in

A po e drejton Kina lojën e krizës së Euros?

Nga Pascale Truillaud (përkthyer nga ATSh)

Kërkesa për ndihmë lëshuar nga një Evropë në rrezik, në samitin e zhvilluar në kuadër të krizës së borxhit, e vendosi Kinën në një pozitë të fortë para samitit të G20-s, por për disa që dyshojnë, Pekini nuk është drejtuesi i lojës, të paktën jo tani për tani.

Nëse kërkesat e një eurozone me mbiborxhe kanë përkëdhelur imazhin e Kinës, Pekini i ka mirëpritur me një kujdes të madh dhe nuk do ta fusë dorën në xhep pa pretendime, ndoshta as në përmasat e dëshiruara.

Në Kanë, ku vështirësitë e Evropës do të zënë një vend të rëndësishëm më 3 dhe 4 nëntor, është një Kinë që konfirmon mbështetjen e saj plotë për Kontinentin e Vjetër pa shprehur asnjë angazhim që do të përfaqësohet nga presidenti, Hu Jintao, kapaciteti i vendimeve personale i të cilit është i limituar.

Por, duke i kërkuar mëshirë ekonomisë së dytë në botë, Evropa ka ngritur në rangun e thesarit të planetit një Kinë komuniste që financon madje edhe deficitet e mëdha amerikane.

Në samitin maratonë të Brukselit, që përfundoi me vështirësitë që dihen, ka qenë Hu Jintao që i ka telefonuar presidentit francez, Nicolas Sarkozy dhe me të cilin do të zhvillojë sot një darkë pune në Kanë.

”Një triumf, ndërkohë që Parisi kërkon të marrë diçka nga kinezët me qëllim për të mos dalë gojëkyçur nga presidenca franceze e G20-s”, theksoi Jean-Pierre Cabestan në ‘Hong Kong Baptist’ University.

“Pavarësia jonë nuk do të vihet për asgjë në rrezik”, theksoi Sarkozy përsa i përket shtrirjes së dorës Pekinit.

Ky nuk është mendimi i pasardhësit të mundshëm, François Hollande, i cili  është shprehur kohët e fundit se ”Kina është tashmë drejtuesja e lojës, nga fakti se samiti i G20-s (…) do të përdorë perandorinë ekonomike kineze”.

Tashmë mosbesimi është i madh përballë kinezëve, të cilët duan të blejnë portin grek të Pireut, borxhin portugez apo spanjoll, duan të ndërtojnë rrugë në Afrikë dhe së shpejti ndoshta dhe trena të shpejtësisë së lartë në Kaliforni.

“Por, Kina nuk është ende drejtuesja e lojës dhe Evropa ka zgjedhur të mos e vendosë varësinë në pozita të tepruara”, theksoi Cabestan.

”Kina është e brishtë, mos e harrojmë këtë”, shton ai.

Nëse ajo ka rezerva kolosale këmbimi (3.200 miliardë dollarë), ajo ka përballuar gjithashtu sfida të mëdha: riorientimi i ekonomisë së saj drejt kërkesës së brendshme, do të nxjerrë nga varfëria 150 milionë persona, gjysmën e popullsisë në zonën euro dhe do të zbatojë sisteme të kushtueshme të mbrojtjes sociale dhe emergjencës mjedisore.

Valerie Niquet, nga Fondacioni për Kërkime Strategjike (FRS), theksoi gjithashtu se është shumë e ekzagjeruar të thuash që Kina është bërë drejtuesja e lojës financiare në Evropë. “Kthesa, në kuadër të imazhit, nuk daton me samitin e Brukselit, por me krizën e vitit 2008 dhe me samitin e parë të G20-s ku Kina arriti të vendosë imazhin e modelit të saj, dalë e shpëtuar nga kriza financiare, me modelin demokratik perëndimor denoncuar si joproduktiv”, theksoi ajo. ”Sa për atë që do të bëjë Kina, gjithçka varet nga imazhi që ajo dëshiron të projektojë, që ajo do të mund të ndryshojë para samitit të Kanës duke ditur që përveç të tjerash një shtim i rezervave të këmbimit mund të jetë objektivisht interesant”, thekson Valerie Niquet.

“Në pozitë të forcuar, Kina nuk do të bëjë shumë koncesione, por në të kundërt do të kërkojë kompromis, kompromiset e evropianëve dhe perëndimorëve në përgjithësi”, theksoi Cabestan.

Ajo pret nga Bashkimi Evropian statusin e ekonomisë së tregut dhe nga partnerët evropianë dhe amerikanë fundin e proteksionizmit duke penalizuar eksportuesit e saj.

Ajo uron që ta lënë të qetë me juanin e ”nënvlerësuar” dhe kërkon të ketë një rol më të rëndësishëm në FMN, veçanërisht. ”Kriza në eurozonë i ka dhënë Kinës rastin për të dimensionuar marrëdhëniet me Evropën”, thotë ekonomisti Liu Jianxiong.

Kina duhet të vendosë kushtet e saj.

Lexo edhe: Kanë. G20 për masat evropiane antikrizë

 

Greqia përballë referendumit që vjen me shumë vonesë

Kanë. G20 për masat evropiane antikrizë