E përditshmja italiane boton sot versionin shqiptar “Asnjë funksionar të qeverisë shqiptare, asnjë vëzhgues, nuk ishte në takimin Evropë-Azi të Milanos”. Nuk do të ishte më me vlerë për qeverinë shqiptare të kish kërkuar përgënjeshtrimin nga vetë gazetari i Corriere-s që dha lajmin e rremë?
Romë, 22 tetor 2014 – “Takimi ASEM, delegacioni [shqiptar] nuk ishte”. Kështu titullon sot Corriere della Sera një përgënjeshtrim nga Shqipëria të lajmit të dhënë dy ditë më parë mbi një grup të madh të delegacionit shqiptar në takimin ASEM, që “sapo mundi, ia mbathi në Liguria. Jo për detin, por për kazinonë e Sanremos”. Shkrimi i sotëm i shkurtër i botuar në rubrikën “Ndërhyrje e replika” të gazetës mban firmën e Konsulles së përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj.
“Lidhur me artikullin “Limuzina dhe proshutë, 48 orët sekrete të liderëve” të Corriere della Sera të 19 tetorit 2014, saktësohet që Shqipëria nuk ka dërguar në takimin Evropë-Azi të Milanos asnjë pjesëmarrës, as në nivel të vëzhguesve, dhe asnjë funksionar të qeverisë shqiptare. Republika e Shqipërisë, në fakt, nuk është mes vendeve anëtare të takimit ASEM, dhe as është ftuar formalisht. – shkruhet në përgënjeshtrimin e konsulles – Lajmi i rremë mbi sjelljen që thuhej se kishin pasur përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë ka fyer thellë imazhin e vendit dhe të qeverisë së republikës së Shqipërisë. Për më tepër, lajmi ka pasur jehonë të menjëhershme e negative në mediat kombëtare duke shkaktuar një trazim të thellë në vend”.
Nuk është e qartë nëse qeveria shqiptare do të kënaqet me botimin e versionit të saj të fakteve (vetëm pak radhë në faqen 51 të gazetës, ndërkohë që artikulli i A. Gallit i datës 19 tetor (i botuar në faqen 17 të gazetës) vazhdon të jetë online, i pandjekur nga asnjë lloj retifikimi nga anë e autorit) apo do të vazhdojë në rrugë legale, siç u shpreh para dy ditëve ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli?
Lexo edhe:
Corriere: Delegacioni shqiptar i ASEM shkoi në kazino. Ministrja Kodheli: As nuk merrnim pjesë në takim
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)