in

Çështja Bledar Vukaj – Vetëvrasje apo vrasje?

Kërcënimet me bombë e me fishek në zarf

Që dikush është tejet i interesuar që kjo çështje të mos thellohet më tej nuk duket vetëm nga zhdukja e gurëve. Të dy avokatëve të familjes Vukaj u mbërrijnë kërcënime për vdekje dhe “këshillime” për të mos u marrë me këtë çështje. Kërcënimin më të rëndë e merr avokati që po ndjek çështjen civile të aksidenteve, me postë i mbërrin një bombë, sipas policisë “e padëmshme”. Për këto ngjarje organet e rendit kanë hapur hetime të veçanta kundër “të panjohurve”. Për prokuroren e çështjes kërcënimet janë anësore dhe ndoshta nuk kanë lidhje me çështjen ndaj nuk janë të mjaftueshme për t’iu shtuar arsyeve që do të kërkonin vijimin e hetimeve.

Të gjithë këto fakte ndodhin në fakt ndërsa avokatët dhe familja Vukaj bëjnë të pamundurën që të mos lejojnë arkivimin e çështjes. Me kërkesën e dytë për arkivim të para dy muajve, Françesk Vukaj i drejtohet sërish shtypit me dosjen e tij. Para pak ditësh pikat e shtruara në dosjen e Vukajt i boton “La Voce di Parma”. Ndërsa shkruhet ky artikull Françek Vukaj lajmëron në redaksinë e “Botës shqiptare” se një kërcënim i ka mbërritur me postë edhe në adresën e Fabrizio Castellinit, drejtorit të “La Voce di Parma”. Një zarf i verdhë ku është shkruar me normograf adresa e tij, brenda një fletë e bardhë e shkruar në kompjuter me fjalët “La caccia é aperta!!!”. Dhe një fishek. Castellini thotë për “Bota shqiptare” se nuk ka asnjë dyshim që dikush është i interesuar që hetimi të mos thellohet. Nga ana e tij tani për tani ka denoncuar në polici kërcënimin.

A janë gjithë këta elementë të mjaftueshëm për vazhdimin e hetimeve? Për prokurorin, dhe për disa të tjerë, jo. Për Françesk Vukajn dhe për shumë nga ata që kërkojnë që drejtësia t’i shkojë deri në fund së vërtetës, çështja Bledar Vukaj nuk duhet të arkivohet.

Redaksia

Botuar në Bota Shqiptare 137 të vitit 2005 sipas materialeve të paraqitura në redaksi nga Françesk Vukaj

 

Politikanët shqiptarë mësyjnë Italinë

Diploma e Bossit e marrë në Shqipëri kthehet në parodi