

Që kur ishte 3 vjeçe ka ardhur me familjen e saj në Prato Nevoso të Piemontes. Është dashuruar me skitë me shikim të parë e ka vazhduar me këmbëngulje karrierën e saj si skiatore edhe pse ka pasur dy aksidente të rënda gjatë stërvitjes që e kanë detyruar t’u qëndrojë larg pistave për dy vjet.

Prej shtatë vjetësh stërvitet me skuadrën e Mondolé Ski, me një objektiv të vetëm: të marrë pjesë denjësisht në Lojërat dimërore të Rusisë. Premisat i ka të gjitha t’ia dalë mbanë. Ka besim të plotë te ajo qoftë instruktori i saj Danilo Rubini, qoftë mjeshtri i skive Gianluca Oliva të cilët parashikojnë për vajzën shqiptare një të ardhme të ndritur në arenën ndërkombëtare të skive.

“Është kampione e thjeshtësisë. – thotë për të Rubini në mediat italiane – E më 7 shkurt do të shkojë në Rusi ku do të përfaqësojë jo vetëm atdheun e saj Shqipërinë, por edhe të gjithë ne të Prato Nevoso-s. Një përgjegjësi e madhe për këtë vajzë që është edhe mishërimi i integrimit të vërtetë”.

“Kur e sheh tek bën ski, kupton ç’do të thotë pasion e mjeshtëri e lindur e një atleti – thotë Oliva – Suela është rritur në pistat e skive të Prato Nevosos dhe është elementi më i mirë që do të na përfaqësojë olimpiadat e Rusisë, edhe pse jo me ngjyrat italiane por ato të Shqipërisë”.

“Për mua është nder shumë i madh që mund të përfaqësoj vendlindjen time e jam e lumtur që jam edhe gruaja e parë shqiptare  që merr pjesë në Olimpiadat dimërore. Por jam rritur në pistat e Prato Nevosos ndaj më duket e drejtë t’i jap meritat edhe Italisë. – thotë Suela për Shqiptariiitalise.com – Nga ana tjetër, pjesëmarrjen në Olimpiadë e shoh edhe si një aventurë të madhe. E kam ëndërruar gjithnjë, ndaj mundësinë që m’u dha do ta shfrytëzoj me optimizmin maksimal”.

Kopertina e Shqiptarit të Italisë, Mars 2006
Erjon Tolën, sot 27 vjeç, e njohim që në Olimpiadat Dimërore të Torinos në vitin 2006. Jeton në Cervinia të Valle d’Aosta që kur ishte 6 vjeç, aty ka mësuar të bëjë ski, por në olimpiadë përfaqësoi Shqipërinë dhe ishte i vetmi. Edhe pse u rendit ndër të fundit në garat ku mori pjesë, ishte gjithnjë i gëzuar dhe i qeshur. Dhe kishte plotësisht të drejtë: i dha flamurin e pjesëmarrjes për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore një kombi të tërë.

“E rëndësishme është pjesëmarrja – tha pas përvojës së Torinos Erjoni për Shqiptari i Italisë – e di që më ndan një hendek teknik i madh me kampionët, por nuk jam as 20 vjeç e do të përmirësohem. Tani për tani i gëzohem kësaj eksperience të mrekullueshme. Italia më dha shumë, më dha skitë, që në Shqipëri nuk do t’i kisha dot kurrë, por unë jam shqiptar e do të përfaqësoj gjithnjë Shqipërinë”.

Sot Erjoni është rritur në moshë e si atlet dhe shpresojmë të gjithë që këtë radhë të ketë rezultate më të mira. Do të garojë edhe këtë radhë në Slalom e Slalom Gjigand.

Erjoni dhe Suela janë të rinj shqiptarë për të cilët ndihen krenarë Shqipëria e veçanërisht shqiptarët e Italisë. Këto ditë Presidenti i Shqipërsë u dorëzoi flamurin që do të marrin në Sochi e nga të gjithë urimin që ta ngrenë atë sa më lart. Lojërat olimpike nisin më 7 shkurt, por garat që nuk duhen humbur janë ato të datave 18, 19, 21 dhe 22 shkurt kur në pistë zbresin edhe Suela Mëhilli dhe Erjon Tola.

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

I sinjalizon policisë një lokal ku luhet bixhoz. Jep emrin më të cilin e njohin në Itali, dënohet

Cittadinanza italiana. Caritas e Migrantes: “Legge anacronistica, serve lo ius soli”