in

BRENGA IME SHQIPTARE – Aurelia dhe Xhuzepe

Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e parë (vijim)

Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi  
Brenga ime shqiptare – Dajti
Brenga ime shqiptare – Shoku i vjetër

Aurelia dhe Xhuzepe

giuseppe dhe Aurelia në Gjirokastër, 1936Mes të çarave të grilave shfaqen rrezet e para të dritës, më vijnë në vesh tinguj të vagullt dhe të mbytur, por nuk më bëhet të ngrihem; mendoj se është ende herët dhe qëndroj i dembelosur në shtrat. Në ngrohtësinë e shtrojeve është rehat. Sot gjendem në vendin ku prindërit e mi njohën gjithë të mirat e të këqijat e mundshme gjatë atyre 9 vjetëve të jetuara së bashku në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Një përzierje ndjesish më sulmon: krenari, zemërim dhe shumë mallëngjim.

Nga rrëfenjat humoristike të familjes, isha njohur me disa detaje të veçanta të historisë së tyre.
E dija që Enveri shkonte sa në Paris në Gjirokastër, ndërkohë që Aurelia bashkë me prindërit shkonte shpesh në rrethin e komunitetit italian. Qyteza po popullohej përherë  e më shumë nga zgjerimi italian në Shqipëri.
Xhuzepe, në detyrën e zëvendësdrejtorit të bankës së vetme italiane në Gjirokastër, ishte bërë person i rëndëisshëm për komunitetin. Aurelia, njëzetvjeçare, ishte tashmë në moshë për burrë.
Nuk u desh shumë kohë që të njiheshin dhe Xhuzepe filloi t’i vinte rrotull e të hynte e dilte në familjen e saj. Pas dy vjetësh i kërkoi dorën.
Për Aurelian, Xhuzepe përfaqësonte një burrë të besueshëm, më këmbë në tokë dhe konkret, shokun, mirëbesuesin dhe ndoshta edhe babanë – i ndante një moshë prej 13 vjetësh. Atë e tërhiqte kjo femër e hijshme, e fortë dhe gjithë vullnet, që gëzonte statusin e një shoqeje të denjë për të kaluar jetën bashkë. Sipas fjalëve të të gjithë atyre që i njihnin, ata formonin një çift të bukur.
Në të njëjtën kohë, Xhuzepe u emërua drejtor i Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Sarandë, një qytezë e këndshme në jug të vendit.
Martesa u bë në vitin 1936 në Konsullatën italiane në Sarandë, sipas ritualit civil dhe fetar nga don Mario, i cili erdhi enkas nga Korfuzi. Në ceremoni, përveç familjarëve dhe kolegëve të bankës, morën pjesë edhe disa personalitete të vendit: përfaqësuesi zyrtar i mbretit Zog I, konsulli italian në Vlorë Salvoni me bashkëshorten, Gambino, administrator i deleguar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Melis, drejtori qendror i po të njëjtës bankë, Lauriçela, komandant i pranisë ushtarake italiane në Vlorë, Rovigati, administrator i deleguar i minierave të Selenicës dhe kapiteni Ponte i milicisë fashiste.
Të sapomartuarit u nisën për muaj mjalti në Itali, bënë itinerarin e Venecias, Triestes, Milanos e Firences dhe ndenjën në hotele me nam, si Danieli në Venecia e Baglioni në Firence. Shkuan në kazinonë e Venecias, në teatrin Scala të Milanos, ishin të pranishëm në një shfaqje të Aidës në Arenën e Veronës, ndaluan për një moment romantik nën ballkonin e Zhulietës.
Aurelia bleu shumë fustane në rrobaqepësitë më të mira milaneze dhe i dërgoi menjëherë në Vlorë. Admiruan Kuptolën e Torinos, kullën e pjerrët në Piza, Urën e Vjetër në Firence, vizituan kishën e Shën Xhustos dhe kështjellën Miramare në Trieste, rrjedhimisht i bënë homazhe edhe Mauzoleut Ushtarak të Redipulias në Goricia dhe shkuan në qytetet e kontestuara gjatë luftës së fundit: Fiume dhe Pula.
Në Torino porositën krijimin më të ri të Fiatit, Balilla 508, të cilën në 1932 e kishte kolauduar vetë Duçja në Vilën Torlonia në Romë.
Punësuan edhe shërbëtorë: motrat nga Veneto Anita dhe Bruna, përveç Euxhenias, e cila kishte punuar më parë në Shqipëri në Konsullatën e Vlorës – bashkë me Alberton, burrin e saj, i cili do të shërbente si shofer, mbrojtës dhe mazhordom.
Aurelia me kostum kombëtar shqiptar, Gjirokastër 1935Ditët e çiftit kalonin intensive dhe të kënaqshme: Xhuzepe, përherë i vëmendshëm dhe i dashuruar, shpërblehej nga Aurelia me po aq dashuri.
Në fund të udhëtimit të gjatë të martesës dhe para se të ktheheshin në Vlorë, ata ndaluan në Pulia, në Castellaneta për të takuar motrën e Xhuzepes, Kiara, me të shoqin Minkuço.
Çifti mbërriti në vend pasi ishte marrë vesh lajmi i martesës përrallore dhe kur ata të dy mbërritën në rruginën Terruzi me makinën që e kishin marrë me qera në Brindizi – ku kishin mbërritur nga Venecia – miqtë dhe të afërmit po mbanin radhë, duke u hedhur petale trëndafilash të bardhë.
Shumë elegantë që të dy, ai me një kostum gri dopiopet, ajo me një fustan të mëndafshtë ngjyrë ajke që nxirrte në pah format harmonishme dhe në kokë një kapelë të madhe, sollën një hijeshi të veçantë mbi turmën që, adhuruese dhe zilimadhe, ishte mbledhur për t’i përshëndetur e festuar me ta.
Urime, puthje e përqafime mes lotësh e buzëqeshjesh, ndërkohë që një mal me bagazhe shkarkohej nga automobili.
Të sapomartuarit kaluan disa ditë në gjirin e familjes dhe në vijim takuan miq e të njohur, duke hedhur njëfarë hijeje kureshtie për shkak të sjelljes së tyre të rafinuar, të pazakonta për një vend të prirur sidomos nga bujqësia dhe larg mondanitetit të qendrave të mëdha.
Qëndrimi në Kastelaneta ishte mjaft shlodhës, çiftin e ftonin të merrte pjesë në takimet me miq në fermat e tyre, mbrëmjet i kalonin duke luajtur brixh, pastaj shkuan në teatrin Petruzzelli të Barit, vizituan edhe arsenalin e Tarantos falë një lejekalimi nga Konsullata.
Leticia, vajza trembëdhjetë vjeçare e Kiarinës, u magjeps nga ajo grua aq e bukur dhe elegante dhe kujtimin e saj e ruajti për gjithë jetën.
Pas më shumë se një muaji, udhëtimi i Aurelias dhe Xhuzepes përfundoi. Pas përshëndetjeve të miqve e të të afërmve, hipën në anijen e Lloyd Adriatico-s që do t’i zbriste në Durrës. Leticia, entuziaste, këmbënguli të shkonte patjetër me ta në Shqipëri, ku ndenji disa muaj.
Ndërkohë që Aurelia dhe Xhuzepe bëheshin gati lumturisht të fillonin jetën e tyre së bashku, po ndizeshin zjarret e luftës në të gjithë Europën.
Në Itali, nacionalistët donin të vendosnin zotërimin e tyre në zonën e Mesdheut dhe në Afrikën e Veriut, duke treguar kështu pavarësinë nga fashizmi dhe nga sistemi perëndimor. Qëllimi ambicioz qëndronte në zgjerimin e kolonive modeste të vendit (Libia, Somalia, Eritrea) në përmasat e një perandorie të dytë romake. Në vitin 1932, Musolini filloi planin për pushtimin e Etiopisë, duke pretenduar se forcat perëndimore nuk do të ndërhynin në ndihmë të një vendi afrikan, që prej tij konsiderohej si i padenjë të përfshihej mes kombeve të qytetëruar.
Për fat të keq, nga Gjermania erdhën menjëherë lajme kobzeza.
Hitleri ia hoqi krejt pushtetin Parlamentit, u dogjën më shumë se njëzet mijë libra në sheshin e Operës së Berlinit dhe qeveria lajmëroi tërheqjen e Gjermanisë nga Lidhja e Kombeve.
Nga ana tjetër, Musolini u përpoq të forconte protektoratin dhe në qershor 1934 dërgoi një skuadër detare në Durrës për të penguar Shqipërinë, e cila kishte qëllim të dilte nga varësia e shtetit italian.
Giuseppe me kostum kombëtar shqiptar, Gjirokastër 1935Përpara kërcënimit ushtarak, qeveria shqiptare u detyrua të firmosë një marrëveshje ekonomike dhe ushtarake.
Në 1934, kombëtarja e futbollit italian fitoi Kupën e Botës në Romë dhe euforia që shkaktoi kjo ngjarje e hoqi për disa kohë vëmendjen e popullit nga ngjarjet politiko-ushtarake që kërcënonin rëndshëm.
Në po atë vit, Adolf Hitleri u vetëshpall Fyhrer i Gjermanisë, duke marrë përsipër edhe detyrën e kreut të shtetit.
Për Hitlerin lufta ishte e pashmangshme: për racën njerëzore, ai e konsideronte të barasvlefshme me ligjin natyror të mbijetesës së më të fortit. Gjermania donte, përveç të tjerash, të fitonte mbrapsht gjithë sa i ishte mohuar në dëm të saj deri në fund të Luftës së Parë Botërore.
Në 1935 forcat italiane pushtuan Etiopinë dhe arritën ta aneksonin pa vështirësi, meqë Lidhja e Kombeve nuk ngriti as gishtin për ta ndaluar. Italia u largua për pasojë nga sfera perëndimore dhe Lidhja e Kombeve u turpërua tërësisht.
Lindi aksi Romë-Berlin: Italia dhe Gjermania nisën rrugën e bashkëpunimit në luftën ndaj komunizmit dhe filluan financimin e forcave antiqeveritare në Spanjë.

Ndërkohë, në Paris, Enver Hoxha kishte mbetur trokë për shkak të ndërprerjes së bursës së studimit të vendosur nga Mbreti Zog I. Në pamundësi për të përfunduar studimet në universitet, në verën e vitit 1936 u kthye në Shqipëri, pranë prindërve në Gjirokastër.
Më vonë arriti të gjente punë si mësues frëngjishteje në Korçë, por shumë shpejt idetë e tij dukshmërisht revolucionare dhe antifashiste ranë ndesh me qeverinë e Zogut I dhe rrjedhimisht u pushua nga puna.
Në 7 prill 1939 Italia pushtoi Shqipërinë.
Në nëntor të po këtij viti, Enveri u largua nga Korça dhe shkoi në Tiranë, për të vënë kontakt me krerët e grupeve komuniste, atë të Shkodrës dhe atë të të rinjve të Korçës.
Në 8 nëntor 1941 u themelua Partia Komuniste Shqiptare.
Enveri, që kishte pasur këtu një rol vendimtar e të rëndësishëm, u zgjodh mes shtatë anëtarëve të Komitetit Qendror të përkohshëm dhe shumë shpejt ra në sy si udhëheqësi i njëmendët i Partisë.
Konferenca e parë kombëtare, e mbajtur në mars 1943, e zgjodhi formalisht sekretar të përgjithshëm të Partisë, detyrë që e mbajti deri në vdekje.
Në maj të vitit 1944 Kongresi antifashist i Përmetit, atëherë i vetmi organ legjislativ i shtetit shiptar me fuqinë e një qeverie të përkohshme, e emëroi kryetar të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Dy vjet më pas, Asambleja e Përgjithshme e formuar nga zgjedhjet e vitit 1945 e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore dhe e e emëroi Enver Hoxhën kryeministër.

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika


Mbi 10 mijë shqiptarë kanë lindur në Itali gjatë vitit 2017

Perché il decreto Salvini va rigettato