in

Arratisje me helikopter

Me anije, me helikopterë, me avionë. Janë pafund rastet e arratisjes nga ana e ushtarakëve apo civilëve me mjetet e ish-ushtrisë popullore të Enver Hoxhës.  Ikja arriti kulmin në ditët e errëta të marsit të vitit 1997 ku rasti më fatal i marrjes së një mjeti që dikur i përkiste ushtrisë, qe ai i anijes Katër i radës, një anije e vogël patrullimi brigjesh e cila e mbylli tragjikisht udhëtimin e saj.
Edhe helikopteri me të cilin është arratisur personazhi i kësaj historie bënte pjesë në flotën e varfër të helikopterëve të Ushtrisë Shqiptare, në dizpozicion të shumë vendeve ish komuniste.
Rasti më i pabesueshëm i largimit nga Shqipëria me një mjet të flotës ajrore shqiptare mbetet sidoqodtë ai i një piloti shqiptar të një avioni luftarak MIG i cili fluturoi i pashqetësuar nga Tirana në Leçe në marsin e 1997-ës pa u zbuluar nga radarët italianë.

nga Irida Cami

Abedini është një pilot i Aviacionit Ushtarak Shqiptar, ose më mirë, ishte. Pasi ka pritur për muaj të tërë në një kamp refugjatësh, më në fund thirret nga zyra e strehimit politik pranë  Ministrisë së Punëve të Brendshme italiane. Abedini hyn në sallën ku dëgjohen deklaratat e atyre që kërkojnë strehim politik, përshëndet gati ushtarakisht nëpunësin dhe i buzëqesh druajtur përkthyeses shqiptare. “Mirëdita”, i thotë ajo. “Mirëdita” i përgjigjet piloti duke mbërthyer deri në fyt xhakoventën prej lëkurë kafe. Nëpunësi italian, disi i bezdisur nga familjariteti i tepruar mes dy shqiptarëve, fillon menjëherë me pyetjen kyçe: “Na flisni për arësyet që ju kanë shtyrë të kërkoni strehim politik në Itali”.
Abedini kollitet lehtë si për të pastruar zërin dhe fillon të tregojë: “Po e shihja që gjithçka po shkatërrohej. Ato pak gjëra që kishim arritur të ndërtonim në Shqipëri nga viti 1990 deri më 1997, po thërrmoheshin si kështjella rëre. Në Tiranë njerëzit dukeshin si të çmendur, armët i shihje kudo dhe jo rrallë shkaktonin viktima të pafajshme. Mendoja e stërmendoja për të gjetur një rrugë të sigurt për të ardhur në Itali. Dikush më propozoi të paguaja një skafist, por paratë që kërkonin për udhëtimin tim, të sime shoqeje dhe të tim biri, nuk i kisha.
Për më tepër nuk mund të udhëtoja natën me gomone, me një fëmijë pak muajsh. Kushedi ç’mund të ndodhte. Nga mëngjesi në darkë mendoja si e si të gjeja një zgjidhje. Por këdo që pyesja  më këshillonte një lundrim të shpejtë dhe emocionues me gomone. Si mund të largohej nga vendi një pilot helikopteri i aviacionit shqiptar? Përgjigjja më erdhi si një rrufe drejt e në gjoks. Një zë brënda meje buçiti: “Merr helikopterin, mor hajvan!”. Si  nuk e kisha menduar më parë? Kur ia thashë sime shoqeje, të shkretës grua sa s’i ra të fikët: “Luajte mendsh? Mos do që të na vdesë djali në një nga ata përbindëshat fluturues?” Ngriva në vend. Mund të pranoja të më quante të çmendur a të luajtur mendsh, por kurrsesi nuk mund të pranoja që ime shoqe të quante përbindësh fluturues atë kryevepër të inxhinierisë së aviacionit. Një Mi-8 të vitit 1983, prodhim sovjetik, i blerë i dorës së tretë nga aviacioni bullgar, praktikisht i përsosur. I thashë gruas të merrte me vehte ndonjë plaçkë dhe t’i vishte djalit një fanellë të leshtë. Vesha uniformën e oficerit dhe u nisëm në këmbë drejt aeroportit ushtarak, ku në kohë të Enverit vetëm prania ime do të kish vënë gatitu ushtarët. Tashmë aeroporti ishte i shkretë, dukej i braktisur, si e gjithë Shqipëria. Kërkova helikopterin, shokun tim të vjetër të fluturimeve. Kur ia tregova sime shoqeje, ajo psherëtiu mbyturazi dhe instiktivisht shtrëngoi në gjoks Altinin e vogël si të kish frikë mos ia shkulte njeri nga krahët. “Mos ki frikë, zëre se është shëtitje”, i thashë sa për t’i dhënë zemër.
Mbusha serbatorin me një mishelë që e kisha blerë te njëri që e prodhonte në shtëpi (mos më pyesni sesi e bënte, ne shqiptarët ua gjejmë anën të gjithave. Di vetëm që shumë njerëz dilnin nga shtëpia e tij me bidona benxine dhe shishe rakie). Motori u ndez për mrekulli. Rregullova time shoqe në vendin e bashkëpilotit, mbylla sportelin (pas shumë përpjekjesh se vende-vende ishte i ndryshkur) dhe dalëngadalë, mes një rrapëllime shurdhuese, ngrita helikopterin.
“Abedin” – më thotë gruaja.
“Hë”
“Me gjithë mend e ke do të shkojmë në Itali me këtë?”
“Sigurisht! – ia ktheva – ta kam thënë njëqind herë se është i sigurt.”
“Nuk e kam fjalën te siguria, por është i qelbur fare”
Kishte të drejtë gruaja. Në nxitim e sipër nuk e kisha vënë re. Helikopteri nuk bënte figurë të mirë : mbi xham kishte njolla të mëdha të lëna insektet, ndërsa glasat e zogjve vështirësonin të parët. Me siguri nuk do të linim përshtypje të mirë kur të arrinim, por s’kisha ç’të bëja. Duke fluturuar në kuotë të ulët dola nga aeroporti i vogël dhe u drejtova nga Tirana. Njerëzit na shihnin të çuditur, të ngrirë si statuja, me kokat lart dhe gojët hapur. “Kushedi mendojnë se po mbërrin ndonjë pushtetar”, i thashë gruas që përshëndeste ata që i dukeshin të njohur.
Me të kaluar Tiranën, për pak minuta arritëm mbi Durrës. Që aty kapëcyem bregdetin dhe u drejtuam të vendosur për në Itali. Askush nuk na qëlloi, askush nuk ka dha sinjale për t’u ndalur, askush nuk u lidh me ne në radiotransmetues (edhe ngaqë radioja ishte e prishur). Fluturimi na shkoi vaj fare. Fluturonim aq ulët sa dallonim dallgët e Adriatikut, ndërsa Shqipëria zhdukej nga pasqyrat prapashikuese. Kur rripi i fundit i tokës sonë u zhduk nga pasqyrat, unë dhe gruaja ndjemë një therje në zemër, kurse djalit i doli pakëz qumësht nga goja. Kur motorit të helikopterit i ranë për një çast xhirot, mendova se edhe ai kish të drejtë të ndiente, në mënyrën e vet, pak trishtim. 
Arritëm në Otranto në më pak se një orë. Nuk ia kisha idenë se ku mund ta ulja helikopterin. Fillova të kërkoj ethshëm një fushë, një shesh, më mjaftonte edhe një taracë pallati të madh. Më në fund më zuri syri një shesh përpara ca kapanonëve. Ndërsa uleshim me hijeshinë dhe përpikmërinë e atij që ka kaluar mbi helikopterë gjysmën e jetës, pashë një turmë njerëzish që filloi të mblidhej poshtë nesh. Na shikonin me kureshtje dhe nga rrugë të ndryshme të qytetit mbërrinin në shesh makina policie me sirena të ndezura. Ah, më në fund dikush u kujtua për ne! Ula helikopterin lehtë mbi shesh dhe shuajta motorin.
Dola jashtë me një kërcim, mora nja dy lecka nga duart e sime shoqeje dhe pastrova me kujdes xhamin e helikopterit. Rregullova uniformën dhe u dorëzova së bashku me gruan e me djalin tek dy karabinierë që na shihnin të hutuar si të mos i besonin syve. “Jam oficer i Republikës së Shqipërisë. Kërkoj strehim politik” – u thashë me ton ushtarak dhe në qëndrim gatitu.
Nëpunësi i ministrisë shikon me ngulm Abedinin. Me siguri mendon se po të dojë, ai mund të parkojë çfarëdo mjeti fluturues edhe brënda Koloseut. “T’ju kërkoj një nder? – pyet me mirësjellje piloti shqiptar – Po të mos merret parasysh kërkesa ime për strehim politik, a mund të ma ktheni helikopterin?”
“Për çfarë e doni?” – pyet kureshtar nëpunësi.
“Mund të shkoj e të kërkoj strehim  politik diku tjetër” – përgjigjet Abedini.

Irida Cami

 

Më thuaj ç’dokument ke, të të them se deri ku mund të shkosh me pushime

Albania, il paese che non c’era