Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian konteston normën italiane mbi burgosjen e klandestinëve që nuk riatdhesohen. Shkel direktivën komunitare mbi riatdhesimet
Romë, 28 prill 2011 – “Italia nuk arrin të riatdhesojë klandestinët? Kjo nuk mjafton për t’i burgosur ata”. Ky është pak a shumë thelbi i asaj çka vë të zezë mbi të bardhë Gjykata e Drejtësisë së Luksemburgut, duke kundërshtuar për të njëqindtën herë politikat italiane mbi imigracionin. Dhe ajo që thotë Gjykata e Drejtësisë do të ketë pasoja edhe në gjykatat italiane, që duhet të gjykojnë imigrantët e parregullt të arrestuar nga forcat e policisë.
Ka mbërritur sot sentenca mbi rastin e Hassen El Dridi, algjerian i dënuar me një vit burg nga gjykata e Trentos sepse nuk ishte larguar nga Italia pas urdhrit të dëbimit, siç parashikohet nga dekreti i sigurisë i miratuar dy vjet më parë nga qeveria italiane. Gjatë procesit të apelit, gjykatësit italianë i kanë kërkuar Gjykatës së Drejtësisë evropiane nëse ky trajtim përputhet me rregullat evropiane, dhe veçanërisht me direktivën mbi riatdhesimet.
Direktiva parashikon që klandestinët fillimisht të urdhërohen të largohen, ndërsa dëbimi i menjëhershëm, mbajtja në Cie (qendrat e identifikimit dhe dëbimit) dhe mbyllja në burg duhet të bëhen në raste të veçanta. Direktiva nuk është përvetësuar nga qeveria italiane, por afati ka skaduar në dhjetor të vitit të shkuar, kështu që siç kanë vënë në dukje shumë gjykatës, prokurorë dhe penalistë, direktiva evropiane mund të aplikohet automatikisht.
Gjykata e drejtësisë shpjegon sot me një komunikatë që “procedura italiane e dëbimit dallon shumë nga çka parashikon direktiva”. Dhe legjislacionet e shteteve anëtare “duhet sidoqoftë të respektojnë të drejtën e Bashkimit Europian”. Ndaj, “nuk mund të aplikojnë një normë, qoftë kjo edhe e të drejtës penale, të tillë që të komprometojë realizimin e objektivave të direktivës dhe t’i heqë kësaj të fundit efektin e dobishëm”.
Në veçanti, “Gjykata e Drejtësisë konsideron që shtetet anëtare nuk mund të fusin një dënim me heqje lirie vetëm sepse janë të pasuksesshme në masat e adoptuara për largimin e menjëhershëm të të huajve” siç parashikon ligji italian, “vetëm sepse një shtetas i huaj, pasi i është notifikuar urdhri i dëbimit nga territori kombëtar […] qëndron ilegalisht në këtë territor”.
Një dënim i tillë – vërejnë gjykatësit e BE-së – pikërisht për kushtet dhe mënyrat e aplikimit, rrezikon të komprometojë realizimin e objektivit të direktivës evropiane”. Ky objektiv është “krijimi i një politike efikase për largimin dhe riatdhesimin e qytetarëve të vendeve të treta, qëndrimi i të cilëve është i parregullt, në respekt të të drejtave të tyre themelore”, por me sa duket, zgjedhjet e qeverisë italiane shkojnë në drejtim krejt tjetër.
Elvio Pasca
Lexo tekstin e sentencës së Gjykatës së Drejtësisë BE