in

Bari. Familje shqiptarësh po vidhen me dhunë rrugës drejt portit

Shoqata e shqiptarëve të Puglias Luigj Gurakuqi denoncon raste të shumta vjedhjesh familjesh shqiptarësh që me makina i drejtohen portit të Barit. Rasti më i fundit më 11 korrik kur gjyshërit me tre mbesa të vogla në makinë janë ndaluar nga dy persona me motoçikletë që u kanë vjedhur paratë e dokumentet nën kërcënimin e marrjes së njërës nga vajzat. Shoqata: “Kërkojmë më shumë kontrolle nga forcat e rendit”

Romë, 16 korrik 2014 – Pak a shumë ndodh gjithnjë njësoj: ndërsa njerëzit, kryesisht shqiptarë e kosovarë, që udhëtojnë me makinë e marrin tragetin drejt Shqipërisë, dalin nga autostrada dhe i afrohen portit, banditët u dalin përpara dhe, duke i kërcënuar herë me çelës anglez, herë me grabitjen e fëmijëve që shohin në makinë, detyrojnë viktimat e tyre t’u japin çantat. Veçanërisht tani në verë kur fluksi i udhëtarëve me traget rritet, janë shtuar ndjeshëm edhe këto raste vjedhjesh të dhunshme.

Problemin e ngre edhe pranë redaksisë së Shqiptariiitalise.com, shoqata Luigj Gurakuqi e shqiptarëve të Puglias që këtë çështje e ka ndjekur nga afër. Artan Cirraga i shoqatës, që punon në Entin Portual të Barit, flet për raste të shumta: “Ndodh thuajse përditë, e gjithnjë në të njëjtën mënyrë, në të njëjtin vend, në 2-3 km e fundit nga dalja nga autostrada deri në port, e në të njëjtin interval kohe, 19.00-22.00. Banditët me fytyrë të mbuluar nga skafandra integrale, u dalin me motor përpara makinave të udhëtarëve, sidomos atyre me targa jo italiane, dhe duke i kërcënuar arrijnë t’u zhvatin valixhe e çanta të vogla, me dokumente e para brenda”.

Artani nis në redaksi edhe një kopje të denoncimit të bërë në polici më 11 korrik nga një çift kosovarësh që shkonte në Shqipëri me tre vajzat e vogla të djalit. Në polici kanë deklaruar se një motor u është vënë në krah ndërsa prisnin që semafori të bëhej i gjelbër, njëri prej tyre ka zbritur, ka hapur derën e makinës nga ana e apasagjerit e u ka kërkuar t’i jepnin çantën. Duke parë qëndresën e gruas, i kanë marrë njërën nga mbesat që mbante në prehër duke e detyruar kështu të dorëzonte menjëherë çantën e fshehur poshtë ndenjëses së saj ku kishte dokumentet, biletat, 3 mijë euro para të thata dhe disa xhevahire. “Me ndihmën e konsullit shqiptar kontaktuam konsullin kosovar në romë që i priti të nesërmen edhe pse ishte e shtunë e zakonisht zyrat ishin mbyllur. – thotë Artani – Familjen e shoqëroi në Romë një nga ne të shoqatës, Robert Hoxha sepse ata ishin shumë të tronditur edhe kishin frikë të merrnin sërish udhën”.

Ndërsa shkruajmë këto rreshta një sinjalizim për një vjedhje gjithnjë në afërsi të portit të Barit mbërrin në redaksi nga Shqipëria, nga një grua rezidente në Milano, që kishte mbërritur në Durrës rreth një muaj më parë pasi kish vuajtur të njëjtin taksirat para marrjes së tragetit.

Në rastin që shoqata Luigj Gurakuqi ka rrëfyer vetëm pak ditë më parë nga kjo ngjarje për Corriere della Sera flitet për burrë e grua, rezidentë në veri të Italisë, që me makinë i drejtoheshin portit: banditët u thyen me çelës anglez xhamat e makinës, rrahën gruan, i zhvatën çantën që mbante në prehër dhe u zhdukën bashkë me dokumentet e çiftit e disa mijëra euro. 

“Situata është alarmuese, nevojiten më shumë kontrolle nga forcat e rendit. – thotë Artani – Po vidhen njerëz që vijnë nga larg, edhe nga Zvicra apo Franca, të cilëve jo vetëm u merren mijëra euro por u krijohen edhe jo pak probleme për të marrë tragetin pasi mbeten pa para, pa dokumente e pa bileta”. E në këtë aspekt, shoqata ngre edhe problemin e orarit të konsullatës shqiptare në Bari: “Kur mbeten pa dokumente, viktimave u duhet që përveç denoncimit të marrin një leje kalimi në konsullatë që pasdite është gjithnjë e mbyllur. Meqë atë dokument shqiptarët e paguajnë 35 euro, pse konsullata të mos mendojë të zgjasë orarin e pritjes. Të paktën në periudhën e verës kur fluksi i udhëtarëve është shumë i lartë”.

Natyrisht kështu mund të zgjidhin problemin deri në njëfarë mase shqiptarët. Për kosovarët është akoma më keq, duhet të shkojnë në Romë për të marrë lejen e kalimit.

K.B. Shqiptari i Italisë

Cittadinanza italiana. “18 anni… in Comune!” – tutti i passi da fare

Tirana & Albania, per conoscere l’altra sponda dell’Adriatico