Në prani të shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë italianë, Kurti do të prezantojë romanin në gjuhën italiane: “In assenza di parole”
Poetesha dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nga 21-24 prill do të jetë e ftuar në bordin e anijes Grimaldi Lines Cruise që do të udhëtojë për në Barcelonë së bashku me shkrimtarë të tjerë, regjisorë dhe aktorë italianë. Shkrimtarja do të prezantojë romanin e fundit me titull “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve).
“Una Nave di libri per Barcellona” (Një anije me libra për Barcelonë) organizohet me iniciativën e revistës më të madhe letrare në Itali, Leggere: tutti, që shpërndahet në të gjithë territorin italian.
Çdo 23 prill, në ditën e San Giorgio-s, festohet Dita Botërore e Librit, e njohur edhe si “Dita e Librit dhe e Trëndafilave”, e shpallur nga UNESCO në datën simbolike në të cilën përkujtohet përvjetori i vdekjes së shkrimtarëve Miguel de Cervantes dhe William Shakespeare. Festa është një traditë që ndiqet dhe pëlqehet në Katalonjë: me rastin e Ditës Botërore të Librit, Barcelona mbushet me trëndafila dhe libra, në një festë me poetë dhe shkrimtarë që gjallërojnë tërë qytetin. Është zakon që në këtë ditë burrat t’u dhurojnë grave një trëndafil dhe të marrin prej tyre një libër.
Gjatë udhëtimit vajtje-ardhje për në Barcelonë në Grimaldi Lines, si çdo vit do të ketë një program të pasur argëtimi me lexime, shfaqje teatrale, filma, debate në praninë e shkrimtarëve të famshëm dhe më tepër se kaq.
Autorë të njohur e kanë pritur me entuziazëm ftesën për të qenë prezent në bord. Midis atyre përmendim: Haidar Hafez, Kandidat i çmimit Nobel për paqen; shkrimtarja Cristina Caboni; shkrimtari dhe politikani Mario Capanna, Claudio Damiani një nga zërat më të rëndësishme të poezisë bashkëkohore italiane; Fabio Stassi me librat e tij të fundit të botuar nga Sellerio.
Shkrimtarët në bord do të intervistohen nga gazetarja si dhe bashkëpunëtorja e revistës Leggere: tutti, Fiorella Cappello.