in

Isli Hoxha, një shqiptar i Italisë në Actors Studio

Fëmijë imigrantësh shqiptarë në Imperia, pas shumë peripecish për një vizë, me këmbëngulje arrin të realizojë ëndrrën e tij e të shkojë të studiojë kinematografi në Amerikë. “Idhulli im është Al Pacino, dashuroj teatrin, po a mund t’i thuash jo Hollivudit?”

Romë, 23 prill 2014 – Isli Hoxha është 17 vjeç e prej dy muajsh po i jep jetë ëndrrës së tij më të madhe: të bëhet aktor!

Megjithëse burokracia i ka ngritur njëqind pengesa, Isli nuk e ka humbur asnjëherë toruan dhe ka këmbëngulur në të vetën, me mbështetjen e plotë të familjes së tij. Sot, adoleshenti shqiptar jeton në Nju Jork, ku po ndjek studimet në shkollën e mesme dhe ato për t’u bërë aktor profesionist në Lee Strasberg Acting School, e famshmja Actors Studio.

Isli ka lindur në Tiranë në vitin 1997, ishte vetëm tre muajsh kur nëna e babai i tij, 20-vjeçarët Bukra dhe Agim, vendosën të largoheshin nga Shqipëria në kërkim të një vendi më të sigurt për foshnjën e tyre e për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

“Kur mbërritëm në Itali nuk kishim asgjë, as një vend ku të fusnim kokën. Por sot, pas shumë sakrificash e pune të rëndë, babi është sipërmarrës ndërtimi, ndërsa mami ka një rrobaqepësi. Këtu në Imperia u rrita, këtu lindi e po rritet edhe motra ime e vogël, Sindy”.

Isli është shumë i lidhur me familjen. Vlerëson sakrificat e prindërve që ai dhe e motra të ndjekin pasionet e tyre. “Familja është forca ime” komenton ai këtë foto
“Aktrimin e nisa krejt rastësisht. Një kliente e sime mëje e pyeti nëse do t’i pëlqente të më fuste në një kompani të vogël teatrale. Isha akoma fëmijë e mami vendosi në vendin tim, edhe sepse ajo e ka pasur gjithmonë një ëndërr të bëhej aktore. Kështu kur isha tetë vjeç hipa për të parën herë në skenë dhe isha shumë i emocionuar. Sot mund të them se me teatrin rashë menjëherë në dashuri”.
“Nga ai çast nuk zbrita më nga skena. Studioj aktrim prej nëntë vjetësh dhe kam pasur fatin të punoj edhe me mjeshtra të mëdhenj. Prej gjashtë vjetësh studioj në Spazio Vuoto, një shkollë teatri në Imperia dhe vitin e fundit kam ndjekur edhe një shkollë kinematografie në Romë”.

Për Islin, teatri nuk është gjithçka. Është nxënës i shkëlqyer në shkollë dhe një vidomaker brilant.
“Në shkollë jam përpjekur të jap gjithnjë maksimumin sepse u jam shumë mirënjohës prindërve që bëjnë shumë sakrifica për mua dhe motrën, që ne të ndjekim pasionet tona. Videomaking lindi si lojë, më kënaq realizimi i videove, si ato komiket si ato më seriozet. Kam mësuar vetë. Gjatë pushimeve të gjata verore, dy-tre vjet më parë, mësova teknikat e montazhit dhe të editing-ut, pjesa tjetër është fryt i fantazisë”.

Vullneti dhe vendosmëria e Islit e kanë çuar deri në Nju Jork për studime.
“Gjithçka nisi falë një kushëririt tim, Sokolit që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që verën e shkuar erdhi mysafir te ne. Kur zbuloi pasionin tim për teatrin dhe mundësitë e mija nguli këmbë që të shkoja të jetoja me të në ShBA. “Këtu nuk vlerësohet meritokracia, hajde të studiosh në Amerikë, atje do të bësh me siguri karrierë”, kështu thonte. në fillim e morëm si me shaka, edhe pse ishte një nga ëndrrat e mija më të mëdha të mund të jetoj e studioj në Hollivud”.

“Por kur babi u bind, nisëm aventurën burokratike. Natyrisht nuk mund të lija përgjysmë shkollën e mesme, ndaj gjëja e parë që bëmë ishte të flisnim me drejtorin e shkollës sime në Imperia që të na tregonte një shkollë të mirë në Amerikë ku të diplomohem. Shkolla italo-amerikane Guglielmo Marconi e Nju Jorkut është një institut i shkëlqyer e mund të garantonte për mua për marrjen e vizës. Pasi kalova testin e pranimit erdhi çasti i përgatitjes së dokumenteve dhe i makthit të vërtetë. Qoftë në Konsullatën e Milanos qoftë në atë të Firenzes ku paraqita kërkesën më mbyllën derën në fytyrë, të dyja herët me të njëjtin motiv. Sipas tyre nuk kisha lidhje aq të forta me Italinë sa të bindeshin se nuk dua të qëndroj në ShBA. Ndoshta edhe fakti që nuk kam shtetësinë italiane nuk më ndihmoi”.

“Unë gati gati isha dorëzuar. por ime më më dha kurajë të shkoja përpara. U lidhëm me drejtoreshën e shkollës Guglielmo Marconi për t’i shpjeguar motivet për të cilat nuk nisesha dot. U tregua shumë e duruar me ne dhe u vu në lëvizje edhe vetë. Kontaktoi personalisht konsullin e përgjithshëm italian në ShBA për t’i kërkuar zgjidhje për mua. E zgjidhjen e geti vërtet. Më 14 shkurt shkova në Romë dhe më në fund dola nga konsullata me vizën time”.

Isli nuk humbi më kohë, brenda dhjetë ditëve mori avionin për në Nju Jork ku e priste një jetë e re.

“Tani jetoj te kushëriri në Staten Island. Ngrihem çdo ditë në 5 të mëngjesit e shkoj në Manhattan ku është shkolla. Aty kam mësim deri në 3 pasdite, pastaj marr sërish metronë dhe autobusin për t’u kthyer. Të shtunën, më në fund, shkoj e ndjek kurset e aktrimit. Provimi për t’u futur në Actors Studio zgjati një javë, m’u desh të kaloja shumë prova para se të pranohesha në shkollën e ëndrrave të mija. Aty ka studiuar edhe idhulli im, Al Pacino”.

Për  të ardhmen, Isli ka idetë e qarta. “Kam akoma dy vjet për t’u diplomuar. Më pas dua të ndjek fakultetin e Kinematografisë në Los Angeles. Ëndrra ime është të bëhem aktor i famshëm. Po të kisha mundësi, do të zgjidhja teatrin, aty përjetoj emocione të forta. Nga ana tjetër ama, si mund t’i them jo kinematografisë hollivudiane?”.

Samia Oursana

Leggi in italiano: Isli Hoxha, un italiano+ all’Actors Studio

Papa Françesku do të presë në Vatikan kryeministrin Rama

Çifti Rama në Vatikan. Papa Françesku bekon gruan shtatzënë të kryeministrit