Nga viti 1975 në sistemin italian të punës njihet edhe sipërmarrja familjare. Kjo ndërmarrje konsiderohet e tillë kur një subjekt që kryen një aktivitet privat në formën e ndërmarrjes individuale punëson si bashkëpunëtorë, familjarë që ofrojnë në mënyrë të vazhdueshme veprimtarinë e tyre në brendësi të ndërmarrjes. Puna, cilado qoftë, duhet të ketë të bëjë vetëm e gjithnjë me aktivitetin e sipërmarrjes, dhe bashkëpunëtorët të jenë vetëm familjarë të ngushtë.
Shembuj tipikë të sipërmarrjeve familjare mund të konsiderohen administrimet e dyqaneve apo të restoranteve, ndërmarrjet bujqësore e kështu me radhë. Janë tre elementet që karakterizojnë sipërmarrjen familjare: krijimi apo ekzistenca e një ndërmarrjeje; fakti që bashkëpunëtorët e sipërmarrësit janë familjarë; fakti që familjarët bashkëpunëtorë zhvillojnë një punë efektive në brendësi të ndërmarrjes dhe jo të rastësishme. Çdo bashkëpunëtor i sipërmarrjes ka të drejtën e një kuote në përpjestim me punën apo veprimtarinë e ofruar. Në prani të këtyre elementeve, sipërmarrja familjare konsiderohet gjithnjë si të ishte një sipërmarrje individuale.
Themelimi i një sipërmarrjeje familjare
Për të ngritur një sipërmarrje familjare është e nevojshme të shkohet te një noter dhe të përpilohet një akt i shkruar (publik apo privat). Sipërmarrja familjare mund të rrjedhë nga një ndërmarrje individuale ekzistuese ose të ngrihet nga e para përpara noterit. Në aktin e shkruar, shkruhet veprimtaria që ushtrohet, kush është titullari i ndërmarrjes, bashkëpunëtorët e tij dhe lidhja familjare me sipërmarrësin, përqindja me të cilën bashkëpunëtorët marrin pjesë në fitime.
Pas redaktimit të aktit nga noteri, brenda 30 ditëve, lindja e sipërmarrjes familjare i komunikohet zyrës së tatim taksave përmes Agjencisë së të ardhurave.
Familjarët bashkëpunëtorë
Jo të gjithë familjarët bashkëpunëtorë të sipërmarrësit bëjnë të mundur që sipërmarrja të konsiderohet familjare. Në fakt, ligji parashikon që vetëm familjarët më të ngushtë të sipërmarrësit mund të konsiderohen si bashkëpunëtorë të tij në kuadrin e sipërmarrjes familjare, që janë bashkëshorti dhe kushërinjtë deri në shkallë të tretë: bijtë, vëllezërit, xhaxhallarët e nipërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit, si edhe familjarët e bashkëshortit deri në shkallë të dytë: kunetërit, vjehrrit e vjehrrat, nuset dhe dhëndurët.
Sipërmarrësi
Sipërmarrësi është shefi dhe përgjegjësi i ndërmarrjes. Është i vetmi përgjegjës për aktet e administrimit të përditshëm të veprimtarisë private dhe për detyrimet që lindin prej saj, si për shembull për blerjen dhe shitjen e materialeve të nevojshme për ndërmarrjen.
Avantazhet për bashkëpunëtorët
Familjarët sipërmarrësit që bashkëpunojnë kanë avantazhe të konsiderueshme. Në ushtrimin e veprimtarisë kanë të drejtën të japin mendimin e tyre për drejtimin produktiv që duhet të ketë aktiviteti, se si të përdoren fitimet e mundshme të ndërmarrjes, dhe të marrin pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me aktet që kapërcejnë administrimin e përditshëm, si edhe në vendimin për shkrirjen e sipërmarrjes.
Vendimet përcaktuese për jetën e sipërmarrjes familjare diskutohen me pjesëmarrjen e të gjithë bashkëpunëtorëve, pavarësisht nga kuotat e pjesëmarrjes dhe merren me shumicë votash (secili prej të cilëve përfaqëson një votë).
Një tjetër avantazh i rëndësishëm për bashkëpunëtorët e sipërmarrësit është edhe fakti që ata nuk konsiderohen përgjegjës për detyrimet e marra ndaj të tretëve (për shembull, për kontratat e furnizimit me materiale).
Nëse një nga familjarët bashkëpunëtorë ka borxhe, kreditorët nuk mund të hipotekojnë të mirat e sipërmarrjes as të marrin kuotën e tij të pjesëmarrjes në sipërmarrje. Kreditorët mund të përfitojnë vetëm nga ajo pjesë e fitimeve të aktivitetit privat që i përkasin bashkëpunëtorit.
Së fundi, familjarët nuk duhet të paguajnë në rast se sipërmarrja del me humbje.
Kufizimet e sipërmarrjes familjare
Familjari që ofron bashkëpunimin e tij në sipërmarrjen e familje, mund t’u japë kuotat e veta vetëm familjarëve të tjerë mes atyre të parashikuar nga ligji.
Çdo bashkëpunëtor i sipërmarrjes ka të drejtën e një kuote në përpjesëtim me punën që ofron. Por kuotat e të gjithë bashkëpunëtorëve nuk mund të kapërcejnë 49% të të gjithave, pasi sipërmarrësi që është shefi i ndërmarrjes duhet të ketë të paktën 51% të kuotave. Për rrjedhojë, edhe fitimet që rrjedhin nga sipërmarrja ndahen në të njëjtën mënyrë: bashkëpunëtorëve së bashku u takon maksimumi 49% e fitimeve.
Humbja e kuotës të pjesëmarrjes
Kuota humbet vlerën e saj plotësisht në rast të vdekjes së bashkëpunëtorit apo kur bie lidhja familjare (në rastin e ndarjes së bashkëshortëve, për shembull). Kuota e pjesëmarrjes humbet vlerën e saj edhe nëse familjari vendos të braktisë sipërmarrjen për arsye të drejtë apo nëse përjashtohet prej saj nga bashkëpunëtorët e tjerë dhe sipërmarrësi. Bashkëpunëtori që del nga sipërmarrja ka të drejtën e rimbursimit të kuotës në para.
Vdekja e sipërmarrësit
Me vdekjen e sipërmarrësit mund të ndodhin dy gjëra. Njëra mundësi është që ai të ketë lënë në testament se cili familjar duhet të marrë në dorë drejtimin e ndërmarrjes.
Një tjetër mundësi është që ai të mos ketë përcaktuar asgjë. Në këtë rast, trashëgimtarët kanë disa mundësi. Mund të vendosin të mbyllin përfundimisht sipërmarrjen, t’ia besojnë atë të tjerëve, ose të vendosin të vazhdojnë aktivitetin duke emëruar një sipërmarrës të ri.
Sipërmarrja bashkëshortore
Sipërmarrja bashkëshortore është një rast i veçantë i sipërmarrjes familjare, të cilën e administrojnë bashkë burrë e grua. Sipërmarrja bashkëshortore grihet pas martese. Nuk ka forma të veçanta për sipërmarrjen bashkëshortor, por kusht thelbësor është që bashkëshortët të kenë pronësi ligjore të përbashkët mbi të mirat e tyre. në fakt sistemi italian u lejon bashkëshortëve të kenë pronësi të përbashkët apo të ndarë mbi të mirat materiale të familjes.
Kreditorët e sipërmarrjes bashkëshortore mund të hipotekojnë jo vetëm të mirat e sipërmarrjes por edhe pasurinë personale të bashkëshortëve.
Avv. Andrea De Rossi