in

Aksidentet në punë, në një ditë tre shqiptarë

Aksidentet në punë mes të huajve nuk kanë të sosur. Vetëm në një ditë të vetme, në tre aksidente të ndryshme viktimat kanë qenë po aq shqiptarë, nga të cilët dy janë plagosur dhe njëri, fatkeqësisht, ka humbur jetën

Ndodhet në gjendje kome që më 6 tetor në spitalin e Livornos një emigrant shqiptar, viktima e radhës e një aksidenti në vendin e punës. Me sa dihet deri tani 50-vjeçari shqiptar ka rënë teksa po kryente disa rregullime në çatinë e një kapanoni industrial në rrugën Firenze në Livorno bashkë më disa punëtorë të tjerë.
Nga përplasja emigranti shqiptar ka pësuar fraktura të shumta dhe ka përfunduar në gjendje kome.

Një punëtor shqiptar, G.R. 35-vjeçar ka rënë në mëngjesin e të njëjtës ditë nga një lartësi prej 15 metrash pasi kafazi metalik ku ai po punonte, u shkëput nga vinçi që e mbante.  Aksidenti ka ndodhur në A32 Torino-Bardonecchia, në komunën e Salbertrand ku janë hapur disa kantiere. Me sa dihet arsyeja është këputja e disa kabllove çeliku. Emigranti shqiptar, që punonte për firmën So.Co.Gen Spa, është transportuar me helikopter në Spitalin e Torinos me fraktura të rënda në vertebra, kafazin e kraharorit dhe në këmbë. Mjekët kanë deklaruar se ai është jashtë rrezikut.

Në San Martino në val Sarentino (Alto Adige), 30 vjeçari shqiptar me iniciale M.D. ka humbur jetën po të mërkurën, më 6 tetor. Nga informacionet e para bëhet e ditur se, ndërsa po manovronte krahun mekanik të një betoniere, ajo ka prekur një linjë të tensionit të lartë. Korrenti e ka përplasur të riun shqiptar, trupi i të cilit u gjet pa jetë në një kanal të vogël ujitës përgjatë rrugës.
Pak ditë më pas një person është paditur për vrasje të fajshme lidhur me këtë aksident. Është drejtuesi i betonierës i cili, sipas dëshmive, duket se nuk ka pasur kujdes që të parkojë mjetin e tij të rëndë në një distancë të sigurt nga linja e tensionit të lartë, gjë që ia kishin kërkuar edhe disa punëtorë që punonin me të.

Irida Cami

Të lindësh në tokë të huaj

PE miraton heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën