in

ANSA: Dritë e gjelbër Shqipërisë për statusin e vendit kandidat

Por Tirana duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Romë, 16 tetor 2013 – Edhe agjencia italiane ANSA sjell lajmin e sotëm mbi rekomandimin e dhënies së statusit të vendit kandidat nga Komisioni Evropian. Ajo vë në dukje se KE thekson që “Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Për nisjen e negociatave mbetet thelbësore “dialogu politik konstruktiv dhe i pranueshëm, përparime të mëtejshme në fushën e administratës, të shtetit të të drejtës dhe në aspektin e të drejtave themelore të njeriut”.

Ka ndikuar pozitivisht në gjykimin e ekzekutivit të BE-së, prova e dhënë me zgjedhjet e fundit parlamentare që, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ka qenë “të rregullta”, “përparimet e mira” në rrugëtimin e reformave të këshilluara nga Brukseli dhe hapat e parë për përmirësimin e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për të ardhmen, Komisioni i rekomandon Tiranës, mes të tjerash, të marrë “masa konkrete” për përforcimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë, të shkojë përpara në reformat e administratës publike dhe të aplikojë ligje dhe politika në fushën e të drejtave njerëzore, veçanërisht përsa u përket romëve.

Në bazë të raoprtit të sotëm të komisionit evropian, do të jenë liderët e 28 vendeve  anëtare të BE-së që do të marrin vendimin përfundimtar për Shqipërinë në Këshillin e BE-së në dhjetor të ktij viti.

Së fundi, ANSA kujton se aktualisht vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE janë Turqia, Islanda, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Lexo edhe: Il Sole 24 Ore: Shqipëria drejt BE-së me mbështetjen e Italisë

Rekomandimi i Komisionit: “Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat”

Fyle: Qeveria të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit