Në Pukë dëbora ka arritur në 60 cm. Në zona të ndryshme, vështirësi në qarkullim rrugor e në furnizimin me energji elektrike
Tiranë,16 prill 2014 – Ndonëse kemi hyrë në stinën e pranverës moti i ditëve të fundit është karakterizuar nga një rënie e ndjeshme temperaturash, erë e ftohtë, madje edhe nga reshje dëbore.
Natën e shkuar dëbora ka zbardhur Dibrën, Pukën, Peshkopinë, zonat malore të Tropojës, qarkun e Shkodrës, rrethin e Korçës.
Sipas ATSh-së, situata më e rëndë regjistrohet në Pukë ku në disa zona dëbora ka arritur në 60 cm dhe në qarkun e Dibrës në zonat rurale dëbora e rënë arrin deri në 25 cm.
Veç vështirësive të qarkullimit në disa akse rrugore, reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar edhe probleme në furnizimin me energji elektrike më disa zona si Kalimash, Fushë Arrëz, Kukës dhe Bajram Curri.
Edhe në Kosovë dëbora thuajse e munguar gjatë dimrit ka nisur këto ditë pranvere. Kryeqyteti kosovar është zbardhur nga dëbora që nisi të bjerë dje pasdite po vazhdon të bjerë edhe mëngjesin e sotëm.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikonte keqësim të motit, me vranësira e reshje shiu dhe temperatura në zbritje gjatë kësaj jave.