Romë, 1 tetor 2010 – Përpara tre vjetësh administrata me mazhorancë legiste e Tradate, një qytezë me më pak se 20 mijë banorë në provincën e Varese, mendoi mirë të ndihmojë familjet ku lindte një fëmijë, me një bonus, shumë prej 500 eurosh. Por ide më pak e mirë qe ajo e përjashtimit nga kjo ndihmë e foshnjave që nuk kishin nderin (ose FATIN) “të kishin të dy prindët me nënshtetësi italiane”.
Një diskriminim i shëmtuar, siç vendosi më 26 korrik gjykata e Milanos, e cila pranoi ankesën e paraqitur nga Shoqata e Studimeve Juridike mbi Emigracionin dhe nga Onlus-et “Avvocati per niente” dhe “Farsi prossimo”. Gjykatësi i dha urdhër komunës që të heqë kushtin e nënshtetësisë italiane, duke i hapur kështu rrugë për marrjen e ndihmës, edhe familjeve të huaja ose të përziera.
Kryebashkiaku Stefano Candiani, në vend që të zbatonte vendimin, paraqiti një ankesë kundër tij dhe në fund të muajit korrik ndërpreu dhënien e bonusit. Një linjë barazie, sipas tij, që bashkë me emigrantët penalizoi edhe italianët. Por të le me gojë hapur justifikimi i “mbrojtjes së racës” i paraqitur për të bindur gjykatësit.
“Synimi ynë – spjegon në ankesë mbrojtësi i Komunës së Tradate – nuk është absolutisht garantimi i ndihmës për një nevojë. Fakti është që popullata europiane ka një tregues të lartë rënieje demografike. Dhe është e natyrshme që me vdekjen e popujve, vdesin dhe kultura tpërkatëse. Bonusi shërben për të ardhmen e kulturës europiane, e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me vetë popujt e Europës”.
Ato pesëqind euro duhet të shpëtonin pra zhdukjen e europianëve. Po rumunët? Ukrainasit? Shqiptarët? Janë europianë dhe ata? Fëmijët e tyre a nuk do jenë italianët e tradanezët e së ardhmes? Është e kotë të hyjmë në hollësira, sepse ndërkohë kryebashkiaku Candiani dhe bashkëpunëtorët e tij u bllokuan sërish.
Më 29 shtator gjykata e Milanos hodhi poshtë ankesën dhe theksoi se vendimi i komunës është “pa dyshim diskriminues” dhe kundër të gjitha normave të ligjit që garantojnë barazinë e trajtimit të italianëve dhe të të huajve në shërbimet e asistencës. Gjithashtu Gjykata i dha urdhër Komunës që t’i japë bonusin të gjithë të huajve që kanë lindur fëmijë nga viti 2007 e deri më sot.
“Tanimë barazia u rivendos me të vërtetë” komentojnë avokatët e ONLUS-it Avvocati per Niente. Të paktën deri sa administratorët legistë të gjejnë ndonjë ide të re.
Elvio Pasca
Lexo urdhëresën e Gjykatës së Milanos