in

A duhej ta ndërronte emrin Erzeni?

Një emër italian nuk është më i nderuar se një emër shqiptar
Nga Mark Dunga

Dua të them që në fillim se personalisht ndiej kënaqësi kur lexoj gazetën tonë Bota Shqiptare, që na sjell copëza nga jeta shqiptare në dy anët e detit Adriatik, veçanërisht duke pasqyruar jetën e emigrantëve, integrimin e shembullin pozitiv të shqiptarëve si artistë, poetë, sipërmarrës, pa harruar edhe ndonjë shef kuzhine të dëgjuar…

Por në faqet e saj kemi lexuar edhe për “bëmat” e tjera të shqiptarëve: për “të dashuruarit me politikën italiane” që “ndaluan në Asti”, për “mjeshtër” të arratisjes nga burgjet, për “hajdutë” që kërkojnë “drejtësi”, apo për “të turpëruar” nga emri shqiptar, që e ndërrojnë atë për t’u hequr “italiano vero”.

Është, pikërisht, ky rasti i fundit (i çuditshëm për mua), i botuar në numrin 317 të gazetës, që më nxiti të shkruaj.

Është fjala për shqiptarin Erzen, i cili tashmë ka marrë shtetësinë italian, por që nuk i mjaftoi për të kaluar kufirin italo-zviceran, pasi e “bezdiste” emri shqiptar, dhe më në fund e ka ndërruar me emrin italian Emilio.

Më lindi menjëherë pyetja: A duhet ta bënte këtë?

Sinqerisht, nuk mund ta kuptoj këtë veprim të bashkatdhetarit. Për cilat forca të rendit (kufirit) ankohet ai? Nëse flitet për ato italiane, është e pabesueshme pengesa, sepse është vetë shteti italian që na ka njohur shtetësinë shumë të huajve, sipas ligjit. Nëse flitet për ato zvicerane, mund të them se nuk besoj të jenë aq skeptikë ndaj shqiptarëve. Edhe pse nuk e njoh Zvicrën, kam dëgjuar se atje punojnë e jetojnë edhe shqiptarë e kosovarë (të krishterë e jo të krishterë). Sidoqoftë, është pasaporta italiane ajo që të lejon të kalosh kufirin, e jo prejardhja, kombësia apo emri. Ç’rëndësi ka nëse je shqiptar, maroken, moldav apo pakistanez, përderisa ke shtetësinë e një vendi të BE-së, siç është Italia? E pastaj, përse të fshehësh origjinën?

Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se ne emigrantët, kush më shumë e kush më pak, e kemi provuar diskriminimin, druajtjen dhe inferioritetin e të qenit në një vend të huaj. Nuk jemi ndier, as do të ndihemi kurrë si në shtëpinë tonë, por dora-dorës përshtatemi e integrohemi.

Natyrisht, emri mund të ndërrohet për ndonjë arsye të fortë, por jo për ato me të cilat justifikohet Erzeni. Nëse dikush i ka thënë: “ti nuk dukesh italian nga emri”, ai mund të pohonte: “jam shqiptar, por kam shtetësinë italiane”, gjë që nuk do t’i sillte ndonjë të keqe.

Mirëpo zgjodhi rrugën e Gjykatës për itaianizimin e emrit. Me të drejtë mund të thuhet “Është punë e tij…”.

Por mund ta shtrojmë ndryshe çështjen: Ç’ndjenjë turpi na sillka emri shqiptar?!

Këtu nuk dua të hiqem si “patriot i madh” e të citoj vargjet e Naimit tonë: “Ti, Shqipëri, më jep nder…”. Jo, jo, këtë nuk e them dot. Ashtu siç nuk mund të them: “Ti, Shqipëri, më jep turp…”.

Shqipëria jonë është e vogël, e varfër, por jo e turpëruar; ne, shqiptarët, jemi të varfër, por jo të këqinj. Nuk është faji ynë nëse kemi qenë të harruar. Tani jemi zgjuar dhe Evropa po na zgjat dorën, për të na pritur si të denjë. Nuk duhet menduar se krenarinë apo inferioritetin ta jep të qenit shqiptar, italian apo amerikan dhe, kur flitet për individin, janë disa faktorë që e kushtëzojnë personalitetin dhe vendin e tij në shoqëri.

Në këtë kuptim, të jesh italian, nuk do të thotë se je më i vlefshëm e më i nderuar se sa po të jesh shqiptar, apo anasjelltas…

Në qoftë se ne, emigrantët, kërkojmë shtetësinë italiane (kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji italian), këtë nuk e bëjmë për të fshehur vendin e origjinës, kombësinë, por për arsye të tjera, kryesisht ekonomike. E bëjmë para së gjithash, për të qenë qytetarë të një vendi komunitar evoropian, dhe avantazhet dihen.

Krejt ndryshe do të ndodhte sikur Shqipëria të ishte pjesëtare e këtij komuniteti: atëherë, me siguri, pakkush nga ne (për të mos thënë askush) do të kërkonte shtetësi tjetër.

Unë që po shkruaj këto radhë quhem Mark dhe, natyrisht, shokët e punës këtu në Itali më thërrasin Marco. Siç kuptohet do ta kisha shumë më të lehtë se ndokush tjetër ta bëja ndryshimin me qëllim që emri të duket italian. Por as që më ka shkuar mendja për një gjë të tillë. Dhe jo vetëm kaq, më pëlqen që emri im të duket i huaj (straniero), më pëlqen që shkruhet me shkronjën “k”, shkronjë kjo jo vetëm e alfabetit tonë. Nuk do ta ndërroja emrin tim, sepse dua të kem identitetin tim, sepse dua të jem ai që jam, dua të jem vetvetja.

Kthehemi përsëri te pyetja: “A duhej ta ndërronte emrin bashkatdhetari ynë?”. Sipas meje, jo. Arsyet e vërteta që e kanë shtyrë, i di vetëm ai. Por, nëse ndihej i turpëruar nga emri shqiptar, nuk ka përse të ndihet krenar nga emri italian.

Do të shtoja se ai nuk duhej të vepronte kështu edhe për faktin se emri Erzen është i bukur e modest, i lehtë në të shkruar, në të lexuar e në të shqiptuar, është interesant e pa ngjyrë të theksuar fetare.

Janë të shumtë djemtë e vajzat shqiptare, të cilët, ashtu si Erzeni, mbajnë emra lumenjsh, malesh, detesh, lulesh… Këta emra të kujtojnë freskinë e bukurinë e natyrës shqiptare dhe, kur je larg, s’ka sesi të të mos ngjallin mallin e vendlindjes.

Mark Dunga, shkurt 2014

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lecce. Sekuestrohen 6 kg kokainë, arrestohet një 23-vjeçar

Kosova, shteti 6-vjeçar. Jahjaga: “Pavarësia është e pakthyeshme”