Pesë shokë, të rinj shqiptarë, janë përfshirë në aksidentin rrugor në Massa Carrara
Romë 5 maj 2011 – Një shqiptare 22 vjeçare ka humbur jetën dhe dy bashkatdhetarë të tjerë janë plagosur rëndë në një aksident rrugor që ka ndodhur gjatë natës në rrugën Roma në Massa. Sipas dëshmive, vetura Alfa Romeo 156 ku udhëtonin tre të rinjtë, si edhe një tjetër, Ford Focus, ku udhëtonin dy shqiptarë të tjerë, ishin me shpejtësi të lartë.
Në një parakalim, dy makinat kanë prekur njëra tjetrën dhe shoferi i Alfa-s, 19 vjeç, ka humbur kontrollin. Vetura është përplasur me një pemë, është përmbysur disa herë, është përplasur me një shtyllë dritash dhe më pas ka përfunduar në një koncesionar makinash duke dëmtuar dhjetë makina të parkuara. Vajza, me siguri pa rripat e sigurimit lidhur, është gjendur jashtë makinës pa jetë, ndërsa dy djemtë janë gjetur të ngërthyer mes pareteve të shtrembëruara.
Dy djemtë janë çuar menjëherë në spital: 19 vjeçari që i jepte makinës është nxjerrë tashmë nga spitali e do të shërohet për 7 ditë, djali tjetër në makinë 22 vjeç që ishte në Alfa ka trauma të shumëfishta dhe është ende i shtruar në spitalin e Carraras, por nuk është në rrezik për jetën. Dy djemtë e tjerë në që ishin në veturën Ford nuk kanë pësuar gjë dhe ishin të parët që u dhanë ndihmë shokëve dhe thirrën ambulancën. Sot janë çuar në kazermë dhe janë marrë në pyetje për rindërtimin e ngjarjes. Ata kanë pranuar se kanë qenë duke udhëtuar me shpejtësi të lartë.
Karabinierët po hetojnë për të kuptuar shkaqet e këtij aksidenti. Ata dyshojnë që djemtë e dy makinave po bënin një garë, pasi rruga Roma, e drejtë dhe e gjatë që çon nga qendra e qytetit drejt detit, shpesh përdoret si pistë.