Në festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, regjisori Francis Ford Coppola do të prezantojë filma të tij dhe do të nderohet me një Çmim karriere, ndërsa aktorja Claudia Cardinale do të prezantojë filmin “8 e ½” të Federico Fellinit dhe do të marrë edhe Çmimin e Argjendtë të Durrësit
Tiranë, 25 gusht 2011 – Më 27 gusht nis edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Për një javë, në ishullin e festivalit pranë detit dhe në Amfiteatrin e lashtë romak, publiku jo vetëm do të ndjekë realizimet më të mira kinematografike por edhe do të ketë mundësi të takojë dy yje të kinematografisë botërore si aktoren Claudia Cardinale dhe regjisorin Francis Ford Coppola.
Regjisori hollivudian, fitues i Çmimit Oscar dhe Palmës së Artë, Francis Ford Coppola do të jetë i ftuari i nderit i festivalit. Filmi i tij “Youth Without Youth”, prodhim i vitit 2007, do të vijë premierë në Shqipëri pasditen e datës 1 shtator. Ndërsa “Tetro”, prodhim i vitit 2009, do të shfaqet në Amfiteatrin romak mbrëmjen e po kësaj dite. Regjisori Coppola, do të nderohet me Çmimin e Karrierës si novatori më i madh i kinematografisë moderne.
Një tjetër e ftuar jo e zakonshme në Shqipëri, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, është edhe aktorja italiane Claudia Cardinale, e cila do të marrë edhe Çmimin e Argjendtë të Durrësit, si figurë ikonë e kinemasë italiane. Ajo do të prezantojë filmin “8 e ½” të Federico Fellinit, të cilin luan edhe ajo, mbrëmjen e 2 shtatorit. Ky film do të shfaqet për herë të parë në Shqipëri për një publik kaq të gjerë.
Ndërsa Coppola është i njohur për publikun shqiptar për filmin e tij “Kumbari”, i cili bëri bujë në kohën kur u shfaq, publiku e njeh më mirë aktoren Cardinale për interpretimet e saj në filmat si “Cartouche” e Philippe de Brocas apo “Libera, amore mio”, ku aktorja interpreton përkrah aktorit shqiptar Bekim Fehmiu.
Të ftuar të tjerë janë edhe regjisori çek Jiri Menzel si kryetar i Jurisë Ballkanike, regjisori dhe filozofi polak Kryzystof Zanussi, Lech Majewski, producenti britanik Nick Powell si kryetar i Jurisë Ndërkombëtare, producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija.
Festivali i Filmit në Durrës në këtë edicion e tij të katërt do të vijë për publikun me 19 premiera absolute shqiptare, 6 premiera ballkanike, 1 premierë absolute europiane, 2 premiera absolute internacionale, duke promovuar vepra të rëndësishme dhe novatore të kinematografisë moderne botërore.
Edhe këtë vit festivali do të sjellë seksionin e dokumentarit ndërkombëtar dhe të filmit të shkurtër. Konkurrimi zyrtar konsiston në 8 filma të metrazhit të gjatë të përzgjedhur mes produksioneve më të reja Europiane, si dhe 6 filma në seksionin Botë Ballkanike, prodhimet më të reja te vendeve te rajonit.
Kështu Durrësi edhe këtë vit do të mirëpresë artistë dhe kineastë të huaj, të cilët do të kenë rastin të njohin gjatë festivalit, Shqipërinë dhe qytetin bregdetar në veçanti.