in

Ambasadori italian Gaiani i paraqet letrat kredenciale presidentit Topi

Ambasadori i ri i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, i paraqiti të mërkurën zyrtarisht letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Ambasadori Gaiani, njohës dhe ekspert i çështjeve europiane, në gjashtë vitet para emërimit aktual, ka shërbyer pranë Departamentit të Politikave Europiane të Këshillit të Ministrave të Italisë.

Krahas funksionit të Këshilltarit Diplomatik të Ministrit për Politikat Europiane, ai ka drejtuar gjithashtu dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Departamentit, si dhe bashkërendimin e Sekretarisë së Komitetit Ndërministror për Çështjet Komunitare Europiane (CIACE).

Gjatë karrierës së tij, ambasadori Gaiani ka punuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Integrimin Europian të Farnesina-s në cilësinë e Shefit të Divizionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Bashkimit Europian, përgjegjës për zgjerimin. Ka kryer gjithashtu dhe funksionin e Këshilltarit Juridik të Drejtorit të Përgjithshëm për Burimet Njerëzore pranë Ministrisë së Jashtme.

Si diplomat jashtë shtetit ka shërbyer fillimisht në Konsullatën italiane në Montreal, ku është marrë me çështjet tregtare, më pas ka qenë në Përfaqësinë e përhershme pranë Komunitetit Ekonomik Europian në Bruksel e së fundi në Ambasadën italiane në Uashington në funksionin e Këshilltarit të Parë përgjegjës për çështjet ushtarake e të sigurisë.

Sot, Gaiani i zë vendin ambasadorit aktual Saba D’Elia i akredituar më 15 shtator 2007 nga presidenti shqiptar Bamir Topi.

I lindur në Adis Abeba (Etiopi) më 1956, është diplomuar në degën e Ekonomisë dhe Tregtisë në vitin 1979 pranë Universitetit të Romës dhe ka ndërmarrë karrierën diplomatike në vitin 1982.

Qendra e Kulturës Shqiptare mbështet fushatën “Italia jam edhe unë”

Trioja italo-shqiptare, muzikë ballkanike në Tiranë