Pjesa tjetër e Shqipërisë, ajo më e madhja. Shqiptarë të thjeshtë, të cilat kriza i ka detyruar, veç të tjerave, që të anullojnë edhe pushimet e prenotuara, apo thjesht të mos e çojnë fare në mendje që të shkojnë diku këtë verë. Të tjerë mendojnë të emigrojnë
Nga Gladiola Bendaj, revista Java
Avionët charter janë rrafsh me prenotime për pushime, të thonë në agjencitë turistike, edhe pse çmimet janë rritur 3 për qind vetëm sivjet. Këtë vit pushimet e luksit nuk kanë munguar, përkundrazi janë rritur kërkesat. Palma de Majorka, Maldive, Dubai… Në mos e thonë për të mos prishur imazhin, përsëri e vërteta nuk mungon. Sigurisht, shqiptarët e kamur, shumë pak, aq sa janë, kriza nuk i prek as me pupël. Ata s’i pushon njeri nga puna, s’ndiejnë peshën e taksave të fryra, nuk u duhet të zgjedhin midis pushimeve dhe dasmës, pushimeve dhe shkollimit të fëmijëve, pushimeve dhe dentistit, qerasë së shtëpisë, një hoteli me tre-katër-pesë yje dhe një çadre kampingu. Për ta nuk “bie Kartagjena” kurrë.
Por, përtej brezit të klasës së tyre, një tjetër brez i gjerë shqiptarësh të mesëm e të varfër, që punojnë e kursejnë gjithë vitin për të bërë një palë pushime në verë, kanë filluar të heqin dorë nga këto të fundit. Papunësia, rënia e tregut, kriza ekonomike, rritja e çmimeve, shtrëngimi i të ardhurave deri në pamundësinë e përmbushjes së nevojave minimale të jetesës, i detyron një pjesë të mirë të shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të reja kur vjen fjala tek pushimet. Çdo ditë e më shumë janë të paktë ata që ia kanë luksin një udhëtimi në plazhet jashtë vendit. Sikurse nuk janë të pakët edhe ata që nuk do shkojnë asgjëkund, por do qëndrojnë në shtëpi. Të shpenzojnë sot para që mund t’i qajnë nesër, mund të ishte edhe e papërgjegjshme. Dhe së nesërmes, me të vërtetë s’i dihet…
Kemi trokitur në pushimet e dëbuara të një çifti të ri që duhet të zgjidhnin midis tyre dhe dasmës, në pritje të fëmijës së parë; në pushimet e harruara të një 50 vjeçari që i duhet të emigrojë edhe në 2012-ën, që në shtator të bijat të shkojnë në shkollë; dhe në pushimet e transformuara të një të reje beqare, që në vend të valixhes së fluturimit, ka bërë gati një bag-packers për t’u zhvendosur në një kamping çadrash në jug të vendit. Ka nga ata që psherëtijnë, ka të dhe nga ata që e marrin me sportivitet. E vërteta është që kriza, nuk kish si t’i kursente edhe pushimet.
Verë 2012, në vend të pushimeve kryefamiljarët emigrojnë
Një zgjidhje të tillë gjeti edhe Luan G, 50 vjeç, babai i tre vajzave, dy prej të cilave binjake nga 18 vjeç. Si pakkush në ditët e sotme, atij iu desh të emigronte edhe njëherë drejt Italisë fqinje.
Ai kishte gati dhjetë vjet që kishte hapur një ofiçinë të vogël në Tiranë, të cilën u detyrua të mbyllte fare diku nga nëntori i shkuar. Puna ra dhe taksat u shumëfishuan. Fillimisht kishte shkurtuar vendin e ndihmësit që kishte, kishte ndenjur dhe pak muaj vetëm e pastaj e kishte mbyllur fare. “Ishim për bukuri. Luanit i ecte puna mirë, vajzat venin në shkollë, unë isha në punë dhe sigurisht që bënim pushime çdo vit. Turqia na pëlqente. Zgjidhnim një ofertë mesatare, të pestë 2000-2300 euro nga shkoi, dhe të paktën për dhjetë ditë harronim çdo gjë.
Ka një vit që gjërat ndryshuan si nata me ditën. Tani themi ‘Shëndetin!’ e të kemi fëmijët mirë.”, tregon Tefta, e shoqja. Gati një vit më parë ajo mbeti pa punë, pas shkurtimeve masive që u bënë në administratën e pushtetit lokal pas zgjedhjeve të fundit. “Aty nisi, e s’e ngritëm më kokën. E para unë që mbeta pa punë e pastaj edhe ai. Se kishte menduar më emigrimin, po ja që s’kishim zgjidhje tjetër. Iu kishte premtuar vajzave që do t’i çonte në universitetin që donin këtu. Por më parë do shkonin me pushime. Në Shqipëri do qëndronim sivjet, në Qeparo na kanë thënë që ishte bukur e pastër e do venim bashkë me një familje tjetër miqsh. Po Luani nuk vjen dot tani në verë, punon andej e s’ka leje.
U ka premtuar vajzave shkollën. Presin. Do venë njëra për dentiste e tjetra për fizioterapi. Ka dërguar paratë për këstin e parë të studimeve, nga 1200 euro secila. E vetmja që do shkojë me pushime është Viola, e madhja. Punon në një agjenci turistike, ka nja gjashtë muaj dhe ikën me ata të punës në Mal të Zi, si për punë e si për pushime bashkë”. Janë një prej familjeve shqiptare që i përkisnin deri dje klasës së mesme, të cilave papunësia dhe kriza ekonomike iu ka tronditur ndjeshëm qetësinë dhe mirëqenien e djeshme.
Lexo shkrimin të plotë në Revistën Java: Ata që nuk shkojnë me pushime