in

Çështja Bledar Vukaj – Vetëvrasje apo vrasje?

Nga arkivi i Botës Shqiptare
Jo, kjo nuk është një nga historitë e shumta të misterit që zenë faqet e para të gazetave italiane. Nuk është misteri i përjetshëm i Via Poma-s në Romë, një krim i kryer para pesëmbëdhjetë vjetëve e që ka shndërruar në detektivë gjysmën e gazetarëve e të lexuesve italianë që përpijnë me mijëra faqe çdo gusht-përvjetor të vrasjes së mistershme, nuk është as vrasja e një foshnjeje në një shtëpi fshati në Cogne ku ndonëse provat nuk i lenë shteg së ëmës së viktimës, emisioni më i rëndësishëm televiziv Porta a Porta i bën rindërtimin e vet rregullisht duke rrëmuar në çdo skutë të vendngjarjes me hetues privatë e në çdo skutë po aq të errët të mendjes me psikologë.

Këtu nuk ka karabinierë të RIS-it të veshur me të bardha kokë e këmbë, që hyjnë e dalin në vendngjarje me çantat në dorë e me telekamerat e shtypit përballë, alienë të shndërruar në personazhe telefilmash që zgjidhin misterin e fshehur pas shumë vitesh në një kokrrizë pluhuri ku ka mbetur një molekulë stërkale qurre nga teshtima e vrasësit. Këtu ka vetëm “çështja të arkivohet”. Këtu nuk ka të dyshuar. Këtu ka vetëm viktimë: Bledar Vukaj.

Më 24 mars 2003 Bledar Vukaj nuk do të kthehej më në shtëpinë e tij në Parma. Do ta gjenin 60 kilometra më tej, në Casalmaggiore të Cremonas. Koka përplasur mbi gurët buzë bregut të lumit Po, nën një urë tetëmbëdhjetë metra të lartë. Vetëm pak orë gjetjes hetuesit do të deklarojnë se pista më e mundshme e hetimeve për vdekjen e 22-vjeçarit shqiptar është vetëvrasja.

Rrethanat e vdekjes janë të dyshimta, por vetëvrasja mbetet teza e vleftshme për hetuesit gjatë gjithë kohës. Janë aq të bindur saqë gjykatësi e shpall të mbyllur çështjen dhe kërkon arkivimin e saj pas një viti. I kundërvihet familja e Bledar Vukajt e cila jo vetëm nuk i beson tezës së vetëvrasjes, por nëpërmjet avokatit, kërkon një hetim shtesë. Nuk është një kërkesë kuturu: i ati i Bledarit, Françesk Vukaj dhe avokati i tij kanë ndërtuar një dosje investigative që e bën gati të pavlefshme tezën e hetuesve duke nxjerrë elementë që mund t’i çojnë hetimet drejt versionit të vrasjes. Familja Vukaj thërret gjithashtu në ndihmë emisionin televiziv “Chi l’ha visto” i cili e ve çështjen e Bledarit mes faqeve të mistereve italiane, krahas çështjeve të pazgjidhura prej vitesh si ai i Emanuela Orlandit,  masakrës së Circeos, apo vrasjes së prostitutave në Toscana. Gjykatësit urdhërojnë hetimet shtesë që vijojnë për mëse një vit. Dy muaj më parë, në korrik, hetuesit kërkojnë sërish arkivimin e çështjes dhe mbylljen e saj me hipotezën më të besueshme për ta, vetëvrasjen. Ndonëse as pas hetimeve shtesë çështja nuk është aspak e qëruar. Përkundrazi.

“Nuk do të lejoj arkivimin e çështjes” thotë për “Bota shqiptare” Françesk Vukaj. “Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund. Unë kam bërë pjesën time, po i tregoj se ku mund të rrëmojnë për të gjetur të vërtetën.”

E vërteta e Françesk Vukajt është në 15 faqet e dosjes investigative. Një punë prej profesionisti hetimesh, që nuk le jashtë asnjë element që mund të hedhë dritë mbi vdekjen e të birit. Dhe që ka brenda mjaft të dhëna, mungesa në hetime, trysni kërcënimesh nga jashtë që do të mjaftonin për të mos e asgjësuar çështjen me arkivim. E thënë troç, ka më shumë mistere kjo vdekje se shumë prej atyre çështjeve të tjera që shndërrohen në “gialli d’estate” e që vijojnë deri me zhvarrime kufomash pas dhjetëra vitesh.

Rindërtimi i ngjarjes nga “Bota shqiptare” duke u mbështetur bëshëm në dosjen e paraqitur në redaksi nga Françesk Vukajt nuk zëvendëson gjykatësit e nuk pretendon të japë sentenca, por të nxjerrë në pah pikëpyetjet. Puna investigative ndjek po të njëjtën rrugë si të hetuesve. Duke u nisur nga aty prej ku nisin të gjitha hipotezat investigative në shqyrtimin e një vdekjeje: figura e viktimës, rindërtimi i orëve të fundit të jetës së tij, vlerësimi i treguesve që mund të çojnë tek provat. E kështu me sërë.

Politikanët shqiptarë mësyjnë Italinë

Diploma e Bossit e marrë në Shqipëri kthehet në parodi