Ligji botohet në Fletoren Zyrtare më 20 tetor, hyn në fuqi më 4 nëntor, por në ambasadën tonë në Romë ende nuk ka asnje njoftim për fillimin e praktikës së aplikimit për pasaportat biometrike
Ligji nr. 10 322, datë 23.09.2010 “Për ratifikimin e shtesës së kontratës koncensionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit SAGEM SECURITE dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”, që i hap rrugën aplikimit për pasaportat biometrike në përfaqësitë konsullore në Itali dhe Greqi është botuar në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë nr.140 të datës 20 tetor 2010.
Ky ligj, lexohet në Fletore do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit, pra më 4 nëntor, por kjo nuk do të thotë se nga ajo datë do të mund të nisin aplikimet për pasaportë në Romë e Milano. I kontaktuar nga Bota Shqiptare, ambasadori shqiptar në Romë, zoti Llesh Kola, thotë se ende nuk ka një lajmërim zyrtar se kur do të nisë procesi dhe si do të zhvillohet ai praktikisht. “Sapo të njoftohem zyrtarisht për datën e nisjes e kësaj praktike – saktëson ambasadori – do të kërkoj të përcaktohen që në fillim kritere të qarta mbi mënyrën e aplikimit, numrin maksimal të mundshëm të aplikimeve në ditë, gjetjen e një rruge të përshtatshme për marrjen e takimeve. Në mënyrë që kush të paraqitet për aplikim në Milano apo në Romë të mbarojë punë menjëherë dhe njëkohësisht të mos ketë dyndje njerëzish e radhë në dyert e konsullatave”.
Lexo edhe: Pasaporta e letërnjoftimi në konsullatë. 100 euro për njeri