Lulzim Basha takon nxënësit e Gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, Tiranë, dhe u flet për liberalizimin e vizave dhe të drejtat e detyrimet që rrjedhin prej tij
Tiranë 14 tetor 2010 – “Nëse Shqipëria nuk do të përmbushte të gjitha kushtet, lëvizja e lirë do të ishte ende një iluzion”, deklaroi dje ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në një takim me nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ku ndër të tjera i informoi me të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga liberalizimi i vizave.
Në përgjigje të pyetjes së nxënësve për marrjen e vendimit përfundimtar, Basha u shpreh se “pritet një vendim pozitiv nga të gjithë ministrat e Brendshëm të BE-së për heqjen e vizave”.
Ministri Basha e argumentoi optimizmin e tij, me plotësimin e kushteve nga Shqipëria dhe mbështetjen e madhe që i dha Parlamenti Europian më 7 tetor, duke votuar pro heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Të rëndësishme në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Basha vlerësoi pajisjen e qytetarëve me dokumentet e reja të identitetit, sigurinë e kufirit, luftën kundër krimit, teknologjinë dhe personelin e trajnuar me të cilat ai luftohet, sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Më tej, ministri Basha i informoi nxënësit për të drejtat dhe detyrimet që do të kenë shqiptarët me liberalizimin e vizave në zonën Shengen. “Rregullat Shengen përcaktojnë që ju mund të udhëtoni në çdo shtet që do të dëshironi të hapësirës Shengen. E rëndësishme është që në të gjithë hapësirën Shengen, të mbledhur së bashku, ju mos të kaloni më shumë se 90 ditë çdo 180 ditë. Penalitetet shkojnë nga pengesa për të hyrë në zonën Shengen, tek riatdhesimi i detyruar me forcë në vendlindje, tek ndalimi i individit për të udhëtuar në hapësirën Shengen për një periudhë deri pesëvjeçare”, informoi ai. Basha theksoi se, “me liberalizimin e vizave, askush nuk mund të punësohet”. Gjithashtu ai sqaroi dhe procedurat që duhet të plotësojnë nxënësit dhe studentët nëse duan të shkollohen në vendet e zonës Shengen.
“Nëse do të shkoni për një studim me kohëzgjatje mbi tre muaj, për një vit në një nga gjimnazet e BE-së, ju duhet të pajiseni me një vizë studimi. Por, për një vend ku qytetarët lëvizin lirshëm brenda parametrave të lëvizjes së lirë, marrja e një vize studimi është pakrahasueshmërisht më e lehtë sesa për një vend, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin me parametrat e lëvizjes së lirë”, tha ministri i brendshëm, Basha.
Lexo edhe: Nga Shqipëria në Itali: me apo pa vizë?