Më parë zgjasnin një vit e gjysmë. Sporteli Unik në regjim të plotë pune me flukse, legalizime, test të italishtes dhe kurse formimi. Bisedë me drejtuesin Ferdinando Santoriello
Romë, 17 tetor 2011 – “Trajtojmë rreth pesë mijë bashkime familjare në vit. Tani nga dorëzimi i kërkesës deri në çastin e dhënies së autorizimit kalojnë, maksimumi, tre muaj”.
Ferdinando Santoriello, nënprefekt i Romës, drejtues i Sportelit Unik për imigracionin të kryeqytetit, tregon me krenari një nga rezultatet e arritura nga zyra e tij. Qëndrim që duket i justifikuar po të mbahet parasysh që deri dy vjet më parë, kur mori këtë detyrë, imigrantët që kërkonin të bashkonin familjet e tyre prisnin edhe një vit e gjysmë për të marrë përgjigje.
“Merita është e një organizimi të punës dhe të procedurale, por edhe e digjitalizimit të lartë të praktikave” thotë nënprefekti. “Për bashkimet familjare, për shembull, tani gjatë takimit të parë me kërkuesit kontrollojmë menjëherë dokumentet e nëse gjithçka është në rregull lëshojmë menjëherë autorizimin. Për më tepër kemi informatizuar protokollin dhe skanarizojmë të gjitha dokumentet për të pasur edhe fashikuj elektronikë”.
Edhe pika e nxehtë e legalizimeve duket se është “ftohur”. “Kishim 33 mijë kërkesa, na kanë mbetur për të përfunduar vetëm një mijë. Janë ato më problematiket, për të cilat, për shembull, janë duke u bërë hetime për të verifikuar situata jo aq të qarta, e në disa raste janë hapur edhe procedura penale. Por, natyrisht, janë edhe ankimimet, të cilat vazhdojnë”.
Ndërkaq vazhdohet të punohet me flukset e hyrjes. Në Romë janë paraqitur diçka më pak se 30 mijë kërkesa, por kuotat në dispozicion janë vetëm dymbëdhjetë mijë. Sporteli Unik ka lëshuar tashmë 8 mijë autorizime, ndërsa për 4 mijë kërkesa pret integrimin e praktikës. Kur do të përfundoni? “Brenda pranverës” thotë drejtuesi”.
Santoriello dhe stafi i tij administrojnë edhe prenotimet të testeve të italishtes tashmë të detyrueshme për të gjithë ata që duan të marrin kartën e qëndrimit. “Këtë vit kemi organizuar 200 seksione për 8 mijë persona, në mbi 30 qendrat e provincës ku zhvillohet testi. Thirrjet për të mbajtur testin u mbërrijnë të interesuarve shumë më përpara 60 ditëve të parashikuara nga ligji, në Itali jemi ndër ata që kanë testuar më shumë persona në më pak kohë” siguron Santoriello.
Vitin e shkuar, duke përdorur një financim evropian, Sporteli ka organizuar edhe kurse formimi mbi të drejtën e imigracionit dhe mbi procedurat që janë kompetencë e tij. “Kjo na ka dhënë mundësi të formojmë profesionalisht shumë imigrantë, me leksione teorike dhe praktikë pranë zyrave tona. Tani shumë prej tyre punojnë në agjencitë e praktikave për të huajt, në CAF dhe patronate”.
Fondet e Brukselit kanë mbaruar, por eksperienca përsëritet edhe këtë vit falë bashkëpunimit me universitetin Popullor të Romës. Në fakt, Sporteli Unik o të jetë partner shkencor i një “kursi për ekspertë në ndërmjetësimin kulturor”, që do të ketë edhe në këtë rast leksione teorike dhe eksperienca praktike. “Është formim profesional, por eksperienca në zyrat tona arrin të zvogëlojë distancën mes institucioneve dhe qytetarëve, të tregojë se si punojmë, të reduktojë konfliktet e të gjejë zgjidhjet”.
E zgjidhje nevojiten shumë, veçanërisht tani që pritet të vijë në fuqi marrëveshja e integrimit. Së shpejti do t’i takojë Sportelit Unik të shpjegojë e të vërë të firmosin marrëveshjen të gjithë të ardhurve të rinj (edhe 100 në ditë) dhe pastaj, pas dy muajsh, t’i thërrasë për një kurs të shkurtër edukimi qytetar.
“Por pjesa më e vështirë – pranon drejtuesi – do të vijë pas dy vjetëve nga hyrja e të huajve në Itali, kur do të na duhet të verifikojmë nëse i huaji i ka përmbushur objektivat e marrëveshjes, duke vlerësuar të gjithë elementët që japin apo heqin pikë. Pa llogaritur që do të nevojitet një njësim i kritereve të vlerësimit të përdorura nga operatorët e ndryshëm që do të trajtojnë praktikat”.
Rezultati i sfidës do të varet kryesisht nga personeli që duhet të përballojë vëllimin e punës. Sot me Santoriellon punojnë më shumë se 30 vetë, pa llogaritur ndërmjetësuesit kulturorë dhe praktikantët. “Punojmë thuajse vetëm me takime të marra përpara dhe arrijmë të mbajmë hapur pa ndërprerje 14 sportele nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16. Po të na reduktojnë personelin do të kemi më pak sportele hapur, e do të ngadalësonim dhënien e takimeve gjë që do të sillte zgjatjen e kohës së pritjes për përmbylljen e praktikave”.
Skenar ky i fundit shumë i mundshëm, sepse edhe në Romë punonjësit e varur me kontratë të pakufizuar në kohë janë në minorancë, vetëm dhjetë. Të gjithë të tjerët janë punonjës me kontrata të përkohshme që do të përfundojnë në fund të vitit dhe tani për tani qeveria nuk flet për përtëritjen e tyre (e në këtë atmosferë shkurtimesh të vazhdueshme, shpresat janë vërtet shumë të vagëta). “Janë të rinj që punojnë prej vitesh me ne, tashmë janë plotësisht të pavarur, kanë njohuri shumë të mira mbi procedurat dhe sistemin informatik. Ata përbëjnë shtyllën kurrizore të Sportelit Unik” thotë Santoriello. Është e qartë që, pa “shtyllën kurrizore” Sportelit Unik për Imigracionin në Romë, që më në fund punon me ritme të larta, do t’i duhet të ngadalësojë hapat.
Elvio Pasca