Nënsekretari i jashtëm italian Mantica: “Trazirat e mbrëmshme mund të ndikojnë në anëtarësimin e Serbisë në BE”
Romë 13 tetor 2010 – Ambasada serbe në Romë kërkoi sot falje për trazirat e shkaktuara nga huliganët serbë tifozë, që shkaktuan ndërprerjen dhe braktisjen e ndeshjes së natës së kaluar e vlefshme për eliminatoret e ”Euro 2012”, Itali-Serbi, në Genova.
“Këta persona nuk përfaqësojnë ndjenjat apo qëndrimin e popullit të Serbisë”, deklaroi ambasadorja serbe në Romë, Sanda Raskoviç-Iviç. “Jemi të turpëruar dhe kërkojmë ndjesë”, theksoi ajo.
Lidhur me çka ndodhi mbrëmë, nënsekretari i Jashtëm italian, Alfredo Mantica ka deklaruar “Trazirat e natës së djeshme mund të dëmtojë kërkesën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Mantica e lidhi dhunën ultranationaliste me sulmin e së shtunës gjatë Paradës së Homoseksualëve, në Beograd dhe u shpreh se “duket qartë që ka njerëz që nuk e duan integrimin në BE”.