in

Facebook dhe 100 superheronjtë që luftojnë racizmin

Rrjeti social pohon: “Sinjalizimet e përdoruesve të rrjetit në mbarë botën administrohen nga rreth 100 ekspertë poliglotë”. Duhet të mbikëqyrin 1,2 miliardë përdorues. Si ia dalin mbanë? Të intervistosh një prej tyre duket se është e pamundur.

Romë, 15 prill 2014 – Harrojini Superman, Batman, Spider-man. Harrojini edhe tutat speciale e pelerinat. Në epokën e social network, superheronjtë nuk fluturojnë në qiell, nuk ngasin makina superfuturiste e nuk lëshojnë rrjeta merimangash nga kyçet e duarve. Luftojnë të këqinjtë të ulur përpara një kompjuteri, si 100 “ekspertët e kualifikuar” që mbikëqyrin kundër racizmit në Facebook.

Është vetë Facebook që i zbulon ekzistencën e tyre portalit Stranieriinitalia.it. Një nga të paktat përgjigje që është arritur të merret nga zyra e shtypit italiane, Burson-Marsteller e Milanos, që kur portali kërkon shpjegime mbi mënyrën se si rrjeti social më i njohur në botë lufton (me rezultate të dobëta) përhapjen e faqeve, grupeve, fotografive dhe materialeve të tjera raciste.

Në veçanti, nuk arrihej të kuptohej pse grupe si “Sei un negro se” duhet të vazhdonte të qëndronte online me gjithë senjalizimin e bërë nga Stranieriinitalia.it. Dukej absurde që Facebook fillimisht u përgjigj se nuk e hiqte sepse nuk shkelte standardet e komunitetit, pikërisht ato standarde sipas të cilave nuk lejohen “përmbajtje që nxisin urrejtjen” apo “diskriminimin e personave në bazë të racës, etnisë, kombësisë, besimit fetar, gjinisë, orientimit seksual, paaftësisë apo sëmundjes…”.

Në të vërtetë, brenda pak ditëve ai grup u mbyll, ndoshta falë sinjalizimeve të shumë lexuesve, që ndërkohë ishin bërë pjesë e grupit “Fuori il razzismo da Facebook”. Edhe zyra e shtypit lajmëroi për ndërrimin e mendimit mbi “Sei un negro se”: “Facebook mbylli grupin sepse shkell rregullat e sigurisë”. Por pjesa më interesante e përgjigjes nisur Stranieriinitalia.it është një tjetër.

“Sinjalizimet e përdoruesve – shpjegojnë nga Burson-Marsteller – administrohen nga një grup i posaçëm, Safety Team i Facebook-ut, i përbërë nga rreth 100 ekspertë të kualifikuar në kuadrin e sigurisë të shpërndarë në selitë e Dublinit (Irlandë), Menlo Park (Kaliforni), Austin (Teksas) dhe Hyderabad (India) që janë aktivë 24 orë në ditë për 7 ditë në javë”.

Anëtarët e Safety Team flasin shumë gjuhë të botës dhe kjo u lejon atyre të kuptojnë sa më mirë çdo ngjyrim gjuhësor e kulturor të materialeve të sinjalizuara nga përdoruesit. Safety Team i jep një rend përparësie sinjalizimeve sipas rëndësisë së përmbajtjes, vlerëson informacionet e vepron duke mbyllur apo hequr materialet nga Facebook në rast se shkelin kriteret tona”.

Me pak fjalë, Facebook thotë se sinjalizimet e personave për përmbajtje që nxisin racizmin administrohen nga njëqind super-ekspertë poliglotë.

Duhet të kenë super-fuqi nëse janë vërtet të aftë të mbikëqyrin mbi 1,2 miliardë persona. E thënë ndryshe, 12 milion persona për kokë. Është njësoj sikur siguria e të gjithë italianëve të ishte në dorë të vetëm 5 policëve. Më falni, super-policë, Robocop të aftë të punojnë 24 orë në ditë, për 7 ditë në javë, e pse jo, pa kërkuar rrogë ekstra.

Të magjepsur nga këto pohime fanta-shkencore iu kërkua zyrës së shtypit Facebook nëse ishte e mundur të intervistohej një prej këtyre ekspertëve që flet italisht e që për rrjedhojë administron sinjalizimet që mbërrijnë nga Italia. Thjesht për ta pyetur sa sinjalizime për materiale që nxisin urrejtjen i mbërrijnë mesatarisht në ditë? Apo për të mësuar, pse kur sinjalizon një person i vetëm Facebook përgjigjet se materiali nuk nxit racizmin, ndërsa kur sinjalizimet shumëfishohen ndërron mendim dhe e mbyll faqen, profilin, grupin, apo bllokon fotografinë, komentin e akuzuar?

Ka kaluar më shumë se një muaj e akoma nuk është parë një përgjigje. Por arsyeja mund të jetë vetëm një: me gjithë atë që kanë për të bërë 100 superheronjtë, vështirë se gjejnë edhe kohë për intervista.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Alle Olimpiadi delle Neuroscienze la numero uno è Anna Pan

Dënimi i Berlusconit. 4 orë në javë punë vullnetare