in

BRENGA IME SHQIPTARE – Rrugës për në Vlorë

Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e parë (vijim)

Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi  
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe

Shtëpia e Xhavitit

Rrugës për në Vlorë

Zgjohem shumë herët, s’ka shkuar akoma ora 06.00, ndërkohë që nga grilat hyn një dritëz e lehtë dhe nga rrugët dëgjohen shumë pak zhurma. Nuk më zë vendi vend e aq më pak në shtrat. Ngrihem dhe hap grilat. Nëse dita me diell duket që në mëngjes, atëherë dita do të jetë e shkëlqyer: asnjë gjurmë reje në qiell. Lahem, vishem dhe trokas në derën e dajës.
“Po, Aldo, hyr, sa të vishem”.
“Dajë, sot na pret një ditë e gjatë përpara, uroj të mos na dalë ndonjë pengesë”.
“Nuk do të ketë, jo”.
Zbresim të hamë mëngjes, si zakonisht, jemi klientët e vetëm.
Spartaku nuk ka ardhur ende në punë. Shoh orën, është 08.00, por s’duket këmbë robi. Pas si nja gjysmë ore, salloni fillon të gjallërohet dhe më në fund ja ku vjen dhe Spartaku, që kthehet të na përshëndesë menjëherë.
“Më thanë që po prisni taksinë për të shkuar në Vlorë. Mos u bëni merak se e njoh unë shoferin, është njeri i besueshëm. Pastaj, dëgjova që edhe Toli do vijë me ju”.
Pas pak erdhi Toli duke i përshëndetur të gjithë plot ngazëllim.
“Mirë pra, shkova ta thërras vetë taksistin edhe pse e kishim porositur për në orën 9.00, më mirë të tregojmë kujdes vetë… Ramë dakord: për gjithë ditën do 90 mijë lireta”.
“Në rregull Toli, nuk ka problem. Do pish një kafe?”
“Jo, faleminderit, më mirë të nisemi, ka ardhur dhe taksia…”
Hipim në një taksi të shkalafitur fare, ku Toli shërben si guidë dhe si përkthyes sepse shoferi nuk flet italisht, edhe pse kupton mjaft mirë.
Itinerari parashikon përshkimin e rreth 40 km të rrugës së vetme që bashkon Tiranën me Durrësin – që gjendet drejt perëndimit në det – dhe pastaj të vazhdojmë përgjatë bregdetit përreth 100 km drejt jugut, për në Vlorë.
Bluja e qiellit është e fortë, temperaturë e ngrohtë, thuajse vapë, edhe pse nëntor.
Më pret një ditë padyshim emocionuese: do të kthehem në vendet ku kam lindur dhe ku ka familja ime ka kaluar shumë vështirësi.
Rruga është e rrafshët, në disa segmente ngjitur me hekurudhën, e cila nuk është e elektrifikuar dhe përshkohet rjedhimisht nga lokomotiva të mëdha me karburant.
Disa trena bëjnë rugë shumë të kufizuara për shkak se ka vetëm një binar dhe kryesisht transportojnë mallra dhe tek tuk ndonjë vagon të mbushur dingas me pasagjerë.
Në të vërtetë, përgjatë thuajse 100 kilometrave që rruga shkon krahas hekurudhës, ndeshim vetëm dy trena.
Të kudondodhur shohim kudo bunkerë të panumërt të drejtuar kundër ‘armikut perëndimor’, pranë fabrikave, pranë arave të punuara, në rrugë e në sheshe, dëshmi e trishtë e një të kaluare luftarake.
Janë të përmasave të ndryshme – me sy i llogaris nga tre në dhjetë metër diametër – dhe janë grumbuj.
E pyes Tolin se sa mund të jenë në numër këto gjysmësfera çimentoje arme’ që kanë pushtuar peisazhin.
“Më shumë se 700 mijë, të përhapura më shumë përgjatë vijës bregdetare”, më përgjigjet ai.
Absurde! Sa para të hedhura dëm kot, ndërkohë që shqiptarët vdesin urie!
Shpesh jemi të detyruar të ulim shpejtësinë ose të ndalojmë për shkak se kalojnë kamionë shumë të mëdhenj që vijnë nga drejtimi i kundërt dhe që na kujtojnë në mënyrë mbresëlënëse kamionët e luftës së fundit. Me gjasë mund të jenë të njëjtët.
“Pozeli, po si ka mundësi që u ndodhët në Vlorë?” pyet Toli ndërkohë që shoferi bën rugë mes pengesave.
“I rashë punës pas… Pasi u martua, Xhuzepe u shpërngul në Vlorë si drejtor i bankës dhe Aurelia i shkoi pas. Pozicioni i tyre ishte shumë i lartë, kishin personel shërbimi, një apartament në katin e parë në po të njëjtën ndërtesë ku ndodhej banka, shoqëroheshin me njerëz të rëndësishëm.
Paralelisht me transferimin e Xhuzepes në Vlorë në vitin 1938, edhe im atë Vitalianoja shkoi bashkë me familjen nga Gjirokastra në Kuçovë, ku ishin hapur disa kantierë pranë minierave të boksit.
Afër zonës së nxjerrjes së naftës, në Selenicë, një firmë italianë, AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania – Ndërmarrja Italiane Petroli Shqipëri) kishte nisur punën për nxjerrjen e bitumit. Babait tim i ishte caktuar sipërmarrja për mirëbajtjen e shtëpive të punonjësve të AIPA-s. Mbikëqyrte personalisht punimet e ndryshme, si: marangozët, mekanikët, ndërtuesit, elektriçistët, etj.
Një vit më vonë e thirri në Vlorë profesor Spineli, i cili i mirëbesoi zgjerimin dhe rindërtimin e spitalit italian, ku ishte drejtor. Brenda një kohe shumë të shkurtër Vitalianoja ndërtoi një ndërmarrje të re duke u bashkuar me një inxhinier, bleu materiale dhe tulla nga Italia për disa milionë lireta dhe arriti të përfundojë punimet në kohën e caktuar – ngjarje e jashtëzakonshme duke parë rrethanat.
Gjatë mbikëqyrjes në Gjirokastër në cilësinë e këshilltarit të një ndërmarrjeje të regjimit, Vitalianoja pësoi një aksident – u hap spondi i makinës dhe ai u rrëzua. Shkova te im atë sa më parë ishte e mundur, i shoqëruar edhe nga një shok me një motor Guci 500, të cilën ma dha një inxhinier që punonte në ndërtimin e akuaduktit italian.
Kur e takova, Vitaliano kishte një hematomë në tëmtha; duhej 135uar urgjent në spital.
Kreu i ndërmarrjes qeveritare, me emrin Dermaria, na dha hua një kamion të vogël ushtarak dhe kështu shkuam në spital te doktor Spineli.
Vitalianoja shpëtoi, por humbi një pjesë të dëgjimit. Si rrjedhojë, pati probleme të drejtpeshimit dhe për fat të keq që nga ai çast aktiviteti i tij i punës pësoi një rënie të madhe.
Në po atë periudhë, Karmeni u njoh me Mario de kaveron – zëvendësdrejtor i një sektori të AIPA-s. Ata u martuan në vitin 1939 dhe shkuan të jetonin në një vilë që ndërmarrja e jepte falas për drejtorin dhe zëvendësin e tij. Mario dhe karmeni u bënë me një djalë, Lilinon, i cili vdiq 18 muajsh nga dehidratimi; djali kishte heqje barku dhe mjekët nuk dinin si ta mjekonin. I vogli u varros në Vlorë.

Vitalianoja mori me qera një vilë ngjitur me bankën e Xhuzepes. Gjithë familja, për arsye të ndryshme, u bashkua edhe një herë në Vlorë; tashmë pjesë e saj ishte edhe Ida, motra më e vogël e nënës, që kishte kërkuar të strehonin atë dhe të birin Domenikun dhjetë vjeçar.
Erëra lufte po afroheshin fort por ne jetonim relativisht mirë dhe ishim të kënaqur me jetën që bënim.
Xhuzepja, shumë i zënë me punën e vet në bankë, shkonte sa nga Vlora në Tiranë sepse shpesh punëve administrative u shtoheshin edhe ato të përfaqësisë.
Konsulli Savoni dhe gruaja e tij konteshë e kishin bërë zakon të ftonin në Kosnullatë thuajse çdo javë Xhuzepen, Aurelian, Marion, Karmenin, Emën dhe Vitalianon, për të luajtur brixh.
Shpesh organizoheshin pritje, takime dhe festa vallëzimi për nder të politikanëve dhe ushtarakëve italianë të nivelit të lartë që vinin për vizitë në Vlorë.
Në prill të vitit 1938, Mbreti Zog I u martua me konteshën Xgeraldinë Aponi dë Nagiaponi, një damë katolike gjysmë hungareze dhe gjysmë amerikane. Mbreti Zog I dora vetë ftoi Xhuzepen dhe Aurelian në darkën gala në Sarandë me rastin e dasmës me Xheraldinën. I ftuar nderi në këtë pritje ishte Galeaco Çano.

Aurelia në ballkonin e Bankës - Vlorë 1938Për mua dhe babanë tim zbavitja më e madhe ishte kur dilnim për gjah me zagarët tanë. Më kujtohet sidomos kur shkonim afër detit në një zonë moçalore dhe plot gropa – si pasojë e rënies së bombave gjatë luftës – që ishte shumë e populluar nga rosat.
Një ditë më doli para një pelikan i shkretë dhe e qëllova; ai qe i vetmi gabim gjatë gjahut në jetën time – mishi i pelikanit nuk është i ngrënshëm – por atëherë isha i ri dhe e çova në shtëpi si trofe.
Një herë u tallëm me Xhuzepen, i cili sa herë që dilte për gjah nuk ia dilte asnjëherë të kapte gjë. Fsheha një lepur dhe e lidha pas një shkurreje, pastaj, shumë seriozisht, organizuam edhe një seancë gjuetie dhe e drejtuam Xhuzepen drejt vendit ku kisha fshehur kafshëzën.
Kur e pa lepurin, që në fakt nuk po lëvizte hiç, e vrau, por kur, tërë kënaqësi shkoi ta merrte, pa litarthin me të cilin ishte lidhur. Gjithçka mbaroi me të qeshura shpërthyese dhe dëshira e tij ishte ta nxirrnin në fotografi me të vetmen pre të jetës së tij si gjuetar.
Më kujtohet edhe atëherë kur nuk kishim zagarët dhe ishim vetëm katër veta – si pak për të gjuajtur derra të egër – por vendosëm gjithsesi ta provonim një herë. Me xhipin e ushtrisë së një mikut tonë shkuam në një zonë ku kisha parë gjurmë të disa derrave, por dolëm duarbosh. Kur po ktheheshim, në zbritje e sipër, pamë dy qen pastorë që po i lehnin një derri të egër të fshehur në një shkurre; zbritëm nga makina, rrethuam shkurren dhe e vramë. Sigurisht që ishte punë fati, por kjo bëmë nuk vonoi të merrej vesh në tërë Vlorën”.

Në Radio Tirana, atë të hënë të 10 qershorit 1940, jehoi një zë kobzi:

Luftëtarë të tokës, detit dhe ajrit! Këmishëzinj të revolucionit dhe të legjionit! Burra e gra të Italisë, të Perandorisë e të Mbretërisë së Shqipërisë!
Mbani vesh! Një orë e shënuar nga fati po rreh në qiellin e atdheut tonë. Ora e vendimeve të pakthyeshme. Shpallja e luftës u është dorëzuar tashmë ambasadorëve të Britanisë së Madhe dhe Francës. Luftëtarë të tokës, detit dhe ajrot! Këmishëzinj…

Italia hyri në luftë.
Një drithërimë e akullt përshkoi venat e Aurelias dhe të gjithë familjes.
Në një vend të huaj, në kushte gjithsesi të pasigurta, problemet e mbijetesës do të shumëfishoheshin.
Isha 19 vjeç, më thirrën ushtar në ushtrinë italiane me qendër në Tiranë. Pë fat të mirë, nuk u bëra pjesë e reparteve të luftimit. Më regjistruan në Kompaninë 605 gaf si roje kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë, afër një vendi të quajtur Milot. Pa asnjë gërvishtje dhe pa shtënë qoftë dhe një  herë kundër armikut, e mbarova shërbimin ushtarak me gradën e kapterit.
Një natë, gjatë ohës që isha roje në Stanta Barbara, në depon e barutit të kampit, thirra ‘ndal’ për shkak të një lëvizjeje të dyshimtë pas një shkurreje dhe shtiva në atë drejtim. Një grahmë sfilitëse përshkoi natën, ktheu heshtjen, dhe shokët vrapuan, por pas një ‘askioni zbulimi’, zbuluan se fatkeqi ishte një derr i shkretë, që në ditët në vijim ishte destinuar të nderonte mensën e garnizonit të vogël. Një ditë pas kësaj ndodhie, në kamp erdhi një fshatar i tërbuar, i cili ama u dëmshpërblye bujarisht në ushqime dhe para’, ndaj dhe u kthye i kënaqur në shtëpinë e vet.
Ishin ditët e para të shtatorit 1943. Mes eprorëve ishtë i dukshëm një farë shqetësimi, një siklet që përpiqeshin ta mbanin të fshehtë dhe që kishte kapluar edhe Xhorxho Ponten, kapiten të milicisë dhe të emëruarin e shërbimeve sekrete.
Xhorxho i kishte rrëfyer në mirëbesim Xhuzepes idenë e kthimit një orë e më parë në Itali, sepse punët, nga pikëpamja ushtarake, po ndërlikoheshin.
Në ambientet e kundërspiunazhit, quhej si mundësi edhe kapitullimi italian përballë aleatëve. Në një rast të tillë, mund të ndodhte çdo gjë dhe sidomos parashikohej një betejë e egër nga ana e gjërmanëve, të cilët asnjëherë s’u kishin zënë besë italianëve.
Shumë oficerë kishin ikur me anije në mënyrë të fshehtë, ndërsa të tjerë rregullisht.
Ishte më mirë të vraponim për shpëtim para se të na zinte gracka.
Ajo bisedë ndezi te Xhuzepe një alarm dramatik, sepse u bë i vetëdijshëm për kushtet në të cilat, brenda pak kohësh, mund të përfundonte edhe popullsia civile në Shqipëri.
Xhuzepe e kuptoi që fjalët e mikut të vet Xhorxho donin të thoshin: Largohu, merre familjen dhe kthehu në Itali sa s’është vonë! Por dnjenja e detyrës karshi bankës ishte më e fortë. E mbrojti atë deri në fund, nuk mund t’i braktiste punonjësit e vet, nuk mund t’ia mbathte si burracak.
Prej atëherë Xhorxho nuk u bë më i gjallë.
Disa ditë pas bisedës dramatike mes Xhorxhos dhe Xhuzepes, në pasditen e 8 shtatorit në orën 19.45, Badolio shpalli firmosjen e armëpushimit me fuqitë aleate.
Komuniteti italian mori frymë i lehtësuar: pas muajsh të tërë tensioni e frike, lufta kishte marrë fund.
Të ndryrë në banesat e tyre, italianët shpërthyen në valë gëzimi.
Për fat të keq ama, në Vlorë, filloi beteja, si e gjermanëve kundër italianëve dhe shqiptarëve, ashtu edhe guerrilja mes dy grupeve shqiptare të armatosur: lëvizja nacionalçlirimtare dhe Balli Kombëtar. Gjithë këtyre iu shtuan edhe gjakmarrjet mes familjeve të ndryshme vendase.
Civilëve, përfshi dhe Xhuzepen, as mund t’ua kishte rrokur mendja tragjedinë që po afrohej mbi Shqipërinë, sidomos mbi ushtarakët italianë. Nuk kishte marrë fund për të gjithë, përkundrazi, për shumë syresh ishte duke filluar pikërisht në atë kohë një kalvar i gjatë.
Fillimisht, në distriktin ushtarak të Vlorës trupat nuk dukeshin të alarmuara. Me kalimin e kohës, filluan të mbërrinin ushtarë më të moshuar, që nuk mbanin më këmisha të zeza, por që ishin veshur si gjithë të tjerët – me gri dhe jeshile. Shumë shpejt u pa se garnizonet nuk merrnin më direktiva dhe u shndërruan në një grigjë të madhe të braktisur.
Nga larg dëgjoheshin të shtëna armësh të ndjekura, herë pas here, nga shpërthime bombash dore; mbërrinin jehona, por nuk të ngjallnin ndjesinë e një rreziku të menjëhershëm.
Përkundrazi, pak kohë më vonë gjermanët e armatosur rrethuan repartin; ushtarë me armë të vogla  urdhëruan italianët të hiqnin yjet dhe të dorëzonin armët, pastaj i vunë në rresht dhe i dërguan në qendrat e grumbullimit.
U bënë robër lufte pa mundur të qëllonin qoftë dhe një herë.
Himara, Saranda, Porto Palermo, Berati, Gjirokastra, Burreli, Fieri, Kruja, Korça, Tepelena janë emrat e strehimeve të tjera ku ushtarët e rinj italianë përjetuan brenda pak ditëve një përvojë tragjike: ishin të tronditur nga disfata e ushtrisë, nga firmosja e armëpushimit, nga frika e gjendjes si armik përballë ish-aleatit gjerman dhe që duhej të vendosinin me shpejtësi se ç’anë të mbanin.
Në pështjellimin më të madh, zëra të vrullshëm lexonin deklarata, thirrje të ndryshme dhe urdhra për t’u vënë në rresht e të shkonin drejt porteve, ku të prisnin anijet që do t’i çonin trupat italiane në atdhe.
Në secilin nga këto qytete kishte mijëra ushtarë të dëshpëruar gati për t’iu dorëzuar gjermanëve, të bindur për shpëtimin e tyre të sigurtë të premtuar nga propaganda naziste. Përkundrazi, qenë shqiptarët ata që u erdhën në ndihmë ushtarëve italianë të braktisur, luftuan që ata burra – të cilët deri atëherë kishin qenë armiqtë e tyre – të mund të shpëtonin dhe të rroknin armët bashkë me ta kundër gjermanëve.
Anijet italiane në Vlorë 1943Se sa armiq kishin qenë italianët dhe shqiptarët deri para pak, e dëshmon fakti që vetëm në fund të gushtit 1943 kishte përfunduar një operacion spastrimi – 40 ditë i gjatë – në gjithë jugun shqiptar. I kishin vënë flakën qindra kilomëtrave, fshatra të djegur, fshatarë dhe barinj të pushkatuar, gra të përdhunuara. Operacioni ishte drejtuar nga divizionet Firence, Areco, batalionet e alpinistëve dhe karabinierëve dhe, me një zell të veçantë, nga këmishëzinjtë e batalioneve Musolini.
Në gjithë vendin ishin ngritur dhjetëra kampe internimi ku ishion mbyllur antifashistët dhe në fund të luftës Shqipëria kishte humbur 28 mijë njerëz në luftënë e saj çlirimtare.
Jo shumë ditë më vonë, Radio Tirana dha lajmin e tragjedisë së qefalonisë, duke kallur te të gjithë tmerrin dhe shqetësimin më të thellë.
Qefalonia ishte pushtuar nga trupat italiane në 1 maj 1943 në kuadër të operacioneve ushtarake për zotërimin e ishujve të Peloponezit.
Organika prej rreth 11.000 njerëzish komandohej nga gjeneral Gardini.
Seanca e Këshillit të Madh të Fashizmit e 25 korrikut 1943 shkarkoi Musolinin dhe formoi një qeveri të re me në krye marshall Badolion.
Me ta marrë vesh Hitleri një gjë të tillë, dërgoi një kontingjent prej 2000 ushtarësh si mbështetje për trupat italiane me qëndrim në Qefaloni.
Mes radhëve të ushtrisë italiane mbizotëronte mosbesimi dhe në ndonjë rast edhe rebelimi: vijoi një radhë ngjarjesh të pakontrollueshme, moskuptimesh, pavendosmërish, përgënjeshtrimesh, të cilat i çuan komandantët drejt një çorientimi total dhe trupat në një shpërbërje të ngadaltë .
Tek e fundit, edhe vetë qeveria italiane kërkonte të manovronte në dy fronte: nga një anë siguronte aleatët gjermanë duke u thënë se asgjë nuk kishte ndryshuar, nga ana tjetër shqyrtonte tratativa dorëzimi me amerikanët.
Në 3 shtator u firmos në Kasibila dorëzimi pa kushte fuqive aleate – zyrtarizuar vetëm disa ditë më pas, por që për këtë Hitleri sigurisht ishte vënë në dijeni më parë.
Në 11 shtator, komanda gjermane urdhëroi gjeneral Gardinin të dorëzohej dhe të hidhte armët.
Pas kësaj erdhën ditë tratativash të ethshme me nënkolonelin Hand Barge, po kur gjeneral Gardini refuzoi përfundimisht ultimatumin gjerman, ngjarjet morën rrokopujën.
Filloi beteja.
Aviacioni gjerman me Stukas-ët e vet filloi bombardimin mbi mbrojtjen e dobët italiane. Rreth 2000 të vdekur brenda javës. Një kurth pa rrugëdalje.
Gjeneral Gardini me në krah komandantin e vet kërkoi dorëzimin.
Në 22 shtator kjo u pranua dhe filloi edhe dorëzimi i armëve.
Egërsia dhe mizoria e gjermanëve nuk kishte marrë fund ende. Të gjithë oficerët italianë, me në krye komandantin e përgjithshëm Antioni Gardin, u pushkatuan dhe trupat e tyre u hodhën në det. 5000 ushtarakë të tjerë të çarmatosur u pushkatuan e masakruan në një nga plojat më të tmerrshme të luftës së fundit.
Shumë syresh u burgosën, të tjerë u rrekën të ktheheshin në Itali me çdolloj mjeti, dhe shumë të tjerë u bashkuan me trupat e partizanëve jugosllavë, grekë e shqiptarë deri në fund të luftës.
Rreth 50 mijë italianë luftuan në lëvizjet e ndryshme çlirimtare të Greqisë, Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Po kaq, në mos më shumë, u tretën nëpër shoqëritë vendase: u riatdhesuan vetëm disa vjet më pas.
Në Vlorë pati një garë të madhe solidariteti mes banorëve: falë këtij solidariteti, shumë ushtarakë italianë u kthyen në shtëpi, duke u shpëtuar spastrimeve dhe deportimeve.
Ema ishte shumë aktive: me ndihmën e disa guximtarëve të tjerë, kishte themeluar rrethin e Garibaldit në Vlorë dhe ishte zgjedhur kryetare. U organizuan mbledhje fondesh për të blerë rroba, këpucë, etj., si dhe për të shpëtuar shumë ushtarë të rinj të hallakatur që nuk kishin asgjë.
Dy prej tyre, sidomos oficerët e karabinierëve Federiko Taliani dhe Karlo Verdi, u mikpritën në kantinën e vilës ku Ema jetonte, në krah të bankës së Xhuzepes. Per bujarinë dhe vetëmohimin e treguar, Ema më vonë mori edh enjë mirënjohje zyrtare nga autoritetet italiane.
Civilët italianë vëzhgoheshin, u nënshtorheshin marrjeve në pyetje, bastisjeve dhe përvetësimit të pasurive të tyre. Ishte shumë e vështirë të dilje hapur.
Pranë shoqërisë aipa u masakruan dy punëtorë italianë dhe përfunduan në burg për disa ditë drejtori, inxhinier Balsamoja dhe administratori i deleguar Rovigati, miq shumë të shtrenjtë të familjes.
Lajme tragjike mbërrinin prej shumë kohësh nga fronti greko-shqiptar, ushtarët e kapur dhe deportuar nga gjermanët në Gjermani ishin me mijëra”.

S’kishim as një orë që ishim nisur nga Tirana, kur filluan të dukeshin shtëpitë e para të periferisë së Durrësit.
Qyteza ka një pamje moderne, me një trafik modest makinash: disa janë vetëm të kohëve të fundit, të tjerat jashtëzakonisht të vjetra. Shumë njerëz të zënë me punë silleshin mes dyqaneve të shumta të qendrës. Trafiku është mjaft kaotik, me shoferë të padisiplinuar për të cilët tabelat rrugore janë vetëm zbukurime të bezdisshme qytetase dhe çiklistët hyjnë kudo duke ua kthyer një më një të sharave të shoferëve dhe këmbësorëve.
Ndërtesat që shohim rreth nesh janë pallate të mëdhenj dekadentë që u zihet fryma nga antenat parabolike të kohëve të fundit dhe thuajse të gjitha dritaret janë tejmbushur nga një mizëri rrobash të ndera. Përshtypja vizive është ajo e një pikture shumëngjyrëshe dhe abstrakte. Ndoshta Pikaso nuk do të mudn ta kishte bërë më mirë.
Në port numri i bunkerëve është, mundësisht, edhe shumë më i madh se sa kemi parë gjer më tash: mezi mezi arrihet të shihet deti përmes hapësirave të ngushta mes këtyre monumenteve të luftës.
I kërkojmë shoferit të ndalojë dhe të presë. Toli nuk zbret nga makina, që ta shoqërojë sa të kthehemi ne.
Shohim tela me gjemba që rrethojnë zonën e portit dhe ushtarë në gatishmëri lufte që vigjilojnë në mole. Ka edhe ushtarakë të kontingjentit italian që mbikëqyrin zonën. Duam të afrohemi t’i përshëndesim e t’u tregojmë mirënjohjen tonë, por mendohemi mirë: ky veprim mund të keqkuptohet.
Ecim duke shmangur pengesat deri në hotelin Iliria dhe afër kapanonit ku familja jonë kishte jetuar ditët e saj të fundit në Shqipëri, para se të shkonte drejt Vlorës e pastaj të nisej me anije për në Itali.
Lexoj në sytë e dajës një përzierje mallëngjimi dhe ankthi lidhur pas këtyre kujtimeve.
Ulemi në një lokal afër hotelit me formë rrethakore dhe klasike të periudhës fashiste.
Ndjehet një aromë e mirë pjekjeje në prush, porositim coca-cola dhe ushqime të pjekura në hell që na duken shumë të shijshme.

Para nesh ngrihet një kullë masive me bedena, e kohës së pushtimit të lashtë romak në Epir; i nmgjan shumë, duke marrë në konsideratë përmasat, mauzoleut të Çeçilia Metelës në Apian Antike.
Mendoj se nëse Roma do të kishte qenë aq e fortë dhe vendet e pushtuara do të ishin bërë një konfederatë demokratike, ky det që tani ndan  kombe e kontinente do të mund të kishte qenë menjëmend deti nostrum dhe popujt mesdhetarë do të mund të kishin jetuar në paqe.
Mes hotelit të vjetër dhe kullës i është ngritur, në kohëra më të vona, një monument partizanit: dora e tij e djathtë kërcënuese dhe e ngritur tregon rrezikun imperialist që vjen prej Perëndimit. Katër topa të kohës, vendosur në katër pika kyçe, rrethojnë monumentin.
Dajës i kujtohet mirë kjo kohë që e bëri protagonist 44 vjet të shkuara dhe rifillon rrëfimin.

“Vjen dita e nisjes. Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1949 dhe dy ditë para na kishin lajmëruar: përgatisni plaçkat, pasnesër do të niseni në Itali. Gjithë plaçkat tona futeshin në katër valixhe.
Pas shumë pritjesh dhe shtyrjesh, lista e italianëve të fundit që do të riatdhesoheshin përfshinte edhe emrat e familjeve Pozeli dhe Terruzi të cilët, me mënyrat e tyre, duhej të shkonin nga Tirana në portin e Durrësit dhe prej aty të hipnin në anije drejt Brindizit.
Lajmi, i aqdëshiruar dhe aqpritr, erdhi befas, ndërkohë që kishte katër vjet që familja priste autorizimin.
Mes lumturisë për largimin dhe të qarat për të shoqëin që do të mbetej në burgun e Vlorës pa mbështetjen e saj, Aurelia përgatiti dy valixhe dhe një kuti kartoni.
Deri në atë çast, familja ishte mbajtur në pasiguri për riatdhesimin, edhe për shkak se unë dhe gjyshi, për shkak të profesioneve tona përkatëse, i duheshim regjimit:
Mua sepse isha një sportist tashmë i famshëm dhe Vitalianon sepse ishte një sipërmarrës ekspert.
Një sy rojtar (një fije shprese) ishte hedhur edhe mbi Aurelian, sepse hierarkët shqiptarë prisnin diçka prej saj si këmbim për lënine të lirë të të shoqit, por asnjëherë nuk e patën këtë kënaqësi.
Aurelia duhej të kishte filluar një jetë të re, që prej asaj kohe e priste një rol i dyfishtë: të bëhej baba e nën e djalit të saj, duke pritur të shoqin e burgosur t’i kthehej në Itali.
Ishim gjashtë veta: unë, ti nëna jote, nëna ime, im atë dhe stërgjyshja jote. Besonim se do të hipnim në anije një ditë pas mbërritjes. Por nuk ndodhi kështu.
Në Durrës na çuan në atë kapanonin që sapo pe, i cili shërbente për magazinimin e mallrave.
Mund të kemi qenë nja njëqind veta, të grumbulluar si dele, të kullandrisur (sistemuar) në shtroje rrethanore; ushqimin shkonim e blinim në dyqanet e varfra afër portit. Na kishin lënë vetëm dy nevojtore alla turka, një për gra e një për burra, dhe në mëngjes bëheshin radhë të gjata; ndonjëri ngrihej e shkonte natën vetëm që të  shmangte radhën e mëngjesit.
Jetuam në ato kushte për thuajse dy javë.
Çdo ditë na gënjenin duke na thënë se anija do të vinte gjatë ditës dhe se do të niseshim, por një gjë e tillë nuk ndodhte dhe kështu përsëritej zhgënjimi.
Shumë shpejt na mbaruan dhe paratë dhe m’u desh të shkoja e t’u kërkoja ndonjë napolon floriri miqve në Tiranë. Nuk di se si, por më mori me makinë një kamionist që njihte tim atë dhe kështu arrita në qytet për pak orë. Shkova te shoku im Demneri i cili më dha hua ca të holla.
Problemi im i ardhshëm ishte që të shkoja në kohë për të hipur në anije.
Në kohën që isha në Tiranë, anija që duhej të ankorohej në Durrës kishte ndryshuar kursin për në Vlorë. Papritur erdhi një urdhër që thoshte se të gjithë emigrantët do të shpërnguleshin në portin e Vlorës me disa kamionë të vënë në dispozicion nga autoritetet shqiptare.
Palëvizshmëria shtypëse që i kishte kapluar të gjithë ato ditë të gjata pritjeje u shndërrua befas në një lëvizshmëri të ethshme. Potere, ulërima, njerëz që kërkoheshin mes vedi, fëmijë që nuk gjendeshin, bagazhe që nuk mbylleshin, zhurma të të gjitha llojeve përbashkoheshin në një pështjellim të përgjithshëm.
Emigrantët nxitoheshin, shtyheshin, shkeleshin vetëm e vetëm që të arrinin të hipnin të parët në kamionë, aq shumë frikë kishin se mos nuk gjenin vend apo më keq, mos i linin pa hipur. U desh shumë kohë që të sistemoheshin të gjithë.
Rreth orës 20.00, një natë e ftohtë e kthjellët me yje, kolona e kamionëve filloi të vihej në lëvizje, një gjarpër i stërgjatë i hallakatur e i zhurmshëm me drejtim Vlorën,  100 kilometra rrugë gjarpëruese e tërë gropa”.

Unë nuk mbaj mend shumë, kam qenë shumë i vogël, por disa çaste efemere më kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë. Një nga këto është edhe imazhi i fashave të dritës së fareve që zhvendoseshin, kryqëzoheshin, ngjiteshin e zbrisnin në pluhurin e ngritur nga rrotat e kamionëve në një udhëtim që dukej se s’do të mbaronte kurrë.
Fantazia ime prej fëmije u godit ndërsa, mbështjellë në një batanije dhe ulur ngjitur me nënën, vëzhgoja atë peisazh fantastik dritash e hijesh që dukej se ishte mësuar me krijesa përbindëshe vallëzuese.
“Kolona e kamionëve mbërriti në agim dhe u ndal mbi molin krah anijes akoma dritandezur. Rojet e portit u përpoqën të zbrisnin nga kamionët, sa më me shumë rend të ishte e mundur, njerëzit bashkë me plaçka. Banesat e tyre të reja do të ishin magazinat e portit.
Me të mbërritur në Tiranë shkova te presidenti i federatës shqiptare, njëfarë Kristo Papajani, të cilit i shpjegova situatën dhe i kërkova ndihmë për t’u kthyer në Durrës sepse anija mund të kishte ardhur e nisur pa mua.
Më tha se ndoshta mund të kishte në dispozicion ndonjë motoçikletë. Për shkak se ato ditë do të zhvillohej një garë, kishte gjasa që mund të më shoqëronte dikush.
Thirri njërin nga motoçiklistët e vet – që më pas doli të ishte një mik i vërtetë – dhe i dha tollona benzine për të shkuar e ardhur nga Durrëzi.
“Kur të shkosh në Itali më dërgo ndonjë ëmbëlsirë me krm, ti e di që jam shumë llupës!”
“Do të të dërgoj patjetër, nuk do të harroj. Faleminderit!”
Motoçikleta ishte gati, por meqë ishte garash, nuk kishte ulësa të pasme, ndaj u detyrova të rregullohem mbi parafango.
Për të përshkuar rreth 40 kilometra nga Tirana në Durrës, nëpër ato rrugë famëkeqe gjithë gropa, u deshën gati dy orë.
Me të mbërritur në Durrës, na priste një surprizë e keqe: anija nuk ishte më në port dhe në kapanon gjetëm vetëm mbeturina. As edhe një hije nga ai popull në ikje.
Me të kaluar çastet e para të tronditjes dhe përhumbjes, filluam të pyesnim vërdallë: na thanë që emigrantët i kishin hipur nëpër kamionë gjatë natës dhe i kishin çuar në Vlorë, ku më pas do t’i hipnin në një anije drejt e për në Itali.
U vumë prapë për rrugë. Mora një karton që e pashë mes mbeturinave dhe e vura poshtë të pasmeve që sa s’po më merrnin flakë mbi parafangon e motoçikletës.
Në Vlorë pamë anijen që më në fund kishte mbërritur dhe që për fat ende nuk ishte nisur. Por s’po arrija të pikasja akoma familjen time. Kishim marrë vesh që italianët ishin sistemuar në magazinat e portit. Familja ime kishte ardhur në Vlorë bashkë me të tjerët, rrjedhimisht që ishin larguar edhe nga porti.
Pyeta e mora të dhëna sa lart poshtë dhe më në fund i gjetëm të strehuar në shtëpinë e një marangozi shqiptar që kishte punuar në ndërmarrjen e Vitalianos në Kuçovë.
Shoqëruesit tim i dhashë thuajse të gjitha paratë që më kishte dhënë Kristoja hua. Ai u kthye në Tiranë dhe në mbetëm sërish trokë.
Marangozi na strehoi në një dhomë të madhe që ishte thjesht punishtja e tij. Fjetëm mbi hasëre.
Lajmëruam për nisjen e afërt edhe miqtë tanë major Verdin dhe kapiten talianin, ish karabinierët civile që ende nuk kishin arritur të ktheheshin në Itali.
Anija nuk lëvizte vendit, në pritje të ngarkesës së qymyrit për të vënë në lëvizje motorët.
Mua akoma më digjnin të pasmet nga rruga që kisha bërë i ulur në parafangon e motoçikletës dhe po ia dilja vetëm në sajë të kompresave të ftohta.
Nuk kishim para as për të blerë bukë, kështu që vendosa të shkoja në shtëpinë e disa miqve të mi gjahtarë; njëri syresh kishte një ushqimore që i  ecte mirë, më dha hua një napolon floriri dhe më dha edhe një dorë të mirë nozullimesh: bukë me miell misri, djathë deleje, ullinj dhe peshk të kripur.
‘Kur të shkosh në Itali më dërgo material për saçme’.
‘Faleminderit, s’do të ta harroj’.
Para se të niseshim, na lanë të prisnim edhe nja dy a tre ditë të tjera.
Në dritën e para mëngjesherë marinarët filluan të lëviznin në urën e kuvertës për manovrat e nevojshme, makinistët ngarkuan qymyrin ndërkohë që presioni i kaldajave sa vinte e rritej, shtëllungat e para të tymit dolën prej tymtairt.
Anija ishte pjerrur lehtësisht në anë të kundërt me pankinën; skafi, me dofarë gungash, ishte në ngjyrë të zeze ndryshku, struktura e epërme ishte në ngjyrë gri të përmortshme, kishte vetëm një tymtar jo bash cilindrik, dy direkët mbaheshin nga litarë të gërryer nga kripa e detit, vinçat ngarkonin qymyrin në dy stivat e bashit dhe pupës, ura e hekurt ishte e shkëputur si ndonjë shteg mali. Vetëm emri i tij, Stadium, mbi bash, dukej se ishte lyer më së fundi.
Në ngrohtësinë e rrezeve të para, mysafirët e ‘karrocës së detit’ që po prisnin të hipnin, po tregonin njëfarë padurimi.
Nuk frynte pikë ere, por në lëkurë ndjehej lagështira dhe shija e njelmët, ndërkohë që një fashë e hollë mjegulle fillonte të shpërhapej duke hapur horizontin që na rrethonte.
Më në fund, mbërriti urdhri  i imbarkimit dhe filloi apeli mes atyre që duhej të niseshin.
Na pyetën a kishte jeri që e njihte mirë shqipen dhe unë u ofrova si përkthyes, sidomos i ish-ushtarakëve italianë që po riatdhesoheshin.
Dalëngadalë, emigrantët ngjisnin shkallëzat që të çonin nga pankina në anije, dhe vetëm nga gjysma e paradites përfundoi dhe imbarkimi i plotë.
Ura ishte pushtuar tërësisht nga një lëmsh i çmendur këmbësh, kokash, valixhesh, batanijesh dhe prapë akoma djepa, dyshekë, arka, lodra… Tashmë anija ishte gati të ngrinte spirancën, re tymi të zi me një aromë të athët squfuri përmbyti ambientin”.
Rrëfimi i dajës nxit një kujtim timin veçanërisht të gjallë. Pasi hipëm në anije, pashë përreth me kureshtje për gjithçka që më rrethonte, desha të shkoja me çdo kusht drejt parmakëve dhe me shumë kujdes më shoqëroi gjyshja aty: e tërhiqja me forcë, kapërceja pengesat e përhapura mbi urë, i shmanga, derisa vrapova drejt shigjetës së flamurit dhe u bëra gati të shihja detin. Për herë të parë pashë fundin e tij dhe mbeta i mahnitur: uji ishte i tejdukshëm si kristali dhe anija pluskonte duke lëshuar drejt fundit hijen e vet. Një kujtim i paharrueshëm. Në tabanin ranor rriteshin shkurre algash, në gjysmë thellësi notonin peshqit, shiheshin edhe guaskat mbi gurë, por gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte kur pashë një litar të madh të përdredhur në fund të detit që përngjante me një gjarpër.

“Nga shkallaret e ndryshkura të kuvertës marinarët italianë na këshilluan të rrinim të qetë dhe pa folur, të mos nisnim në asnjë mënyrë festimet për largimin – të paktën deri pasi të dilnim nga ujërat shqiptare – sepse kishte gjasa për ndonjë incident të mundshëm. Dy ish-ushtarakëve italianë, major Verdes dhe kapiten Talianit, nuk iu dha leja e largimit.
Kur më në fund erdhi radha ime për të hipur – isha i fundit pasi kisha kryer edhe punën e përkthyesit – më ndaloi një inspektor i doganës të cilin e njihja, por që as më përshëndeti, përkundrazi, dha urdhra që të më kontrollonin akoma dhe me më shumë imtësi.
Deshi të shihte albumin me fotografi që mbaja me vete dhe më mbajti disa syresh që kisha bërë gjatë varjes së Mehdi Frashërit, kreut të Frontit Kombëtar dhe anëtar i grupit politik të Enverit, por që këta e konsideronin tradhtar.
Megjithatë arrita të fshihja dhe të shpëtoja të paktën disa fotografi, të cilat i ruaj edhe sot e kësaj dite”.
Nga fjalimi i Enver Hoxhës i 28 nëntorit 1944 me rastin e përkujtimit të deklaratës së pavarësisë shqiptare të 1912:
“Tradhtarët e vendit tonë, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Shefqet Vërlaci dhe gjithë kolaboracionistët e tjerë përdorën gjithë mënyrat për ta ndarë popullin tonë; demagogjia e tyre s’binte në sy dhe në fillim, një pjesë e pupullit u gënjye deri në njëfarë pike nga këta banditë, instrumenta të verbër përherë të gatshëm për t’u shërbyer armiqve tanë të brendshëm e të jashtëm. Organizatat e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe gjithë organizatat e tjera terroriste u bënë armë aktive të pushtuesve dhe me egërsi të padëgjuar u ndërsyen bashkë me gjermanët mbi popullin, duke masakruar në masë të pafajshmit – gra, pleq e fëmijë – duke kryer vjedhje e përdhunime…”

“Dielli ishte shumë lart në qiell kur, dalëngadalë, anija filloi të largohej nga porti i Vlorës.
Stërmundimi i helikave në lëvizje dukej se ndihmohej edhe nga forca e mendimit të pasagjerëve: ec, ec, ec!
Me shfrime e gulçime nën ritmin me kadenca të bjellave, me lëkundje mbi valët e një deti thuajse të qetë, ‘karroca’ po i binte anës e anës e drejtuar kah liria.
Pasdite herët lodhja ishte bërë mbizotëruese dhe në anije po mbizotëronte një qetësi thuajse e pabesueshme, e prishur vetëm prej gjëmimit të motorit. Deti i rrafshët dhe qielli i pastër kishin të njëjtën ngjyrë, ngado të ktheheshe nuk arrije dot të dalloje vijën e horizontit.
Anija dukej e humbur në pafundësi dhe njëfarë ankthi i thellë humbjeje dhe frike filloi të bënte vend mes pasagjerëve.
Ku po na çojnë, ku po shkojmë kështu?
Kapiteni dhe pjesëtarët e ekuipazhit, që ishin italianë, arritën të paqtonin njerëzit: rrini të qetë, po kthehemi në shtëpi!
Aty nga muzgu për së largu u dukën dritat e bregut të Brindizit.
Dikush filloi të ulërasë: tokë italiane, Italia, Italia! Dhe një valë ngazëllimi përshkoi zemrat e të gjithëve.
Anija kaloi përgjatë valëpritësve të molit dhe hyri me ngadalë në kanalin mes semaforit të kuq dhe jeshil. Një rimorkiues na erdhi përballë dhe na shoqëroi deri te moli.
Drita ishte verbuese, sepse drjt nesh ishin ndezur shumë projektorë.
Në molin e portit na prisnin vetëm roje, ushtarë dhe rrjeta mbrojtëse… ndoshta ishim të burgosur në atdheun tonë?
Na ndihmuan të zbrisnim me qetësi nën mbikëqyrje të rreptë.
Kush qeshte, kush lutej, kush qante, kush puthte tokën.
Na ndanë: burrat në një anë, gratë në tjetrën.
Nëna jote më kërkoi mos të t’i shqisja sytë për asnjë çast, pasi pështjellimi ishte i jashtëzakonshëm.
Të mbajta fort për dore.
Na urdhëruan të zhvisheshim dhe të rrinim cullak, rrobat do të na i jepnin më vonë, pasi të kalonim në dushet dezinfektuese.
Të gjithë lakuriq, fëmijë e të rritur, hymë në një hapësirë të madhe nga e cila dilte një re avulli. Iu dorëzuam një dushi të ngrohtë e të këndhëm.
Vetëm pasi u pastruam dhe u veshëm prapë na lejuan të takoheshim me të afërmit që na prisnin pas kangjellave të hyrjes së portit.
Mua, ty dhe nënën tënde na mori motra e Xhuzepes, Kiarina, në Kastelaneta, ndërkohë që gjithë të afërmit e tjerë i dërguan në një kamp refugjatësh afër Leçes”.
vijon
Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika

Gazidede: “A.A.I. punto di riferimento per chi si vede violare o compressi i diritti”

Kandidatët e pakandiduar