in

Çmime më të larta? Për faj të IVA-s

Nga e shtuna 17 shtator është rritur nga 20% në 21% tatimi për vlerën e shtuar. Është vetëm një nga risitë e manovrës ekonomike që do të godasin xhepat e të gjithë atyre që jetojnë në Itali

Romë, 19 shtator 2011 – Nga 17 shtatori, makinat, karburanti, elektroshtëpiakët, pijet alkoolike, cigaret, lodrat por edhe shërbimet e hidraulikut, mekanikut apo avokatit kushtojnë më shumë. Për shkak të manovrës ekonomike që, për të sjellë prurje të reja për arkat e shtetit, ka rritur nga 20 në 21% tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH shqip dhe IVA italisht) që rëndon mbi konsumatorin final.

Manovra financiare 2011, paraqiti këtë surprizë të hidhur për të gjithë me amendamentet e fundit që iu bënë, pasi në një çast të parë u duk sikur rritja e IVA-s nuk do të ndodhte. Por eliminimi i një sërë masash fillimisht të futura në manovër e më pas të nxjerra prej saj detyroi qeverinë të rrisë IVA-n. E të mendosh që qeveria kish menduar të rriste tatimin në 22%, qoftë edhe për periudha të shkurtra të vitit, për të shtuar edhe më shumë  të ardhurat për arkat e shtetit.

Rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar nis të ndihet në xhepat e konsumatorëve, pasi shumë çmime janë ngritur që këto dy ditë. Për të mos folur për abuzimet e mundshme: çmimet mund të ngrihen e të rrumbullakosen me tepri , apo më keq akoma, mund të ngrihen edhe çmimet e mallrave që nuk janë subjekt i rritjes së IVA-s. Në të kundërt, ka edhe ndërmarrje që kanë deklaruar se nuk do të ndryshojnë çmimet duke mbajtur çmimet të pandryshuara e duke reduktuar pak hapësirën e tyre të fitimit.

Është mirë të dihet që nuk ndryshon asgjë, lidhur me IVA-n, për mallrat ushqimorë, arsimin, faturat e energjisë elektrike dhe të gazit (deri në 480 metra kubikë, mbi këtë kufi, IVA shkon në 21%), biletat e spektakleve (teatër, kinema, stadium), për aktivitetin e barit dhe të restoranteve.

Tatimi mbi vlerën e shtuar rritet për veshmbathje dhe këpucë, pajisje elektroshtëpiake, automjete, motoçikleta, celularë, aparatura elektronike, produkte për shtëpinë. Ngrihen edhe tarifat e avokatëve, inxhinierëve, mekanikëve. Rritet edhe karburanti, e meqë transporti i mallrave varet nga karburanti, kjo do të sjellë rritjen zinxhir të çmimeve edhe për mallra e shërbime, IVA e të cilave nuk ndryshon.

Sipas shoqatës Cgia (shoqata artizanëve dhe e ndërmarrjeve të vogla) të Mestres, pika e vetme e diferencës së IVA-s do të detyrojë familjet italiane të shpenzojnë deri 123 euro më shumë në vit, shoqatat e konsumatorëve Federconsumatori dhe Adusbef janë të mendimit se çdo familje do të shpenzojë 173 euro më shumë, ndërsa sipas përllogaritjeve të ekonomistëve të rrjetit të  supermerkatove Coop, rritja e IVA-s do të rrisë me 500 euro në vit shpenzimet e konsumatorëve.

Rritja e IVA-s rrezikon të sjellë përtej rritjes së çmimeve edhe tkurrjen akoma më shumë të konsumit, duke përkeqësuar kështu krizën. Një alarm të tillë e ngrenë shoqatat e tregtarëve di Condcommercio.

Por IVA më e lartë është vetëm një nga lajmet e këqija për ata që jetojnë në Itali. Një tjetër manovër e aprovuar në fillim të verës, do të reduktojë ndjeshëm, duke filluar nga viti i ardhshëm, zbritjet nga taksat apo lehtësimet e tjera fiskale të parashikuara sot për taksapaguesit (si zbritjet për shembull nga taksat e shumave të caktuara për familjet me fëmijë, për kredinë e shtëpisë së parë etj.).  Nga ana tjetër, shkurtimet e fondeve shtetërore për Krahinat dhe Komunat, do të japin efektet e veta në shërbimet që këto u ofrojnë qytetarëve, si transporti publik, çerdhet, mbledhja e plehrave: ose do të përkeqësohen, ose do të shtrenjtohen. Në Milano për shembull, bileta e transportit urban nga 1 shtatori është rritur nga 1 euro në 1,50 euro. E njëjta gjë do të ndodhë në Romë nga 1 janari 2012.

E.P.

Leja e qëndrimit është gati? Lajmërimi me sms

Hetime. Përflitet Berluskoni, por edhe PD vihet në siklet nga eksponentë të saj