in

Sironi: ”Arratia e pamundur e Alinës dhe e Janit”

Intervistë me Carlo Sironin, regjisorin e filmit me metrazh të shkurtër “Alina”

Carlo është vetëm dy vjet më i madh se unë. Na kontaktoi pasi kish lexuar në internet rreth projektit teatral të studentëve shqiptarë të Torinos. Carlo po kërkon pikërisht një të ri shqiptar për filmin e ardhshëm të tij me metrazh të shkurtër, Alina, xhirimet për të cilin nisin në nëntor. Por dëshiron të ketë në arkiv emra dhe profile aktorësh apo aspirantësh të tjera shqiptarë, për t’i përdorur në filmat e tij të ardhshëm që ka ndërmend, të bazuar mbi romanet e Elvira Donesit.
Nuk mund të thuhet që zgjedh tema të thjeshta Carlo. Alina e tij është një prostitutë ndërsa Jani, personazhi tjetër kryesor, ka për detyrë ta ruajë. Pasi lexoj skenarin i parashtroj kritikat e mija. A nuk i duket pak banale dhe qesharake të vazhdohet me paraqitjen e vetëm kësaj faqeje të emigracionit? Vërtet gjithë të tjerat nuk janë interesante, hiq Kledin? Carlo thotë se e priste këtë reagim e për të më shpjeguar se çfarë dëshiron të trajtojë në filmat e tij, më flet për vuajtjet paralele, arratisjet nga vetja dhe për projektet e tij.

Si të lindi ideja të shkruash një skenar si ai i “Alinës”?
Kisha ndërmend prej kohësh imazhin e kësaj vajzës ukrainase që ishte sjellë në Lazio për t’u bërë prostitutë por që nuk ka parë asnjëherë Romën. E nga kjo pikë nisa të mendoja për dy personazhet që, të dy të mbyllur si në kafaz, kërkojnë arratinë e pamundur për t’u çliruar nga e kaluara e tyre.

Kafazi është e shkuara e tyre, vendi i huaj ku jetojnë apo janë ata vetë?
Kafazi është e shkuara e tyre që i ka ndjekur duke mos u dhënë mundësinë e ndryshimit, në një vend të huaj që nuk i ka mirëpritur dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur kurrë mundësi “të përjetojnë”.

Ç’kërkime ke bërë për të shkruar këtë skenar?

Fillimisht u informova me shoqatat që merren me trafikun e grave në krahinën e Lazio-s. më pas vazhdova të mbaja në kokë realitetin dhe të përqendrohesha vetëm te dy personazhe simbolike. Mbi marrëdhënien e çuditshme mes viktimës dhe xhelatit.

Cilat tema mendon të trajtosh me realizimin e këtij filmi me metrazh të shkurtër?
Ideja e rrëfimit të dy vetmive që, edhe pse në pamje të parë të kundërta, herët a vonë takohen për t’u ndarë sërish, ka qenë gjithnjë e pranishme në gjërat që kam shkruar. Në këtë rast, dua të flas për prostitucionin duke shkuar përtej roleve viktimë-xhelat, duke analizuar nevojën që kanë për njëri-tjetrin dy persona të vetmuar në çastin kur nxirren nga konteksti i tyre dhe kërkojnë të jetojnë “normalisht”.

Filmi yt “Sofia” është paraqitur në Torino Film Festival në vitin 2008. edhe këtu ke trajtuar një problem që ka si veçori të vetën vetminë: problemin e autizmit.
Te filmi me metrazh të shkurtër “Sofia” vetmia është krejt ndryshe. Nga këndvështrimi i motrës së një vajze të vogël autistike trajtohet ajo periudhë e kalimit nga shkolla nëntëvjeçare në lice kur shikon botën përreth e ndien që nuk të përket, ndien se të rritesh është diçka e pamundur. Personazhet e “Alinës” janë krejt ndryshe, janë rritur që të dy shumë shpejt, pa pika referimi familjare.

Si po shkon kërkimi i aktorëve protagonistë të “Alinës”?
Po kërkojmë në Lazio, qoftë nëpër konviktet e universiteteve të Romës, qoftë në zonën Casalotti-Boccea ku ka një përqendrim emigrantësh shqiptarë. Ishte e vështirë të gjeje këtë zonë, pasi në Romë, ndryshe nga komunitetet e tjera të të huajve, shqiptarët janë integruar shumë mirë duke mos krijuar një “lagje shqiptarësh” siç ndodh për shembull me moldavët apo kinezët. Personazhi kryesor Jani është figurë komplekse, ka nevojë për një përzierje kapadaillëku dhe gjakftohtësie, është personazh që arrin të sakrifikojë gjithë veten e tij për një shpëtim të pamundur.

Ç’mendon kur sheh të rinj shqiptarë 20-vjeçarë që paraqiten për të interpretuar personazhin e Janit?
Deri më sot kemi bërë vetëm pak takime. E para gjë që të bie në sy është që thuajse të gjithë kanë studiuar teatër në Shqipëri. Dhe që kuptojnë menjëherë çfarë kërkojmë, pa e zgjatur shumë. Por sidoqoftë unë po kërkoj aktorë jo-profesionistë.

Më tregove se ke lexuar librin e Elvira Donesit “Yjet nuk vishen kështu”. Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje nga ky libër? Mendon të bësh një skenar prej tij?
“Yjet nuk vishen kështu” është tronditës. Është një tunel tmerresh nga i cili duket se nuk ka mundësi arratie përveçse vdekjes. Duket se të gjithë personazhet e librit, në çastin kur mbërrijnë në Itali janë të vdekur si të mbërrinin në një lloj ferri në Tokë. Është libër që të ofron shumë shtysa, kam disa ide por ende të paqartësuara mirë.

Elvira Dones flet për emigracionin shqiptar të viteve ’90, duke trajtuar aspektet më të këqija. A ke pasur mundësi të shohësh personalisht emigracionin e sotëm të shqiptarëve? Për shembull të rinjtë që vijnë për të studiuar në Itali.
Po, gjatë takimeve kam filluar të njoh komunitetin shqiptar që jeton në konvikte. Të rinj që studiojnë e punojnë e që kanë ide shumë të qarta për të ardhmen e tyre.

Ke lexuar libra autorësh të tjerë shqiptarë?
Kam lexuar libra të tjerë të Donesit, mes të cilëve “Hana” që për mua është i mrekullueshëm. Të tjerë autorë jo, nuk kam pasur akoma rastin t’i njoh.

Gerarta Zheji Ballo

Lexo edhe: Kërkohet një aktor shqiptar

Kërkohet një aktor shqiptar

“Roma Kryeqytet”, takim me të huaj në Bashki