in

Keiti Kondi, studentja shqiptare, ambasadore e Universitetit Bocconi në botë

Ajo e Keiti Kondit është historia e suksesit të një kërkimtareje shkencore që ka mbaruar universitetin më të njohur të shkencave ekonomike në Itali, Bocconi i Milanos, që sot punon në Qendrën kërkimore Dondena e ndjek një program masteri në Ekonomi, të formës double degree mes Universitetit Bocconi dhe Universitetin Katolik të Louvain në Belgjikë, që para pak kohësh ka botuar një punim shkencor në bashkëpunim me Universitetin amerikan të Princeton-it. Madje për rezultatet e shkëlqyera në studimet e saj është përzgjedhur nga stafi i universitetit Bocconi si Ambasadore e tij, që do të thotë se ajo përfaqëson universitetin e famshëm në evente dhe konferenca të ndryshme që mbahen në SHBA dhe Europë.

Sjellim këtu një pjesë të intervistës që Keiti Kondi ka dhënë për gazetën shqiptare Mapo:

Profili juaj i studimeve ishte një zgjedhje e lirë, apo e orientuar nga dikush ose diçka? Ku do të arrini nëpërmjet kësaj fushe? Mendoni të ktheheni në Shqipëri?

Degën e Ekonomisë me fokus kërkimin shkencor (research) e kam zgjedhur me dëshirën time, pasi kam qenë e prirur në shkencat ekzakte, por në të njëjtën kohë kisha interes të madh për problemet sociale dhe ekonomike. Përveç pasionit, mendova që sigurisht është një degë shumë fitimprurëse, kështu që mund të them se ishte një ndërthurje mes pasionit dhe logjikës. Jam natyrë racionale. Kam një formim shumë të mirë në matematikë, gjë e cila më ndihmoi shumë që të ecja mirë gjatë viteve të studimit.
Fokusi im janë ekonomia e zhvillimit dhe demografia, ndërsa kthimin në Shqipëri, përveç dëshirës ia lëmë kohës, pasi jam e përfshirë në projekte që duan shumë punë dhe mbi të gjitha jam e përkushtuar dhe i dua shumë…E më pas, pse jo?! Një ditë e mendoj kthimin në Shqipëri, me shpresën dhe dëshirën për të avancuar dhe më tej studimet mbi Shqipërinë apo rajonin, gjithashtu dhe nisjen e studimeve të reja.

Çfarë natyre ka masteri që po kryeni?

Aktualisht jam në fund të masterit. Është një master me fokus punën kërkimore (research) dhe parapërgatitjes për doktoraturë në Economi. Po bëhen rreth 2 vjet që punoj në Qendrën kërkimore Dondena në Milano, në të cilën jap kontributin tim në studimet ekonomike, veçanërisht në fushën e ekonomisë së zhvillimit dhe demografisë. Gjithashtu përfaqësoj dhe Bocconin në evente dhe konferenca të ndryshme që zhvillohen në SHBA dhe Europë, pasi jam emëruar “Ambasadore e Bocconit”.
Të tillë më ka përzgjedhur para tri vitesh stafi i Bocconit në bazë të rezultateve, arritjeve kurrikulare dhe CV për një përfaqësim dinjitoz të vlerave të Bocconit në botë.

Një punim juaji është botuar pak kohë më parë në programin vjetor të Shoqatës Amerikane të Popullsisë të Princeton-it, një nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara. Si arritët aty?

Ai është njëri nga punimet e mia, pasi të tjerat vazhdojnë të jenë në zhvillim e sipër. Puna ka filluar si bashkëpunim me Qendrën kërkimore Dondena. Pas një pune të gjatë, së bashku me Profesorin Ross Macmillan, i cili është një personalitet i madh në fushën shkencore. Punimi është pranuar nga “Population Association of America” për programin vjetor në bashkëpunim me Universitetin Princeton.

Si kanë qenë vitet tuaja të studimit jashtë Shqipërisë? Mund të flasim ende për një paragjykim pengues për studentët që vijnë nga vendet e vogla, si Shqipëria, qoftë në shoqërinë studentore, qoftë dhe në mjediset akademike?

Vitet e studimit megjithëse shumë të lodhshme kanë qenë të mrekullueshme. Jam rritur si personalitet dhe jam e qartë ku ndodhem, se çfarë duhet të bëjë dhe kush është target-i i radhës.
Në fakt, më tepër se i vogël do nënvizoja “nga një vend i varfër si Shqipëria”. Që të jemi realist shumë njerëz çuditen, edhe pse ideja për Shqipërinë dhe shqiptarët sa vjen e ndryshon për  mirë. Stereotipe ekzistojnë për çdo vend, por e rëndësishme është standardi dhe mënyra se si prezantohet një njeri.
Dyert drejt suksesit çdo individ i hap vetë, askush nuk të pengon dot drejt arritjeve, varet vetëm nga standardi dhe sfida që ti vendos për veten.
Kam një shoqëri shumë të mirë në vendet ku kam studiuar si dhe një komunikim shumë të mirë me bashkëpunëtorët dhe profesorët e tjerë që punojnë në qendrën shkencore. Madje mendoj se të ardhurit nga Shqipëria më ka forcuar dhe më ka bërë të adaptohem më lehtë në vende dhe kultura të ndryshme ku kam studiuar e jetuar (Itali, Amerikë, Belgjikë).Fakti që u përzgjodha ambasadore e Bocconit mes shumë studentësh, tregon dhe se në një ambient multikulturor si Bocconi nuk ka paragjykime serioze dhe vlerësimi bëhet në bazë të aftësive dhe të rezultateve.

Mendoni që Shqipëria ka hapësirat e duhura për një student të formuar jashtë në profile të caktuara si i juaji?

Që të jemi realistë, Shqipëria ofron pak (ka pak mundësi dhe hapësira), por vlerësoj shumë përpjekjet që po bëhen nga universitetet private duke iu referuar UET apo UNYT me katedrat shkencore për të ecur me hapin e kohës mund të jetë një stimul i mirë. Më tepër se për hapësira vlerësoj dëshirën e mirë. Më pas, çdo gjë varet nga rrethanat. Gjithsesi jam e mendimit se në çdo vend të botës, ashtu dhe në Shqipëri, ka hapësira për research (punë kërkimore shkencore).

Lexo të plotë në Mapo.al: Keiti Kondi, ambasadorja shqiptare e Bocconi-t

 

Lega: “Shfuqizim i ligjit kundër racizmit dhe jo imigrantëve në Administratën publike”

Speciale. Lejeqëndrimi me pikë dhe marrëveshja e integrimit