in

Pasaportat. Kur do të nisë aplikimi në Konsullata

Sqarime të dhëna në parlament, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike, nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, në prezantimin e projekt-ligjit të miratuar përfundimisht në parlament më 23 shtator lidhur me aplikimin për pasaportë biometrike në Romë, Milano, Selanik dhe Athinë nxjerrin në dukje që zyra e parë e aplikimit do të hapet në Athinë, por pas një a dy muajve.

Ligji i sapomiratuar në Kuvend mbi “Për ratifikimin e shtesës së kontratës koncesionare me Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve” është paraqitur fillimisht në Komisionin për Çështjet Ligjore e më pas në seancë plenare nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni. Nga pyetje e deputetëve të ndryshëm të opozitës dhe nga përgjigjet e zëvendësministrit dalin në dritë disa aspekte të aplikimit që deri më sot nuk ishin të qarta për publikun.

Kur do të nisë aplikimi për pasaporta, e kush do të mund të përfitojë nga ky shërbim? Zëvendësministri bën të ditur se sipas të gjitha gjasave, e para që do të hapet do të jetë zyra në Athinë, por edhe kjo pas një apo dy muajsh: “Unë jam në dijeni që janë marrë masat që shumë shpejt të hapet kjo zyrë në Athinë. Grupet koncesionare paraprakisht janë interesuar dhe kanë parë ambasadën. Ne nuk kemi lëvizur ende, sepse, normalisht, ministria për të bërë një vlerësim të përbashkët duhet ta bëjë pasi ligji të hyjë në fuqi. Nuk do të jetë çudi që pas një muaji ose pas dy muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit të fillojë shërbimi në këtë zyrë konsullore të ambasadës sonë në Athinë dhe, ashtu siç është parashikuar, brenda katërmujorit të hapen katër zyrat e para e kështu me radhë”.

Të flasim konkretisht për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali. “Atyre që jetojnë në Bari do t’u thuhet se kur të hapet kjo zyrë në Bari do të pajisen më pasaporta, apo mund të shkojnë në Romë ose në Milano?”. Ministri në këtë pikë është i qartë, kushdo mund të aplikojë ku të dojë: “Sikurse të gjithë janë në dijeni, sistemi i aplikimit është i hapur. Në Shqipëri ka qytetarë që e kanë provuar. Për shkak të ruajtjes së flukseve dhe normativave, ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos i binim të gjithë qytetarët në Tiranë ose në Durrës. Teknologjikisht nga pikëpamja teorike mund të aplikojë cilido qytetar, mjafton ta ketë emrin në regjistrin civil dhe mund të aplikojë kudo përkrah niveleve të sigurisë që thuhet. Sikurse ju thashë, besoj se do të ketë hapje zyrash edhe në shtete të tjera, jo vetëm në këto shtete që do të hapen tani. Gjithsesi, një person që është jashtë mund të aplikojë ku të dojë në Republikën e Shqipërisë ose në shtetin që ka fqinj, mjafton të kenë dëshirën ta bëjnë. Pra, emigrantëve nuk u hiqet e drejta që ta bëjnë letërnjoftimin dhe pasaportën ku të duan”. Më poshtë zëvendës ministri shpjegon më gjerë: “Shtetasit janë të lirë të aplikojnë. Ne po shtojmë një grup mundësish që nëse emigranti është nga Korça, do të aplikojë në Korçë dhe do ta marrë pasaportën në Korçë. Është e vërtetë se kanë aplikuar disa qindra mijëra emigrantë. Vetëm për muajin gusht kemi pasur 170 mijë aplikime. Nëse do të bëjmë një llogaritje që rreth 30-40 mijë aplikime janë në muajt e tjerë, 150 mijë janë emigrantë. Sasia e emigrantëve që kanë aplikuar në Shqipëri është ndërmjet 300 mijë dhe 500 mijë. Shteti shqiptar nuk ka regjistrim të emigrantëve që të mund të bëjmë diferencën A minus B, për ata që kanë aplikuar dhe ata që banojnë atje. Ne po ofrojmë këtë mundësi. Janë qindra e mijëra të tjerë që jetojnë në Greqi, Itali. Ka pasur presione nga Ministria e Jashtme, në mënyrë të motivuar si edhe nga ambasadat. Le ta kenë këtë shërbim. Çmimi nuk është i lartë, edhe as mundësia nuk u hiqet”.

Një shqetësim lidhur me korrupsionin shprehet nga deputeti Saimir Tahiri: “Unë dua të di se si e garantoni ju që një emigrant në Selanik apo në Romë, që sot mban radhë dhe bëhet pre e korrupsionit të strukturave të konsullatave shqiptare? … Për të qenë më konkret, në Shqipëri kuponi blihet në postë dhe shërbimi merret në vend tjetër, pra ka një diferencim që shmang disi korrupsionin, ndërsa në këtë rast edhe shërbimi i blerjes së kuponit, edhe marrja e dokumentit ndodhin në po të njëjtin vend, ku strukturat e konsullatave jo rrallë herë janë kapur me korrupsion në lidhje me këtë çështje, si edhe me çështje kriminale shumë më të mëdha, siç është edhe transporti i drogës”.

Në këtë pikë zëvendës ministri Poni përgjigjet duke shpjeguar: “Në Shqipëri ka qenë, ndoshta dhe është vende-vende, ai që quhet korrupsion i radhës për të hyrë para të tjerëve. Por sot një veprim në zyrat e gjendjes civile bëhet për dhjetë sekonda. Ne shpresojmë se ky është një proces shumë komod, shumë solid dhe i mirëpritur nga qytetarët. Personi i korruptuar, për shkak të mos parashikimit solid të sistemit thoshte e bëra gabim vendosjen e një shkronje tjetër e kështu me radhë. Këto nuk ndodhin tashmë. Konsultimi është vetëm me regjistrin. Zyra e Athinës, zyra e Romës, e Milanos, e Nju Jorkut do të lidhen me regjistrin dhe do të dalin të dhënat ashtu siç janë. Ju e pranuat që zgjidhja e propozuar nga koncesionari në fillim të procesit, për të mos pasur prezantim fizik me pagesën financiare në zyrat e aplikimit, do të ruajë të njëjtat standarde edhe atje. Pra, zyrat që aplikojnë nuk do të shesin kuponin dhe nuk do ta marrin te operatorja, ajo mund të jetë fizikisht në një zyrë tjetër, sepse domosdoshmërisht do të ndodhë që në ambasadë t’i afrohemi variantit one stop shop. Në kuptimin e standardeve, unë mendoj që shërbimi i gjendjes civile dhe shërbimi i dokumenteve biometrike të identitetit në ambasada janë në minimumin teorik të hapësirave për korrupsion. Standardi i Ministrisë së Brendshme, i shtetit shqiptar dhe i Parlamentit është që në proceset tona të mos lejojmë korrupsionin. Pra, shërbimi të jetë i barabartë për të gjithë. Lidhur me faktin se a kanë qenë të infektuara ambasadat nga ndonjë problem, inercia, hera-herës vepron edhe mbi to. Mendoj se duhet të ishin marrë masa shumë më drastike që fenomeni i gjetur në ambasada të mos ndodhte”.

Vasilika Hysi ngre mes të tjerave edhe problemin e gabimeve që mund të përmbajë regjistri elektronik i popullsisë dhe sigurinë e mbrojtjes së të dhënave personale: “Ju thatë që regjistri elektronik është shumë i saktë. Në fakt, ndodh që në regjistër të jenë hedhur të dhënat gabim dhe punonjësi i gjendjes civile shumë herë hap regjistrin e shkruar me dorë për të bërë saktësimin e të dhënave. Në regjistrin elektronik ato kanë qenë gabim dhe janë saktësuar më pas. A mund ta bëjë një punonjës i ambasadës këtë lloj verifikimi, apo do të prodhojmë pasaporta me gabime dhe kush do ta paguajë koston?”

“Regjistri Elektronik Shqiptar është më i miri në Europë. – thotë me bindje Poni – Në një kohë të shkurtër është konsultuar për efekte elektorale, për ta përmirësuar nga rreth 2 milionë e gjysmë shtetas, ku 3,2 prej tyre kanë të drejtë të marrin letërnjoftimet elektronike. Në 70 për qind të rasteve qytetarët, ju apo unë, kur kemi aplikuar për dokumente, ku duhet të hedhësh një firmë, jemi pyetur nëse janë të dhënat në konformitet me ne. Në rast të kundërt, ka një procedurë shumë të qartë, që është e fundit dhe quhet “konsultimi me qytetarët”. Përpara saj, drejtuar nga OSBE-ja dhe BE-ja, është bërë ajo që quhet “transferimi i të dhënave nga librat”, një transferim klasik. Në Shqipëri kontrolli është bërë 5 herë. Tani kontrollohen edhe nga qytetarët. Nga 3,2 milionë shtetas mbi 18 vjeç, 2,4 milionë kanë marrë kartën, kanë aplikuar. Përveç shtetasve të tjerë, sepse unë mendoj se një pjesë e madhe e tyre janë edhe emigrantë. Por ka edhe të tjerë që janë këtu. Nuk ndryshohen të dhënat në regjistër. Ato të dhëna mund të ndryshohen vetëm nëse janë bërë përpara 1 janarit të vitit 2009. … Ne kemi pasur një standard që lidhet me transparencën, por më tepër me sigurinë ajo që quhet autenticitet. Nëse dikush ka akses të hyjë në një zyrë të gjendjes civile, kompjuteri regjistron se kush e ka bërë, në çfarë ore etj. Ne mund të kontrollojmë në çdo kohë dhe saktësisht, sepse sigurinë ta lejon teknologjia. Lidhur me të dhënat, transmetimi i tyre është i sigurt. Është bërë edhe më përpara. Do të jetë online. Ne nuk kemi asnjë problem sot me sigurinë. Në rastin e ruajtjes, jo vetëm në atë të ndërhyrjes në Regjistrin Elektronik, janë standarde të mëdha. Zyrat konsullore edhe sot nuk kanë regjistra. Ndryshimi do të bëhet sipas procedurave të gjendjes civile. Ndërfaqja që ne kemi krijuar, është e tillë që unë në zyrën e aplikimit nuk mund të ndryshoj të dhënat e gjendjes civile. Ai punonjës atje shikon vetëm aplikimin. Të gjitha ndryshimet bëhen në procedurën që ka parashikuar ligji. Unë mendoj se është parandaluar me shumë sukses, sepse dokumentet e identitetit kanë dalë ashtu siç janë të regjistruara në Regjistrin Civil, nëse qytetarët nuk kanë bërë ndonjë demarsh juridik që u lejon të ndryshohet emri. Edhe kjo gjë është shumë e sigurt, sepse me vendosjen e numrit të identitetit, nuk ndryshon, personi mbetet po ai”.

Por për sigurinë e sistemit të mbrojtjes së të dhënave ngre dyshime edhe parlamentarja Ermonela Felaj: “Më vjen mirë që jeni optimist për sigurinë e sistemit, por e kam vështirë t’ju besoj për sa kohë që në media u bë publik një lajm që sot shumica e përfaqësive tona diplomatike jashtë vendit, gjenden në kushte shumë të vështira sigurie. Në një ambasadë tonën, u vodh një kompjuter i personalizuar. A e keni pasur parasysh faktin që, në këto vende, ku do të hapni këto qendra aplikimi, ka kushte sigurie apo jo? A keni marrë kontakte me këto ambasada në lidhje me kushtet e sigurisë që kanë sot, si edhe për personelin fizik?”

“Në lidhje me këtë, nuk jam shumë optimist por shumë i vëmendshëm. Para se të ndërtonim zyrat e gjendjes civile në Shqipëri, pra para se t’i bënim elektronikisht të lidhura në një network me qendrën, kemi investuar 3,5 milionë euro për t’i bërë të sigurta nga pikëpamja fizike, pra dyer e dritare hekuri e me radhë. Zyrat e aplikimit sot plotësojnë të gjitha kushtet e sigurisë ISO 27.000.

Së pari, sigurinë e ka sistemi brenda. Në një lloj mënyre mundet, se çfarë nuk ndodh në Shqipëri apo dhe në botë që ta vjedhësh një kompjuter. Kompjuteri njeh vetëm përdoruesin legjitim të sistemit. Së dyti, në kompjuterin e kompanisë koncesionare nuk ruhen të dhëna. Kompjuteri nuk është i rëndësishëm, mund ta vjedhin si një arkë boshe. Mund edhe të vjedhësh CD-të me të dhënat, por nuk i përdor dot se kanë një enkriptim nën përgjegjësinë e kompanisë koncesionare që i ruan ato me tre rregulla sigurie. Së treti, unë nuk mund të jap përgjigje për ambasadat, por në kuptimin e procesit të sigurisë ne kemi ndërtuar një sistem në mjedise mesatarisht të sigurta dhe procesi ynë teknologjik, në kuptimin lidhur vetëm me një database të dhënash që ruhet, është shumë i mirë dhe i sigurt”.

Lexo edhe: Pasaporta e letërnjoftimi në konsullatë. 100 euro për njeri

Pasaporta e letërnjoftimi në konsullatë. 100 euro për person

Një tjetër ‘PO’ liberalizimit të vizave për shqiptarët