Është çka deklaroikryeministri gjatë përurimit të qendrës së skanimit dhe përpunimit të të dhënave të Censusit. Që nuk ka harruar të sulmojë një Aleancën Kuq e Zi dhe Kreshnik Spahiun, nënkryetar të KLD-së
Tiranë 16 shtator 2011 – Kryeministri Sali Berisha u kërkoi shqiptarëve t’i nënshtrohen procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave si qytetarë të lirë, duke e konsideruar këtë proces si më të rëndësishmin në historinë e vendit. “Regjistrimi i popullsisë 2011 është regjistrimi më i veçantë, sepse është i pari i bërë që nga koha e Mbretërisë shqiptare”. “Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të përmbushur të gjitha kërkesat e procesit dhe për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, për përkatësinë etnike apo besimin fetar”, është shprehur ai.
Berisha sqaroi se Censusi do të bëjë të mundur që politikat e qeverisë të jenë më të drejta dhe më të ndershme, pasi ky proces do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve dhe rajonit, të domosdoshme për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore.
Sipas kryeministrit, regjistrimi i popullsisë dhe banesave ka një tjetër element thelbësor, pasi përbën një pasqyrë të kristaltë të përpjekjeve dhe arritjeve të mëdha të shqiptarëve në këto vite lirie: “Në 45 vite, shqiptarët trashëguan 750 mijë bunkerë. Në këto 20 vite ata kanë ndërtuar vila dhe pallate më shumë se në gjithë brezninë e të gjitha kohërave Ndaj kanë arsye të krenohen me të dhënat e këtij regjistrimi”.
Kryeministri u ndal edhe te dy pyetjet, që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike dhe besimin fetar të qytetarëve, dhe në këtë aspekt sulmoi “individë apo organizata kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre dhe ta shpallin atë”, dhe për të mos lënë asnjë dyshim që e kishte fjalën për Aleancën Kuq e Zi ka shtuar: “por kur mendimin kundër e shprehin institucione që me ligj dhe Kushtetutë janë të depolitizuara, atëherë kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse lëvizja faqezi”. “Ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale”.
Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Skanimit dhe Përpunimit të të Dhënave të Censusit ishin të pranishëm ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi deklaroi se Bashkimi Europin kontribuon në fushën e statistikave në Shqipëri sepse të dhënat dhe statistikat zyrtare luajnë një rol thelbësor në shoqërinë e sotme. “Statistikat dhe informacionet e paanshme janë thelbësore për vendimmarrësit po ashtu janë baza e transparencës së vendimeve politike dhe përfaqësojnë një të mirë publike për funksionimin e duhur të shoqërisë”, tha Sequi, në ceremoninë e përurimit të qendrës së skanimit dhe përpunimit të të dhënave të Censusit. Sipas tij, të dhënat cilësore janë të rëndësishme që vendimet publike të jenë të mirëinformuara me anë të analizave të kujdesshme, duke përdorur të dhëna transparente. “Kjo është arsyeja se pse BE po investon në zhvillimin e statistikave në Shqipëri”, deklaroi Sequi. Nga viti 2006, BE ka caktuar 10 milionë euro për statistikat në Shqipëri.