in

Darien Levani: Të shkruash, do të thotë të gjesh zërin tënd

Intervistë Darien Levanit, që me librin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe” ka fituar dhjetorin e shkuar çmimin “Penda e Argjendtë për veprën debutuese 

I diplomuar për Jurisprudencë në Universitetin e Ferrarës, 31-vjeçari Darien Levani, praktikant avokat, është edhe shkrimtar e gazetar që jeton në Itali. Prej vitesh aktiv në jetën e komuniteti shqiptar në Itali, është bashkëthemelues i AlbaniaNews.it, bashkëpunon me shumë gazeta të tjera si Corriere della Sera, Nazione Indiana.

Ka debutuar me romanin “Solo andata, grazie”, histori mërgimi e rrëfyer ama edhe me optimizëm e lehtësi, duke shmangur kështu atë shijen tragjike me të cilën tregohen shpesh herë, pa hequr dore nga paraqitja dhe denoncimi i drejtpërdrejtë ishumë problemeve e padrejtësive që lidhen ngushtë me migrimin. Romani i tij i fundit në italisht është “Il famoso magico Qukapik”, botuar në 2011 nga shtëpia botuese  “I libri di Emil”.

Në 2012 ka botuar në Shqipëri romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe” (Botime Pegi), me të cilin në dhjetorin e shkuar ka fituar çmimin prestigjoz të ministrisë së Kulturës shqiptare, “Penda e Argjendtë” për veprën deputuese, me vlerësimin “Për rrëfimin elegant dhe atmosferën e këndshme të të rrëfyerit”.

 

Shqiptariiitalise.com: Të njëjtën mënyrë rrëfimi elegant dhe popullor njëkohësisht, plot ironi të mprehtë dhe skena dëfryese, kam gjetur po ashtu në “Solo andata, grazie”. Ky është pra stili juaj?

Darien Levani: Me sa duket, po. Gjithmonë jam munduar që ta bëj leximin sa më të lehte dhe të rrjedhshëm për publikun. Që s’do të thotë, siç mund të mendojë ndokush, të mos shkruaj gjëra të rënda apo të mos them gjëra serioze, por thjesht që kur gjërat janë të thjeshta është e kotë që shkrimtari t’i ngatërrojë akoma më shumë. Mund të shkruash paragrafe pa fund që zgjasin 700 faqe, për t’u dukur i zgjuar, po ç’duhen kur lexuesi lodhet, e kap dhimbja e kokës dhe kur shkon në fund harron çfarë ishte shkruar në fillim? Asgjë nuk duhen. Ky është ajo që dikush quan stil, për mua është thjesht një mënyrë rrëfimi, një botëkuptim.

Në “Poetët bëjnë dashuri ndryshe” denonconi problemet, depresionin e një pjese të konsiderushme të rinisë shqiptare sot: droga, papunësia, mërzitija. Por shkruani edhe për muzikën e dashurinë. Pra, në fund të fundit, ky roman ështe një histori dashurie, apo jo?

Për dikë mund të jetë histori dashurie, muzike, historia e një qyteti, e një rinie. Them se këto vlerësime vijnë më vonë dhe nuk para më bëjnë shumë përshtypje. Ajo që më interesonte ishte të shkruaja për disa argumente që në letërsinë shqiptare trajtohen pak. Brezi im, që deri diku ka ngelur pa zë e i papërfaqësuar. Shpresa, sepse duhet shpresuar gjithmonë, çfarë dolloj gjëje që të ndodh. Depresioni, për shembull, problem shumë serioz duke parë edhe faktin që në çdo farmaci shqiptare mund të blesh antidepresiv të fortë pa asnjë recetë. Kultura si mënyrë jetese, si përpjekje për të përmirësuar jetën. Korrupsioni, kufiri moral i një brezi, shpresat dhe humbjet. Konflikti mes brezash, po ashtu. Në libër, psh, nuk dalin kurrë prindërit e protagonistit, dhe është një mungesë bërë me dashje. Unë mendoj që një roman duhet të jetë një lente mbi shoqërinë, duhet të tregojë një botëkuptim e të mos jetë thjesht një histori bosh ku personazhet lëvizin si kukulla.

Sa ju ngjan Marti, personazhi kryesor i romanit?

Pak, shumë pak. Përveç ndonjë shijeje muzikore të përbashkët, asgjë tjetër. Mundohem të krijoj personazhet larg meje, kjo është sdifa e shkrimit.

Protagonist në këtë roman është dhe kryeqyteti. Tirana e Darien Levanit: vendet, kujtimet…

Po, më pëlqente që ta bëja qytetin protagonist. Nuk më intereson të tregoj historine e X që takon Y dhe bëjnë këtë apo atë. Dua që kur lexuesi të mbyllë një libër timin të provojë nostalgji për vende ku s’ka qenë, dashuri për njerëz e personazhe që ekzistojnë vetëm në letër e, mbi të gjitha, të dijë diçka që më parë nuk dinte: një mënyrë jetese, një model moral, një ndjenjë të përbashkët. Një qytet, në të mirë e në të keq, tregon gjithçka për banuesit e tij.

Cilët janë shembujt që ndiqni, pikat e referimit pavarësisht nga profesioni?

Ka shkrimtarë që më pëlqejnë që më kanë ndikuar padyshim (ashtu si p.sh. më kanë ngacmuar gjithnjë parrullat e komunizmit të tipit “Parti-Enver, Jemi gati kurdoherë” që mund të kem parë në murin e qytetit kur isha 5-6 vjeç), por kam filluar të shkruaj gjëra me vlerë vetëm kur kam filluar të mos i ndjek më këto ndikime. Them se, të shkruash, do të thotë të gjesh zërin tënd, asgjë më shumë e asgjë më pak. Mund të shkruash edhe keq, por shkruan keq me gabimet e tua, jo me ato të këtij apo atij shkrimtari.

Gazetaria, një prirje, një pasion apo një profesion i fituar me kohën?

Më shumë se prirje apo pasion do thoja një detyrë morale. Të kisha mundur do e kisha shmangur me qejf gazetarinë, por duke jetuar në Itali prej shumë vitesh, pra duke jetuar në një vend ku është tashmë e nevojshme që të flasim edhe për vlerat e për problemet tona si shqiptarë, gazetaria erdhi si detyrë të cilës nuk i shmangesha dot. Nuk shikoj një brez të rinj gazetarësh shqiptarë që të shkruajnë, dhe sinqerisht nuk e di në kjo është gjë e mirë apo e keqe. Për mua ishte një detyrë, ndryshe nuk do ta kisha bërë. Gazetaria është diçka e imët, që jeton ditën. Koshet e lokaleve ku do pimë kafe nesër do të jenë mbushur plot me gazetat e sotme që askush nuk do shfletojë më, asnjëherë. Unë synoj pafundësinë e jo lavindë e pak orëve.

Në fakt shumë nga artikujt tuaj, veçanërisht ata të botuar në Albania News, përmbajnë denoncime mbi problemet e komunitetit tonë në Itali. Kritikat tuaja rëndom janë të ashpra ndaj politikave italiane mbi imigracionin. A e influencon këtë tendencë tuajën profesioni dhe vemprimtaria juaj si avokat?

Medoemos që edhe puna e përditshme më ndikon. Kur shikoj se si shumë ligje nuk aprovohen për të zgjidhur problemet, por thjesht për të krijuar demagogji e për të marrë ndonjë votë më shumë, nuk mund të qëndroj indiferent. Edhe pse, për hir të së vërtetës, këto probleme kanë qenë më të ashpra në vitet e para 2000, po themi nga 2000 deri në 2005 a 2006, dhe kanë ardhur duke u zbutur.
Racizmi institucional nuk është më aq i dukshëm, ndërsa reziston racizmi popullor. Disa raste që kam ndjekur kohët e fundit, si p.sh. rasti Bushi në Bergamo apo vrasja e një shqiptari në Serle të Brescia-s e konfermojnë. Në një farë mënyre ama, duhet thënë që ka ndryshuar edhe vetë kriminaliteti shqiptar që ka braktisur krimet e dhunshme dhe po i dedikohet “me sukses”, kryesisht, shitjes së lëndëve narkotike.
Është vërtet interesant se si, në 20 vjet emigrim, edhe ata e kanë kuptuar që duhen braktisur krimet që krijojnë alarm publik – vjedhje nëpër vila, krimet lidhur me prostitucionin që në vitet 90 ishin tipari kryesor i shqiptarëve – e duhen zëvëndësuar me të tjerë që nuk janë aq alarmues. Nëse i hyn dikujt në shtëpi dhe i vjedh televizorin ai mërzitet shumë e merr në telefon policinë. Nëse trasporton disa kile kokainë nuk i intereson askujt.

Komuniteti ynë këtu në Itali, konsiderohet një nga më të integruarit e vendit. Ç’do të thotë për ju fjala integrim? A keni kritika ndaj këtij procesi, apo ndaj bashkatdhetarëve tanë?

Ajo që quajmë integrim është një proces shumë i gjatë dhe i ndërlikuar. Besoj se, shumë varet nga situata dhe për këtë shqiptarët, sipas meje, kanë ditur të tregohen shumë të aftë. Kanë ngritur zërin kur ka qenë rasti, edhe me gazeta si Shqiptari i Italisë apo Albania News, por po ashtu kanë ditur të integrohen në kontekstin social ku jetojnë pa shumë probleme. Nga njëra anë është e tmerrshme, sepse do të thotë që vlerat dhe identiteti ynë janë gjithmonë, pak a shumë, të ndryshueshëm, nuk kanë ndonjë rrënjë e ne nuk jemi të gatshëm t’i mbrojmë. Nga ana tjetër është fantastike sepse do të thotë që kemi një aftësi të pashoqe në transformim dhe mimetizim. Besoj se e vërteta qëndron diku aty në mes, por s’e kam kuptuar akoma se ku tamam.

Librin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe” të Darien Levanit mund ta gjeni edhe online në Botimet Shqip

Sonila Alushi

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Kujtesa, identiteti dhe integrimi – Letërsia shqiptare migrante në gjuhën italiane

Renzi: “Governo lavori su riforma della cittadinanza e dell’immigrazione”