“O më jep 500 euro ose të shkatërroj lokalin” kërcënonte shqiptari B.Z. pronarin e një bari të zonës. E arrestojnë në flagrancë bashkë me një 46 vjeçar vendas
Romë, 7 korrik 2012 – Ka përfunduar në burg me akuzën e zhvatjes së parave me anë të kërcënimeve 26 vjeçari shqiptar B.Z., pa punë e rezident në Arzago d’Adda të Bergamos. Bashkë me të është ndaluar e paditur në gjendje të lirë edhe një 46 vjeçar nga Caravaggio (Bergamo). Të dy bashkë dilnin nga një lokal në sheshin Martini të Treviglios ku i riu sapo i kishte marrë një zarf me 500 euro pronarit.
Historia ka nisur rreth dy javë më parë kur në kafenenë “Bombazza” u paraqit një i ri që i kërkoi pronarit t’i jepte 500 euro, përndryshe i shkatërronte lokalin. Kërcënimet nuk e kanë trembur pronarin, por 26 vjeçari e bëri rruë e është kthyer edhe herë të tjera duke i kërkuar shuma të vogla nga 30 e 50 euro, pa arritur të fuste në xhep as edhe një qindarkë. I lodhur nga vizitat e padëshirueshme të të riut baristi ka lajmëruar forcat e rendit dhe bashkë me to i ka ngritur kurth gjobitësit. I ka lënë një takim për t’i dhënë 500 eurot e sapo 26-vjeçari ka dalë nga lokali është arrestuar nga agjentët e policisë që kishin ndjekur të fshehur veprimet e tij.